Në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për situatën në Kuvend, Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka takuar Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. “Biseduam hapur për zhvillimet e fundit dhe mundësitë konkrete për konstituimin e Kuvendit, duke u bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Të vetëdijshme se të gjithë deputetët kemi një obligim kushtetues për ta mundësuar funksionimin e institucioneve, u pajtuam që të angazhohemi me vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë situatë dhe për të ecur përpara brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata”, është shprehur Kusari-Lila. “Besoj se me bashkëpunim dhe përgjegjësi do ta gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë”, ka theksuar ajo.
Patrioti, veprimtari e ndërmarrësi Skender Thaçi i bashkohet Alternativës
Alternativa ka mirëpritur z. Skender Thaçi – humanist, atdhetar, ndërmarrës vizionar dhe filantrop i palodhur. Një bashkim me vlerë për të ardhmen e vendit! “Është një emër që flet për dashuri ndaj atdheut, përkushtim ndaj zhvillimit dhe kontribut pa interes personal në çlirimin e vendit, rindërtimin e tij dhe promovimin e pandalshëm të shtetit të Kosovës. Me rrënjë në Shqipëri e Malësi, i rritur në Kosovë dhe me veprimtari në Kroaci, Austri e më gjerë, Skenderi ka qenë gjithmonë i lidhur me kauzën shqiptare, me vendin, me njerëzit”, është shprehur kryetarja znj. Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka theksuar se, puna e tij në biznes, ndihmesa e vazhdueshme në çështjen kombëtare dhe zemra e një filantropi të rrallë janë dëshmi e përkushtimit që sjell sot në Alternativë. “Me patriotë të tillë si Skender Thaçi, idetë për çuarjen përpara të vendit janë të pashmangshme,” u shpreh kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Me familjen si themel, me idealin si busull dhe me veprën si frymëzim për gjeneratat që vijnë – Skenderi i bashkohet sot Alternativës, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një shoqërie më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar. “Me ty marrim një tjetër hap të madh drejt një agjende zhvillimore me rrënjë në histori, por të orientuar drejt së ardhmes, mirë se vjen në Alternativë”, është shprehur kryetarja Kusari-Lila.
“Kjo situatë nuk sjell ndjesi të mirë, pakënaqësitë janë në rritje”, ka thënë Kusari-Lila pas takimit me Kurtin dhe liderët tjerë politik
Në konferencë për media pas takimit që patën të shtunën me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë. “Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo. Kryetarja Kusari-Lila ka theksuar se ka propozuar për ta hedhur në votim çështjen e asaj se si duhet të procedohet tutje, pra për mënyrën e votimit, por as këtë ofertë nuk e kanë pranuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin
Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila, para nisjes së vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, të premten ka folur rreth nevojës për një qasje konstruktive, pasi siç ka thënë ajo, inati nuk të çon askund. “Inati nuk sjell asnjëherë, asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Vendimi i Gjykatës rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues
“Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66- të Kushtetutës”, kështu është shprehur kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, të enjten, që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Ajo ka shtuar se, interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë), nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. “Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues. Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim. Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive. Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Dalim vetëm në zgjedhje lokale, partneriteti me VV mbetet në nivel qendror
Kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Mimoza Kusari-Lila e ftuar në emisionin DPT te Fidani, mes tjerash ka folur edhe për në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit për çka ka theksuar se do të garojnë si subjekt politik, vetëm. Ajo vënë në pah faktin se, në nivelin qendror nuk do të ndërrojë asgjë lidhur me koalicionin e tanishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE “Për mu si kryetare e Alternatives është një sfidë, por e paraqet një mundësi të re për me dal prej fazës ku ti rri në listë në parti të madhe, me pa forcën politike, kapacitetin politik dhe strukturave tuaja, dhe natyrisht edhe mundësinë me shpërnda frymën liberale dhe mendimin, dhe qëndrimet tana në raport mne zhvillimin dhe vizionin tanë që nuk është domodoshmërisht i lidhur me VV”, tha Kusari – Lila. “Është Lëvizja VETËVENDOSJE ajo që ka vendos këtë për zgjedhjet lokale. Ky diskutim është pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Domethënë kjo është një temë që nuk është risi për ne, edhe pse mundet me qenë për opinionin publik”, është shprehur ajo mes tjerash.
Kryetarja Kusari-Lila kritikon bojkotin në Kuvend, thekson rëndësinë e partneritetit me SHBA-në
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të senacës së 33-të të Kuvendit të Kosovës në fjalën e saj, fillimisht u ndal te raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si partneritet strategjik të pakontestueshëm. Ajo ka kritikuar opozitën e deritanishme për mos votim duke thënë se nuk po votohet individi, por komisioni për votimin e kryekuvendarit. “ShBA-të mbeten pakontestueshëm partneri më strategjik i Republikës së Kosovës si në të kaluarën ashtu dhe në të ardhmen. Aktualisht bashkëpunimi ynë është shumë i ngushtë në fushën e mbrojtjes, në veçanti. Referenca që po i bëhet ri-përsëritjes së deklaratës së presidentit Trump, i referohet një marrëveshje në kohën e tij. Po besoj që ka më tepër zell të brendshëm lokal për të përfshirë në një formë ose tjetër, sesa që kam parë referencë të saktë për ngjarjet në Kosovë. Sot kam dëgjuar interpretimin se presidenti Trump ka bërë thirrje për konstituim të institucioneve. Kjo çka po ndodh këtu aktualisht është përgjegjësi e një klase politike të përbashkët dhe të përdoret një deklaratë e tillë në luftën e brendshme politike më duket paksa absurde”, ka thënë Kusari-Lila.
Mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, Alternativa garon në Zgjedhjet Lokale
Nën kryesimin e kryetares znj. Mimoza Kusari-Lila të mërkurën është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Alternativës. Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht për çështje organizative, pastaj për situatën aktuale politike si dhe rreth pjesëmarrjes në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale që do të mbahen më 12 tetor 2025. Anëtarët e Alternativës shprehin besimin e palëkundur në kapacitetet profesionale, njerëzore dhe morale të këtij subjekti politik liberal – demokratike. Ky besim është ndërtuar mbi një bazë të fortë angazhimi, përkushtimi dhe rezultate konkrete në terren. Alternativa vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për ndryshimin, duke promovuar transparencën, drejtësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët. Në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 12 tetor, entuziazmi dhe vendosmëria në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve tanë është më e lartë se kurrë më parë. Pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë e sigurt, masive dhe me bindje të plotë në vizionin dhe programin e Alternativës, e cila mbetet e përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Alternativa fton të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje për ndryshim të vërtetë dhe të marrin pjesë aktivisht në zgjedhjet e 12 tetorit, me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Kusari-Lila në KTV: Mbajtja e një palë zgjedhjeve nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, reflekton keq për të gjitha partitë
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, në emisionin Interaktiv në Koha Vision, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare nuk do të ishte zgjidhja optimale për situatën aktuale politike në vend. Ajo ka folur edhe për kandidaten për Kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu si gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. “Nuk është çështja e emrit, është çështje e parimit. Është precedent i keq për të ardhmen që mund të krijojë përshtypjen se Haxhiu ishte vetëm një manipulim i Kurtit për të shtyrë partitë tjera të pranonin një kandidat tjetër’, ka thënë kryetarja Kusari-Lila. Ajo ka thënë se nuk është kundër nëse zgjedhjet mbesin si opsion i vetëm, por ato duhet të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet komunale, për të shmangur ngarkesën e tepërt ndaj qytetarëve. “Kam thënë prej fillimit se mund të mbetet mundësia e vetme, por absolutisht jo më e favorshme për qytetarët. Mbajtja e një palë zgjedhjeve nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, do të reflektonin keq për të gjitha partitë”, ka thënë ajo. Duke folur për zgjedhjet lokale që tashmë është përcaktuar data, më 12 tetor 2025, ajo ka thënë se do të garojnë ndamas nga VETEVENDOSJE. “Është shumë e rëndësishme që përveç se të kemi kandidat me program, të punojmë më shumë për promovimin e frymës liberale dhe atë se çfarë përfaqësojmë ne”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Alternativës për 10 Qershorin: Amaneti i Lidhjes është mbrojtja e shtetit
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila duke kujtuar 147 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka thënë se 10 Qershori është dita e amanetit kombëtar. Ajo ka shtuar se, kjo datë mbart shpirtin e qëndresës dhe të lirisë shqiptare. “10 Qershori është një datë që mbart ngjarje domethënëse për shqiptarët dhe shtetin e tyre, me një emërues të përbashkët: mbrojtjen e tokës, lirisë dhe të drejtës për një shtet sovran. Në historinë e re të kombit, 10 Qershori vazhdon të shënohet si një datë me rëndësi të veçantë për lindjen dhe formimin e shtetit të Kosovës. 📍 10 Qershor 1878 – U themelua Lidhja e Prizrenit, organizimi i parë politik gjithëkombëtar për të ruajtur tokat shqiptare nga copëtimi pas disfatës së Perandorisë Osmane. Ishte zëri i parë modern i vetëdijes kombëtare. 📍 10 Qershor 1999 – NATO ndal sulmet ajrore kundër forcave serbe, duke hapur rrugë për zbatimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, ndërsa u hap rruga për çlirimin dhe vendosjen e paqes. 📍 10 Qershor 2007 – Presidenti amerikan George W. Bush, gjatë vizitës në Tiranë, shpalli qartë: “Vjen momenti, më herët se sa më vonë, kur duhet thënë – mjaft më! Kosova është e pavarur!” Një deklaratë që vulosi mbështetjen për pavarësinë e vendit tone”, ka thënë kryetarja Kusari Lila. “Lidhja është gjallë sepse idealet e saj janë ende gjallë. Sot, përballë sfidave të brendshme dhe jashtme, kujtesa historike na thërret që të qëndrojmë të bashkuar, të vendosur dhe krenarë. Kosova nuk ka kthim prapa. Ajo ecën përpara me dinjitet, guxim dhe besim në vetvete”, ka shkruar ajo. “Amaneti i Lidhjes është mbrojtja e shtetit”, ka theksuar Kusari Lila.