Kryetarja Kusari Lila kujton 11 martirët e Komunës së Gjakovës të rrëmbyer me 27 Mars 1999

Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila në 26 vjetorin e rrëmbimit nga forcat serbe ka kujtuar 11 martirët e Komunës së Gjakovës.

“Data 27 mars sjell makthin dhe tmerrin e përjetuar 26 vite më parë për familjen Qerkezi në Gjakovë. Forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunën e tyre çnjerëzore, hynë me forcë në shtëpinë e Halim Qerkezit dhe rrëmbyen 11 burra, pa kursyer as më të voglin. Atë natë, me forcë u rrëmbyen dhe më pas u zhdukën i zoti i shtëpisë, Halim Qerkezi, dhe katër djemtë e tij: Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi i vogël. Bashkë me ta u mor edhe miku i shtëpisë, Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi dhe Fatosi”, ka kujtuar ajo.

“Prej 26 vitesh, çdo moment e çdo ditë, pa rreshtur, nëna Ferdonije, e cila mbeti krejt e vetme, jeton për të dëshmuar tmerrin dhe barbarinë e forcave serbe. Ajo nuk kishte imagjinuar kurrë se do të jetonte pa burrin, pa djemtë, pa nipat e mbesat e shtëpisë, pa fqinjët. Por, siç thotë vetë ajo, njeriu është më i fortë se guri, dhe burimi i lotëve nuk shterret kurrë”, është shprehur, Kusari Lila.

Kryetarja e Alternativës më tej ka thënë se, dhoma e tyre mbeti bosh, tryeza e ngrënies u ndryshk nga mungesa, shtëpia u shndërrua në një muze të dhimbjes, ku çdo copë mobilje ruan zërat e shuar të atyre që u morën për të mos u kthyer më. Çdo natë, era sikur sjell kujtimet e tyre, por dera nuk hapet më. Vetëm nëna Ferdonije qëndron ende, me dhimbjen që i është gdhendur në fytyrë, me shpresën e venitur, por me qëndresën e palëkundur.

“Ajo ende qan me lot, dhe edhe kur thahet loti, dhembja e saj flet më shumë se çdo fjalë. Ajo është dëshmia e një gjenocidi që s’duhet harruar kurrë. Zemra e saj e plagosur është amaneti ynë: të mos harrojmë, të mos falim padrejtësinë, të mos lejojmë që historia të përsëritet”, ka theksuar ajo.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës