Anëtarët e Alternativës në Prishtinë kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturave organizative. Me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, kryetar i degës u zgjodh z. Skender Thaçi. Në këtë mbledhje u zgjodhën edhe strukturat drejtuese, duke reflektuar vullnetin dhe besimin e plotë të anëtarësisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme do të vazhdojë edhe në komunat tjera. Alternativa Liberale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të sjellë më shumë cilësi në jetën politike të Republikës së Kosovës.
Getoar Shehu kryetar i degës në Prizren, ndërsa në Gjakovë Drita Buza
Alternativa ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme nëpër degë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të strukturave dhe rritjes së përfaqësimit demokratik. Në Kuvendin Zgjedhor të Degës në Gjakovë, me votat e anëtarëve të pranishëm, kryetare e degës është zgjedhur Dr. Drita Buza. Ndërkaq, në Prizren, me shumicë votash, Kuvendi Zgjedhor ka zgjedhur Getoar Shehun si kryetar të degës. Gjatë këtyre kuvendeve janë zgjedhur edhe strukturat drejtuese të degëve, duke reflektuar vullnetin dhe besimin e anëtarësisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme do të vazhdojë ditët në vijim në komunat e tjera, si pjesë e angazhimit tonë për një organizim më të fuqishëm dhe më përfaqësues. Alternativa Liberale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të sjellë më shumë cilësi dhe përgjegjësi në jetën politike të Republikës së Kosovës.
Kusari-Lila ka pritur në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, ka pritur në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, me të cilat ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në funksion të fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë. Gjatë takimit, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm në nivel qendror dhe lokal, si dhe janë trajtuar sfidat me të cilat gratë vazhdojnë të përballen në tregun e punës, përfshirë barrierat për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet ekonomike. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Iliriana Jaka Gashi nga Women for Women, Nora Latifi nga GAP, Brikena Hoxha nga IKS dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D. Në takim u theksua nevoja për rritjen e pjesëmarrjes aktive të grave në ekonomi dhe për krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre profesional dhe ndërmarrës. Ministrja Kusari-Lila ritheksoi përkushtimin e ministrisë për të mbështetur politika që krijojnë kushte më të favorshme për gratë në vendin e punës, si dhe për të inkurajuar sektorin privat që të ndërtojë ambiente pune më gjithëpërfshirëse. Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave dhe rritja e përfaqësimit të tyre në biznes janë elemente kyçe për ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe një shoqërie më të drejtë.
Në Toronto, takime me institucione dhe përfaqësues të sektorit minerar
Në kapacitetin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, po qëndron në Toronto, ku po merr pjesë në Prospectors & Developers Association of Canada Convention (PDAC), konferencën më të madhe në botë për eksplorimin minerar, së bashku me ministren e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli dhe me mbështetjen e Commercial Law Development Program të United States Department of State. Kusari-Lila ka thënë se, gjatë qëndrimit në Kanada, po zhvillon takime me përfaqësues institucionesh dhe korporatash pjesëmarrëse për të shqyrtuar mundësitë e zhvillimit minerar në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit me shtete partnere strategjike. “Për herë të parë në Konferencën Botërore të Minierave në Toronto, Kanada. Bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me mbështetjen e CLDP (Commercial Law Development Program) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së , po takojmë përfaqësues të institucioneve dhe korporatave pjesëmarrëse në konferencën vjetore, për të vlerësuar mundësitë e zhvillimit minerar në Kosovë dhe bashkëpunimin me shtete partnere strategjike për vendin dhe sektorin”, ka theksuar ajo. “Konferenca Prospectors & Developers Association of Canada (PDAC) organizon ngjarjen më të madhe në botë për eksplorimin minerar, e cila zhvillohet në Toronto dhe lidhet ngushtë me bursën minierave dhe metaleve të Torontos (TSX dhe TSX Venture)”, ka bërë të ditur ajo.
MINTI- i njofton se po monitoron rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e cila tashë udhëhiqet nga kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës se është duke e monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës. MINTI ka njoftuar se inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë. KOMUNIKATË PËR MEDIA Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) i njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është duke e monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregu e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë. Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, por që këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme. Kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren. Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës, ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është e përkushtuar, me theks të veçantë në mbrojtjen e konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg. Ftojmë qytetarët të raportojnë çdo parregullsi apo mashtrim të mundshëm, përmes kanaleve tona të komunikimit, në numrin pa pagesë: 0800 11000 apo përmes e-mailit zyrtar: konsumatori@rks-gov.net. Edhe ministrja Kusari-Lila ka bërë të ditur se inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregu e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë. “Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, por që këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme”, ka bërë të ditur ajo.
Takim me Ambasadorin e Sllovenisë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik
Ministrja e MINTI-it, kryetare e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila priti në takim Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Shkëlqesinë e tij z. Borut Blaj, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe organizimin e Forumit Ekonomik Kosovë–Slloveni që këtë vit mbahet në Prishtinë. Ajo theksoi se Sllovenia mbetet partner i përkushtuar dhe model i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Me Ambasadorin diskutuam për bashkëpunimin tonë ekonomik, për mundësitë e reja për thellimin e këtij bashkëpunimi, si dhe për vazhdimësinë e nismave paraprake, siç është Forumi Ekonomik Kosovë – Slloveni, i cili këtë vit do të mbahet në Prishtinë”, është shprehur ministrja.
Partneritet Strategjik Kosovë–ShBA për Zhvillim Ekonomik dhe Investime të Reja
Ministrja e MINTI-it znj. Mimoza Kusari- Lila, kryetare e Alternativës priti në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesinë e saj znj. Anu Prattipati, ku u theksua mbështetja jetike amerikane për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Kosova. Gjatë diskutimit u trajtua tërheqja e investimeve nga kompanitë amerikane dhe organizimi i “American Business Day” si platformë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes nën udhëheqjen e ministrit z. Ejup Maqedonci, duke e cilësuar partneritetin Kosovë–ShBA si garanci për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë. “Mbështetja amerikane për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat dhe përmirësimin e klimës së biznesit mbetet jetike për të ardhmen e vendit tonë. Me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve nga kompanitë amerikane në Kosovë, biseduam edhe rreth nismës për organizimin e “American Business Day”, si një platformë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, ka bërë të ditur ministrja Mimoza Kusari-Lila. “Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, përfshirë strukturën dhe mekanizmat e paraparë në këtë legjislacion, të cilin po e zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes, nën udhëheqjen e ministrit z. Ejup Maqedonci”, ka thënë ajo. “Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më shumë se diplomaci — është një vizion i përbashkët për zhvillim, investime dhe mundësi të reja për ndërmarrësit tanë”, ka theksuar Kusari-Lila. Ajo ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fortë mbetet garanci e rëndësishme për një të ardhme të sigurt dhe stabilitet afatgjatë në rajon. “Kosova vazhdon të ecë përpara, me partnerë të fuqishëm krah saj”, ka përfunduar ministrja.
