Ministrja Kusari Lila, njëherësh kryetare e Alternativës, ka takuar përfaqësuesit e Innovation Centre Kosovo (ICK), përfshirë Dorina Grezdën, Shpend Lilën dhe Uranik Begun, për të diskutuar zhvillimet në sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit, mundësitë e bashkëpunimit dhe fuqizimin e start-up-eve dhe rrjetëzimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit u theksua roli i ICK-së si inkubator dhe promotor i investimeve për më shumë se një dekadë, si dhe angazhimi i përbashkët për finalizimin e Projektligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion dhe nisma të tjera në mbështetje të sektorit.
“Me Dorina Grezdën, Shpend Lilën dhe Uranik Begun nga ICK, këtë të fundit edhe si përfaqësues i Plug and Play, biseduam gjerësisht për zhvillimet në sektor, mundësitë e bashkëpunimit, si dhe për infrastrukturën ligjore dhe fizike për një zhvillim edhe më të hovshëm të sektorit, përfshirë start-up-et dhe rrjetëzimin e përfaqësimin ndërkombëtar”, ka theksuar Kusari-Lila.
Mes tjerash ajo ka thënë se, kemi shumë nisma dhe licenca ndërkombëtare, të cilat do t’i përkthejmë në organizime të përbashkëta, në promovim të talentit vendor, si dhe në fuqizim të rrjetëzimit ndërkombëtar.
“ICK ka kontribuar për më shumë se një dekadë si inkubator për start-ups, si promotor i mundësive për investime në Kosovë dhe si shtëpi e talentit kreativ. Bashkë do të vazhdojmë bashkëpunimin për finalizimin e Projektligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si dhe për shumë nisma të tjera”, është shprehur e para e MINTI-it.



