Në kuadër të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, të enjten është zhvilluar një takim përgatitor për të diskutuar çështjet kryesore në lidhje me mbledhjen e ardhshme të përbashkët të delegacionit të Kosovës dhe atij të Parlamentit Evropian.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe kryetare e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka theksuar se gjatë takimit kanë shqyrtuar draft-agjendën për seancën e ardhshme të komisionit të përbashkët, e cila do të mbahet më 9 dhjetor 2024 në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Ajo ka thënë se kanë diskutuar edhe rekomandimet dhe amendamentet që do të prezantohen në Bruksel, mbi rëndësinë e këtij takimi me parlamentarët e rinj evropianë, si dhe mbi vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian.
“Sot, në kuadër të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, zhvilluam një takim përgatitor për të diskutuar çështjet kryesore në lidhje me mbledhjen e ardhshme të përbashkët të delegacionit të Kosovës dhe atij të Parlamentit Evropian. Gjatë takimit, shqyrtuam draft-agjendën për seancën e ardhshme të komisionit të përbashkët, e cila do të mbahet më 9 dhjetor 2024 në Parlamentin Evropian në Bruksel. Diskutuam mbi rekomandimet dhe amendamentet që do të prezantohen në Bruksel, mbi rëndësinë e këtij takimi me parlamentarët e rinj evropianë, si dhe mbi vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer midis Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian. Ky do të jetë takimi i fundit i Stabilizim-Asociimit për legjislaturën e tetë të deputetëve të Kosovës, ndërsa do të shënojë edhe takimin e parë të SA-së për parlamentarët evropianë të sapozgjedhur”, ka thënë kryetarja e Alternativës dhe shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE.