Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila e shoqëruar nga kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë përkujtuar 26- vjetorin e masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa. Bashkë me familjarë të viktimave kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe sakrificës së tyre.
“Në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë u dogjën të gjallë e të vdekur 21 anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç. Po atë natë, u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpi edhe katër anëtarët e familjes Cana, katër nga familja Gërçari, familja Demjaha, si dhe anëtarë nga familjet, Guci, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bordoniqi, Haxhija, Qarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqia, Dinaj, Aliu, Glloxhani, Thaçi dhe Muhaxhiri”, ka thënë Kusari Lila.
Kryetarja me këtë rast ka thënë se, vrasja e fëmijëve, foshnjave, pleqve, grave dhe civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia, e cila u përpoq të shfaroste popullin e Kosovës. Plagët e atyre krimeve ende vazhdojnë të kullojnë.
“Sot përkujtuam martirët e kombit dhe takuam familjarët e tyre, të cilët po qëndrojnë të fortë dhe me kurajo dëshmojnë për mizoritë e kryera nga forcat serbe. Duke mbajtur gjallë kujtimin për ta, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi deri sa të zbardhen të gjitha krimet dhe autorët të dalin përpara drejtësisë!”, është shprehur ajo.
Lavdi jetës dhe sakrificës së të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit!














