Në Kosovë, 14 prilli shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka thënë se kjo është një ditë përkujtimi, dhimbjeje, por edhe krenarie për forcën dhe kurajon njerëzore.
“Pikërisht më 14 prill, gjashtë vite më parë, Vasfije Krasniqi Goodman në përvjetorin e njëzet të dhunës së shkaktuar ndaj saj, doli për herë të parë publikisht dhe foli për tmerrin që kishte përjetuar gjatë luftës – dhe për forcën që gjeti për ta përballuar atë. Zërit të saj iu bashkua edhe Shyrete Tahiri. Të dyja u bënë zë i fuqishëm, shtyllë dhe dritë për mbi 20 mijë gra dhe burra që përjetuan dhunën seksuale nga regjimi gjenocidal serb”, ka thënë ajo.
“Këtë vit, në këtë përvjetor që të prek thellë në shpirt, tregimit të mbijetuarve iu bashkua edhe zëri i Ramadan Nishorit, burri i parë shqiptar që foli publikisht për traumën e tij. Ai tregoi për betejën e brendshme, përkrahjen e familjes dhe rrugëtimin nga dhimbja dhe tmerri në rehabilitim. Ramadani e gjeti forcën tek tregimi i Vasfijes dhe më pas Shyretes, dhe sot ai vetë bëhet frymëzim për shumë të tjerë”, ka thënë mes tjerash kryetarja Kusari Lila.
Ajo ka shtuar se, pas të gjitha tregimeve publike, qëndron puna e palodhur dhe e përkushtuar e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe udhëheqja e jashtëzakonshme e drejtoreshës Feride Rushiti. Ata kanë qenë mbështetje e pashoqe për të mbijetuarit – një dritë shprese në errësirën e traumës.
“Mirënjohje dhe respekt i thellë për të gjithë ata që kanë folur dhe për ata që ende janë në kërkim të forcës për ta bërë këtë. Tregimi i tyre është tregimi i dhimbjes sonë kolektive, i sakrificës, por edhe i triumfit të jetës mbi vdekjen dhe i dinjitetit mbi heshtjen. Tregimi i Ramadanit sot është edhe thirrje për guxim për ata dhe ato që ende hezitojnë, por që kanë nevojë të dinë se nuk janë vetëm. Dhimbja e tyre është e jona. Dhe, turpi nuk është i tyre turpi është i agresorit që shkaktoi dhunën”, ka theksuar Kusari Lila.
Sot dhe çdo ditë tjetër – zëri juaj do të dëgjohet, dhe krimi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.






