Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, përfaqësues nga Alternativa, z. Agon Dobruna ka bërë të ditur se është publikuar një raport analitik që adreson përfitimet e fëmijëve nga programet e ndihmës dhe mbrojtjes sociale.
Dobruna ka thënë se, në përputhje me programin qeveritar, Ministria ka përcaktuar prioritete dhe politika që synojnë përmirësimin e mirëqenies sociale dhe mbrojtjes sociale.
Prioritet i veçantë i është dhënë mbështetjes financiare për të garantuar mirëqenie më të mirë për fëmijët, familjet dhe qytetarët që jetojnë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, bazuar në programin e Qeverisë, ka përcaktuar prioritetet dhe politikat në fushën e mirëqenies sociale dhe mbrojtjes sociale, ku në kuadër të tyre janë përfshirë edhe zbatimi i skemave të reja, si shtesat e fëmijëve, shtesat për lehona, reformimi i asistencës sociale ku do të eliminohen kriteret diskriminuese dhe pabarazia dhe skemat pensionale.
Kemi prioritizuar skemat e mbështetjes financiare me qëllim sigurimin e mirëqenies më të mirë të fëmijëve, familjeve dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kushte të rënda sociale dhe ekonomike.
Pas prezantimit të raportit kishim mundësinë të bashkëbisedojmë e adresojmë shumë çështje dhe rekomandime, me interes të avancimit të ndihmës e mbrojtjes sociale”, ka bërë të ditur zv/ministri i MFPT, z. Agon Dobruna.