Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila përkujton fillimin e bombadimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe: 26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja

Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusar Lila ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. “Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë”, ka kujtuar ajo.

“Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit”, ka theksuar Kusari Lila.

26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja!

Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e një epoke të re për popullin e Kosovës. Ishte nata kur drejtësia filloi të marrë formë, kur bota e civilizuar nuk mundi të qëndronte më indiferente ndaj dhimbjes sonë. Bombardimet e NATO-s nuk shënuan vetëm fundin e një regjimi gjenocidal, por edhe lindjen e shpresës sonë për liri.

Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë.

Sot, pas 26 vitesh, ne nuk i harrojmë ata që u sakrifikuan, ata që nuk arritën ta shohin agimin e lirisë. Nuk harrojmë lotët e nënave që ende presin një lajm për bijtë e tyre të zhdukur. Nuk harrojmë plagët e atyre që i mbijetuan tmerrit. Dhe mbi të gjitha, nuk harrojmë dorën e aleatëve tanë që u shtri për të na shpëtuar në momentin tonë më të errët.

Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit.

Faleminderit përjetësisht, NATO!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës