Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, ka pritur në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, me të cilat ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në funksion të fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë.
Gjatë takimit, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm në nivel qendror dhe lokal, si dhe janë trajtuar sfidat me të cilat gratë vazhdojnë të përballen në tregun e punës, përfshirë barrierat për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet ekonomike.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Iliriana Jaka Gashi nga Women for Women, Nora Latifi nga GAP, Brikena Hoxha nga IKS dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D.
Në takim u theksua nevoja për rritjen e pjesëmarrjes aktive të grave në ekonomi dhe për krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre profesional dhe ndërmarrës.
Ministrja Kusari-Lila ritheksoi përkushtimin e ministrisë për të mbështetur politika që krijojnë kushte më të favorshme për gratë në vendin e punës, si dhe për të inkurajuar sektorin privat që të ndërtojë ambiente pune më gjithëpërfshirëse.
Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave dhe rritja e përfaqësimit të tyre në biznes janë elemente kyçe për ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe një shoqërie më të drejtë.