Ministrja znj. Mimoza Kusari-Lila takoi përfaqësuesit e ICK-së
Ministrja Kusari Lila, njëherësh kryetare e Alternativës, ka takuar përfaqësuesit e Innovation Centre Kosovo (ICK), përfshirë Dorina Grezdën, Shpend Lilën dhe Uranik Begun, për të diskutuar zhvillimet në sektorin e Teknologjisë dhe Inovacionit, mundësitë e bashkëpunimit dhe fuqizimin e start-up-eve dhe rrjetëzimit ndërkombëtar. Gjatë takimit u theksua roli i ICK-së si inkubator dhe promotor i investimeve për më shumë se një dekadë, si dhe angazhimi i përbashkët për finalizimin e Projektligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion dhe nisma të tjera në mbështetje të sektorit. “Me Dorina Grezdën, Shpend Lilën dhe Uranik Begun nga ICK, këtë të fundit edhe si përfaqësues i Plug and Play, biseduam gjerësisht për zhvillimet në sektor, mundësitë e bashkëpunimit, si dhe për infrastrukturën ligjore dhe fizike për një zhvillim edhe më të hovshëm të sektorit, përfshirë start-up-et dhe rrjetëzimin e përfaqësimin ndërkombëtar”, ka theksuar Kusari-Lila. Mes tjerash ajo ka thënë se, kemi shumë nisma dhe licenca ndërkombëtare, të cilat do t’i përkthejmë në organizime të përbashkëta, në promovim të talentit vendor, si dhe në fuqizim të rrjetëzimit ndërkombëtar. “ICK ka kontribuar për më shumë se një dekadë si inkubator për start-ups, si promotor i mundësive për investime në Kosovë dhe si shtëpi e talentit kreativ. Bashkë do të vazhdojmë bashkëpunimin për finalizimin e Projektligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si dhe për shumë nisma të tjera”, është shprehur e para e MINTI-it.
Kusari-Lila zhvilloi takim me drejtuesit e STIKK-ut për inovacionin
Ministrja znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, ka zhvilluar takim me drejtoreshën ekzekutive të STIKK-ut, Vjollca Çavolli, dhe anëtarët e Bordit, ku u diskutua për inovacionin dhe finalizimin e Ligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, si dhe për zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative. Ajo theksoi rëndësinë e bashkërendimit institucional dhe mbështetjes së potencialit të të rinjve në IT, duke e cilësuar këtë sektor si shtyllë horizontale të zhvillimit ekonomik dhe prioritet për katër vitet e ardhshme. “Sot prita në takim drejtoreshën ekzekutive të STIKK-ut, znj. Vjollca Çavolli me anëtarët e Bordit të organizatës, diskutuam në detaje për inovacionin dhe finalizimin e Ligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion”, ka thënë ajo. “Biseduam gjithashtu për potencialin e madh të të rinjve në industrinë e teknologjisë informative dhe për planet tona për zhvillimin e sektorit – nga themelimi dhe promovimi i ICT Tower, deri te format ndërsektoriale të bashkërendimit të aktiviteteve për promovimin e vendit dhe të mundësive për kompanitë e IT-së në Kosovë”, është shprehur mes tjerash ajo pas takimit. “Theksova se sektori i teknologjisë informative nuk është i ndarë vertikalisht në ekonomi, por ka shtrirje horizontale, pasi prek pothuajse çdo fushë të veprimit institucional dhe ekonomik. Bashkërendimi në vendimmarrje dhe bashkëpunimi i ngushtë do të jenë prioritetet tona në katër vitet e ardhshme, me rezultate konkrete në rritjen ekonomike, punësim dhe avancim teknologjik”, ka theksuar me këtë rast ministrja e MINTI-, Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Kosova e ka zhvillimin e saj të bazuar në sigurinë e vendit dhe begatinë për qytetarët e saj
“Kosova e ka zhvillimin e saj të bazuar në sigurinë e vendit dhe begatinë për qytetarët e saj”, kështu është shprehur ministrja Mimoza Kusari Lila. “Sot zhvilluam takimin e parë në këtë mandat të ri me grupin punues të dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Nën drejtimin e ministrit Maqedonci, diskutuam koncept-dokumentin e Projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, strukturën dhe organizmat që parashihen me këtë projektligj”, ka bërë të ditur ajo. Ajo mes tjerash ka theksuar se, përveç dispozitave kryesore, trajtuam edhe shtrirjen ndërsektoriale, e cila do të mundësojë zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë së mbrojtjes. “Në ditët në vijim, grupi punues do të vazhdojë punën për finalizimin e koncept-dokumentit dhe hartimin e draftligjit”, ka theksuar ajo.











