Kusari-Lila bashkëbisedon me maturantët e Gjimnazit “Hajdar Dushi” në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe kryetare e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka qenë pjesë e një paneli në Gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës. Me gjimnazistët e kësaj vatre arsimore kanë zhvilluar një bashkëbisedim në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”.

Është diskutuar rreth formave të dhunës, burimin e saj dhe ndikimin e traumave të bartura ndër breza si pasojë e dhunës sistematike gjatë periudhave të represionit.

Maturantët shfaqën një nivel të lartë vetëdijesimi dhe mendimi kritik mbi sfidat që hasin sot. Ata ngritën çështje të rëndësishme, si ndikimi i rrjeteve sociale, format e kontrollit dhe kufizimet që shpesh vijnë përmes tyre.

“Me kënaqësi pranova ftesën për të qenë pjesë e panelit për të bashkëbiseduar me maturantët e  Gjimnazi Hajdar Dushi në Gjakovë, në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”.

Në këtë gjimnaz, ku dikur isha maturante edhe vetë, folëm për format e dhunës, burimin e saj dhe traumat e bartura ndër breza si pasojë e dhunës sistematike të pranishme gjatë kohës së represionit. Diskutuam gjithashtu për dhunën si sjellje të normuar dikur për disiplinim, si dhe si mjet për nënshtrimin e vajzës dhe gruas.

Më gëzoi shumë të shihja një nivel të lartë vetëdijesimi dhe mendimi kritik te maturantët lidhur me sfidat që hasin, nga ekspozimi në rrjetet sociale deri te format dhe mënyrat për kontrollin dhe kufizimin e tyre.

Bisedat dinamike dhe komunikimi i vazhdueshëm me informata për mekanizmat parandalues dhe metodat rehabilituese për viktimat, si dhe angazhimi i të rinjve në aktivitete jashtëshkollore, u vlerësuan si rruga më e drejtë për të parandaluar dhunën. Sot dhe çdo ditë tjetër, në mbështetje të ndalimit të dhunës në baza gjinore!”, është shprehur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe kryetare e Alternativës Mimoza Kusari-Lila.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës