Të premten është mbajtur seanca e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, kryetare e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila në fjalimin e saj ka paraqitur disa nga të arriturat dhe synimet më të rëndësishme për të ardhmen e afërt në këtë rrugëtim të përbashkët.
1. Bashkëpunimi ynë në infrastrukturë deri më tani është kurorëzuar me rrugën e kombit dhe me rrugët e projektet që lidhin vendbanimet kufitare.Ndërsa, si kurorë e këtij bashkëpunimi dhe ndërlidhje duhet të konkretizohet sa më parë, me vendim dhe hapa konkret e të matshëm kohor, Projekti i hekurudhës Prishtinë Durrës, përmes rrugës që lidh edhe Gjakovën me Shkodrën. Ky projekt do ta përshpejtojë ngjitjen e trungut në nivelin kulturor, turistik, ekonomik dhe mbi të gjitha unifikojë komunikimin i cili edhe në kohën e perdes së hekurt dikur, vazhdonte e ushqehej, me atdhetarinë, patriotizmin dhe frymëzimin kombëtar.
Të mendosh se në tren prej Gjakovës mund të arrish Shkodrën për një orë e gjysmë e Ulqinin për dy orë, është jo vetëm një ëndërr e bukur, por një realitet që thërret të ndodhë.
2. Në energji është realizuar projekti për ndërlidhjen e sistemeve energjetike, si ndërtimi i linjës së energjisë elektrike që lidh Kosovën me Shqipërinë, prioritet i kahmotshëm, i pasuruar me bursën e energjisë elektrike ALPEX, projekte këto që duhet të plotësohen me nismën për impiantin e përbashkët energjetik kombëtar. Përvoja e viteve të fundit sigurinë energjetike e ngriti në nivelin e sigurisë kombëtare, andaj puna jonë e përbashkët, duhet të na e mbajë fokusin në këtë projekt.
3. Ndërvarësia e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë, prej sigurisë rajonale e deri tek anëtarësimi i plotë i Kosovës në NATO është jo vetëm aspiratë, por domosdoshmëri e garancisë së paqes në rajon dhe më gjerë. E bindur se do të jetojmë shpejt në ditën kur do të kemi dy liderë/e shtetërorë shqipëtarë në Këshillin e ministrave të NATO-s. Në ndërkohë nismat konkrete në fushën e mbrotjes janë shumë të mirëseardhura.
4. Përderisa historia, e kaluara dhe e sotmja është e mbushur me emra grash që inspiruan dhe mrekulluan botën me dedikimin e tyre si shënjtorja Nënë Tereza, talentet si Mira Murati, Dua Lipa e Rita Ora, të artat Majlinda, Nora e Distria, vajzat që preken kulmin e botës, Uta dhe Mrika, si shoqëri, ende kemi rrugë të gjatë të nxjerrim gjithë potencialin e shkëlqyer të vajzave dhe grave tona kudo ku ato jetojnë. Po ju ilustroj shkurt disa të dhëna që thërrasin për një angazhim të përbashkët e strategji mbarëkombetarëe për barazi: Pronësia në patundshmëri për gratë vlerësohet se përbën vetëm 19% në Shqipëri. Të punësuara në sektorin publik janë 44% gra, ndërsa 32% në sektorin privat. Po ashtu 52.9% e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar një formë dhune gjatë jetës së tyre, sipas një vrojtimi nga INSTAT dhe Kombet e Bashkuara.Situata në Kosovë qëndron afërsisht në përqindje të ngushtë:Në Pronësinë e patundshmërive: Sipas një raportit të vitit 2023, vetëm 19% e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave, duke pasqyruar norma patriarkale që pengojnë pavarësinë financiare dhe aktivitetet sipërmarrëse të grave.Ndërsa në tregun e punës janë bërë hapa konkret për fuqizimin ekonomik, gratë përbëjnë vetëm 16.7% të të punësuarve në sektorin privat dhe 39% në sektorin publik, duke reflektuar një pabarazi të theksuar gjinore në tregun e punës.Gjithashtu mbi 60% e grave kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre. Në Kosovë prej tre vitesh tanimë e paguajmë me pagën minimale çdo grua të papunë gjatë lehonisë si dhe u ndajmë shtesa fëmijëve e ato në llogari të nënave. Inkurajojmë dhe institucionet e Shqipërisë ta ndërmarrin një nismë të tillë.Nga kjo foltore e Kuvendit mbarëshqiptarë, dua të bëjë thirrje të gjitha grave dhe burrave të mbajnë vath në vesh thënien: Kur gratë përparojnë e gjithë shoqëria përparon dhe gjeneratat e reja kanë një fillim të mbarë të jetës. Asnjë mjet zhvillimi nuk është më efektiv dhe fisnik se fuqizimi i grave.