Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë

Alternativa, me përulësi dhe nderim të thellë, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët që ranë heroikisht në betejën e Çabratit më 7, 8, 9, 10 dhe 11 maj të vitit 1999. Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë, me mirënjohje të përjetshme për ata që nuk u kthyen kurrë.

“26 vjet më parë në Çabrat të Gjakovës më 7, 8 dhe 9 maj, u zhvillua beteja e vetme në mjedise urbane në Kosovë. Ishte një përballje luftarake mes ushtarëve të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të shumta serbe. Ndonëse të pabarabartë në armatime dhe pajisje, UÇK-ja u shkaktoi humbje të konsiderueshme okupatorëve, të cilët u hakmorrën mbi popullsinë civile duke vrarë, kidnapuar dhe zhdukur dhjetëra persona”, ka kujtuar kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila.

“Në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tomë Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazyr Këpuska”, ka theksuar Kusari Lila.

“Gjakova kurrë nuk u gjunjëzua dhe pagoi me gjak lirinë e Kosovës. Lavdi heronjëve dhe martirëve të kombit! Të përjetshëm do të mbeten në kujtimet tona!’, ka thënë mes tjerash ajo.

Në 26 vjetorin e Epopesë së Çabratit, kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të tjerë, me nderime përkujtuan dëshmorët dhe martirët e rënë për liri. Ata bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë varreve të dëshmorëve, martirëve dhe pranë lapidarit “7 Maji”.

Lavdi!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës