Me rastin e ditës së Mësuesit 7 Marsit dhe ditës ndërkombëtare të gruas 8 Marsi, Dega e Alternativës në Gjakovë organizoi tryezë me gratë dhe vajzat e profesioneve të ndryshme.
Fillimisht para të pranishmëve, fjalë rasti mbajti kryetarja e Alternativës dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila foli për përpjekjet e pandalshme për barazi për gratë, sfidat dhe sukseset të cilat shënojnë rrugëtimin e secilës vajzë dhe grua. “Rrugëtimi ynë për barazi mes gjinive nuk ka nisur dhe sigurisht nuk do të përfundojë shpejt. Por kur do t’arrijmë si shoqëri në finale, do të varet nga puna dhe përkushtimi i secilës dhe secilit që beson dhe jeton me konceptin e të drejtave të barabarta për të gjithë”, tha ndër të tjera kryetarja Kusari Lila.
Në panelin me temën “Gruaja në sfida dhe suksese”, rrugëtimin e tyre në jetë dhe profesion, e rrëfyen mësuesja Naxhije Rugova, profesoresha dhe aktivistja e të drejtave të grave, znj. Sakibe Doli, mësimdhënësja znj Albana Bobi Dujaka, si dhe sportistja e dalluar dhe mësimdhënësja e edukatës fizike, znj. Blerta Juniku Rraci.
Në emër të Alternativës, pjesëmarrëset e kësaj tryeze i falenderoi kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna.