Zëvendës Ministri i Zhvillimit Rajonal, përfaqësues i Alternativës, Ali Tafarshiku, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Fillimisht, zv. Ministri Tafarshiku, është pritur nga homologu i tij, zv. Ministri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Enio Civici, me të cilin kanë diskutuar rreth projekteve të përbashkëta që mund të realizohen në të dy anët e kufirit.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, zv. Ministri, Tafarshiku është pritur edhe nga udhëheqësit e divizionit zhvillimor në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, z.Arben Skënderi, drejtor i Zhvillimit të Aplikuar dhe Partneritetit, si dhe nga z. Fation Nanaj, drejtor i Departamentit të Zhvillimit dhe Kohezionit.
Me ftesë të Universitetit Europian të Tiranës, zv. Ministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, para stafit akademik dhe studentëve, ka mbajtur edhe një prezantim mbi të arriturat zhvillimore rajonale nga MZHR-ja, si dhe objektivat që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.
Me këtë rast, zv. Ministri Tafarshiku është pritur edhe nga Rektori i UET-it, Prof.Dr Tonin Gjuraj.