Me bashkëorganizim të Alternativës, Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe Partisë Guxo të shtunën në Pejë u organizua debat në të cilin u diskutua rreth projekteve të Qeverisë së Kosovës për punësimin e të rinjëve dhe çështjet e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.
Znj. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku deputete dhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, z. Agon Dobruna zëvendësministër i MFPT-së dhe znj. Jeta Statovci deputete dhe nënkryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti ishin panelistë të këtij bashkëbisedimi.
Përfaqësues të të rinjëve të kësaj komune, bizneseve dhe qytetarët të tjerë patën mundësi që të njihen nga afër me projektet që ka realizuar dhe po planifikon Qeveria e Republikës së Kosovës rreth punësimit të të rinjëve dhe planifikimet për shëndetësi, ekonomi e zhvillim.
Panelistët prezantuan po ashtu të arrituarat, sfidat dhe projektet që po hartohen rreth këtyre sektorëve. Ndërsa të pranishmit përmes interaktivitetit kuptuan detaje dhe u informuan për gjithçka që u interesonte atyre.
Të rinjtë u përgëzuan për arritjet e tyre në inovacion, sport, kulturë, arte e shkencë, për çka u tha se janë pasuria më e vlefshme e Kosovës dhe duke i vendosur ata në qendër të politikave shtetërore mund të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme.
Debate të ngjashme janë mbajtur në vazhdimësi dhe planifikohet të mbahen edhe në të ardhmen.