Të martën u mblodh kryesia e Alternativës për të diskutuar mbi procesin zgjedhor, rezultatin e kandidatëve të Alternativës si dhe hapat përpara për organizimin dhe zgjerimin e aktivitetit tonë politik.
Në prezantimin e përgatitur nga sekretarja e Alternativës, Diana Qarkaxhija, u paraqitën të dhënat e votave për pesë kandidatët e Alternativës, pjesëmarrës në listën e përbashkët për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si dhe krahasimi i rezultatit zgjedhor me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Në të dy palë zgjedhje, Alternativa ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet e fundit mbështetja për kandidatët e Alternativës, në numër absolut të votave, është dyfishuar – nga 66,254 vota në vitin 2021 në 127,010 vota në vitin 2025. Ky rezultat ka konfirmuar suksesin e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kontributin në kuadër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Alternativa, në mandatin e legjislaturës së tetë, kishte një deputete, ndërsa në ekzekutiv u përfaqësua me dy zëvendësministra. Në këto zgjedhje, mandatin e ka rifituar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka shënuar një rritje prej mbi 60% të rezultatit të saj – nga 53,618 vota në vitin 2021 në 85,618 vota në zgjedhjet e vitit 2025.
Nënkryetari i Alternativës dhe zëvendësministri i Punës dhe Financave, Agon Dobruna, është renditur i 51-ti në listën e kandidatëve për deputetë me 16,381 vota të fituara, pasuar nga Diana Qarkaxhija me 12,925 vota, Hasime Tahiri-Hasani me 6,067 vota dhe Sibora Kadriu me 5,900 vota.
Për gjithë mbështetjen dhe përkrahjen në këtë fushatë, u jemi mirënjohës gjithë qytetarëve të Republikës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe lidershipit e aktivistëve të saj, Partisë Guxo, lidershipit dhe aktivistëve të saj, të gjithë aktivistëstëve dhe mbështetësve të Alternativës si dhe zotohemi të angazhohemi maksimalisht për bashkëpunimin tonë të radhës duke punuar në avancimin e agjendës liberale dhe progresive për vendin tonë.
Mirëpresim një angazhim edhe më të madh dhe dinamik për agjendën zhvillimore, zhvillimin e qëndrueshëm bazuar në normat dhe standardet më të larta mjedisore, ekonominë qarkore, avancimin e agjendës integruese të vendit si dhe agjendën progresive legjislative. Alternativa beson se me rritjen e unitetit dhe bashkëpunimit ndërpartiak, agjenda progressive e vendit do të ketë rritjen më të shpejtë dhe më të sigurt.
Në këtë takim u diskutua edhe zgjerimi dhe shtrirja e Alternativës në komunat ku nuk kemi ende degë të hapur, ndërsa së shpejti do të kemi adresë edhe në Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.

