Fjalimi i Kryetares së Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, sot në seancën solemne të Kuvendit për nder të 16 vjetorit të Pavarsisë së Kosovës.

E nderuara Presidente e Republikës, Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuar Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca,
I nderuar Kryeministër, Albin Kurti me kabinetin Qeveritar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar Ambasadorë të vendeve mike dhe partnere të Republikës së Kosovës, Ambasador Hovenier, Ambasadorë Malajt, Szunyog, shkelqësi, Mysafirë dhe përfaqësues nga vendet mike,
Mirë se erdhet në Kosovë përfaqësues special të Kryeministrit të Britanisë së Madhe, znj. Fiona Bruce dhe z. Martin Vickers,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të pavaruara,
President Sejdiu, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese Cakaj – Nimani, Komandat i Ushtrisë së Kosovës, Gjeneral Bashkim Jashari,
Familje të respektuara të dëshmorëve, Të nderuar veteran dhe invalid të UÇK-së,
Të respektuar prijës fetar të Bashkësive Fetare të Kosovës,
Qytetarë të nderuar të Republikës sonë,
Gëzuar përvjetori i Pavarësisë së shtetit të cilin po e ndër gëzojmë dhe ndërtojmë çdo ditë bashkë!
Ka disa javë që oborri dhe hapësirat e Kuvendit të Republikës gumëzhojnë nga zërat dhe prezenca e qindra fëmijëve nga mbarë Kosova, të cilët të organizuar erdhen në vizitë në vigjilie të festës së pavarësisë. Ata vizitojnë institucionin prej nga buroi vullneti i qytetarëve të këtij vendi për të shpallë 16 vite më parë pavarësinë e Republikës tonë.
Të gjithë ata fëmijë më rrobat festive, shumica me ngjyrat e flamurit shtetëror kaltër dhe verdhë, të tjerët me ngjyrat e flamurit kombëtar kuq e zi bashkë me uniformën emblematike të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Fëmijët përqojnë gëzimin, shpresën dhe porosinë për përgjegjësinë tonë që shtetin ta forcojmë dhe demokracinë të zbatojmë çdo ditë.
Megjithatë, jo shumë larg në historinë tonë, edhe fëmijët e Kosovës, u sakrifikuan dhe bashkë me heronjët u bënë pjesë e flijimit dhe pavdekshmërisë për lirinë e vendit. Sado të vegjël në moshë, ata nuk u kursyen nuk terrori dhe vrasja. Për lirinë dhe shtetin tonë, u sakrifikuan 1133 fëmijë, prej të cilëve ende 109 janë të pagjetur.
Liria dhe shteti ynë janë të çmuar dhe ashtu sikur vlera e tyre, duhet të jetë përpjekja jonë që historia dhe e kaluara KURRË më NUK do të përsëriten në këtë nënqiell.
Nga ajo çfarë po ndodhë në kontinentin tonë, e kemi të qartë së Liria dhe demokracia nuk duhet marrë për të mirëqena. Liria dhe demokracia po rrezikohen. Shtetet autokrate sikur Rusia me diktaturë të instaluar, sulmojnë shtetet fqinje të pavarura, vrasin oponentët politik të burgosur, ndërsa proksi i tyre, tërbohet nga nderimi në varrin e 7 vjeqares së vrarë në Kosovë Blerina Jashari dhe nga mllefi i krimit për të cilin asnjëherë nuk kërkuan falje, persekutojnë ata që kanë guxim të bëjnë atë.
Shteti dhe demokracia e Kosovës u mbrojtën edhe pas shpalljes së pavarësisë. Heronjët Enver Zyberi dhe Afrim Bunjaku, ranë për të mbetur të pavdekshëm në mbrojtje të integritetit territorial të shtetit tonë.
Lufta jonë e drejtë për liri dhe shtet po mbrohet edhe sot në Hagë.
Prandaj është aq me rëndësi që liria dhe demokracia jonë duhet mirëmbajtur dhe duhet krijuar mekanizma për tu mbrojtur me çdo kusht. Atë ua kemi borxh edhe atyre fëmijëve të cilët nuk arritëm t’i kursenim nga terrori i luftës.
Fëmijët sot po mësojnë historinë e lavdishme të brezave para tyre: mençurinë, durimin dhe vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova, trimërinë, lavdinë dhe sakrificën e Komandantit legjendar Adem Jashari me familjen Jashari dhe sakrificën e gjithë luftëtarëve të lirisë.
Ata do t’a kuptojnë dashurinë, mallin dhe flijimin e Nanës Pashkë Marku për djemtë e saj, insistimin e Nanës Ferdonije Çerkezi për të mbajtur gjallë ndër breza tregimin e sakrificës, insistimin për drejtësi të Shyhrete Berishës, dhimbjen e Zarife Morinës dhe shumë Nënave e Baballarëve tjerë që nuk rreshtin duke kërkuar drejtësi dhe paqe për fëmijët dhe familjarët e tyre në amshim. Ata jetojnë për të treguar pjesën më të vështirë të historisë tonë.
Vasfije Krasniqi kishte vetëm 16 vjeç kur jeta e saj morri plagën më të rëndë me të cilen do jetojë deri në fund, por pa iu dorëzuar asaj.
Sikur Vasfija, janë edhe mijëra gra e burra tjerë. Drejtësia për të gjithë ato dhe ata, do të rëndojë në ndërgjegjen kolektive deri sa të triumfojë.
Andaj në ditë si kjo duhet kujtuar dhe nderuar mundin, përpjekjen dhe sakrificën e secilit femijë, grua dhe burrë që bënë për të ardhur në ditën e shpalljes së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran.
Në festa si kjo, fëmijët i gëzohen parakalimit të Ushtrisë së Kosovës. Ata i shikojnë me admirim uniformat e policëve, ushtarëve dhe takojnë nga afër heronjët e tyre.
Ky është suksesi i Kosovës 16 vjet shtet, kjo është e sotmja dhe e ardhmja e saj.
Të duash vendin, ta respektosh dhe të mos i frikësohesh uniformes së policit dhe ushtarit, por të rritesh krenar dhe të ëndërrosh të bëhesh një ditë si ata!
Fëmijët sot frymëzohen nga talenti, puna dhe suksesi i xhudistëve Majlinda Kelmendit, Nora dhe Akil Gjakovës, Distria Krasniqit, bokseres Donjeta Sadiku. Ata e dijnë se majat e botës janë të arritshme kur ke përkushtimin dhe guximin e alpinisteve, Mrika Nikçit dhe Uta Ibrahimi.
Ata frymëzohen për të mbrojtur ngjyrat e flamurit shtetëror duke ndjekur shembullin e tyre bashkë me shpresën për të parë në një të ardhme në Evropian dhe Botëror me kapitenin Amir Rrahmanin dhe golashënuesin Vedat Muriqi.
Sot vajzat e reja, qikat e Kosovës janë inspirimi për gjitha vajzat dhe djemtë në mbarë botën.
Fëmijët sot shprehin talentin në art, kulturë dhe shkencë dhe rrëzojnë barrierat dhe kufinjë që shumë gjatë qëndruan të ngritur për Kosovarët. Por interneti nuk kishte kufinj, andaj edhe kur kishim regjimin e vizave mbi 1,000 kompani të reja në sektorin e teknologjisë në shtetin me mbulueshmëri të plotë të internetit, arritën të krijonin mrekulli me shërbimet në sektorin e teknologjisë informative. Këta janë të rinjët e Kosovës, pengesën e kthyen në mundësi dhe mundësinë në fitore.
Falë tyre jam e bindur se rruga e Kosovës drejt progresit dhe integrimit është e pandalshme. Nuk ka forcë që mund të ndalë vullnetin e shtetit me të ri, për të dëshmuar potencialin dhe pasurinë njerëzore që ka.
Sot kemi festë, jo vetëm në Kosovë, por kudo ku ka shqiptarë dhe komunitete nga Kosova. Dhe sado larg të jenë ata, sytë i kanë nga vendlindja e tyre me zemër e mendje në rrugët dhe sheshet ku festohet përvjetori i pavarësisë.
Për të gjithë ata që sot festojnë jashtë vendit, kam një porosi.
Ejani më shpesh në Kosovë dhe vizitoni bukuritë e vendlindjes. Mësoni fëmijët t’i gëzohen agimit të Diellit në Gjeravicë, Pashtrik, Luboten, Sharr, Shalë, Bajgorë. Ndjeni freskinë e grykës së Rugovës, Drinit, Lumbardhit dhe Ujmanit.
Pasuritë natyrore duhet t’i mbrojmë, ruajmë dhe kultivojmë për brezat e ardhshëm.
Vizitoni qendrat innovative dhe hapësirat kreative. Ka mjaftueshëm në Kosovë. Mendoni për ide biznesi dhe bashkëpunimi me të rinjët nga Kosova.
Kontaktet dhe lidhjet tuaja me botën, sillni në Kosovë. Jemi gati për fazën e re të zhvillimit të shpejtë.
Kosova në rrugëtimin e saj drejt shtetit nuk ishte vetëm. Populli liridashës i Kosovës, ka miqtë dhe aleatët të cilët i japin kuptim lirisë dhe shtetit të ri. Në 16 vite rrugëtim, ishim bashkë dhe çdo ditë të re do ecim bashkë me botën demokratike. Ashtu sikur tek ne, festa e pavarësisë sonë u shënua në SHBA në New York, Massachusets, Iowa, Pennsylvania e Texas, Sot po festohet në Kanada, Gjermani, Austri, Francë dhe Itali deri në Australinë e largët. Kjo është lidhja e pathyeshme e jona me miqtë dhe mbështetësit tonë.
Ne ndajmë dhe kultivojmë vlerat e njejta demokratike dhe aspirojmë cakun e perbashkët të integrimit.
Andaj, për të gjithë, Urime ditëlindja e Kosovës. E gëzofshim e shënofshim me shekuj e gjenerata që do vijnë pas nesh!
Qofsh e bekuar përgjithmonë Kosova Jonë!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2023 Alternativa e Kosovës