Kusari-Lila në tubimin me gra në Prishtinë: Me secilin gur që na gjuajnë ne ndërtojmë rrugë që të tjerat të vijnë pas pa pengesa

Tubim madhështor është mbajtur me gratë dhe vajzat e Kosovës në sallën “1 tetori” në Prishtinë. Mes ovacioneve të shumta janë  pritur kryeministri z. Albin Kurti dhe kandidatet për deputete nga lista fituese e Lëvizjes VETËVENDOSJE. Gratë dhe vajzat e Kosovës tashmë do ti bashkohen gjysmë milioni zemrave për mobilizimin e madh të 9 shkurtit, sepse vota e grave është vota e fitores së madhe.

Kryeministri z. Albin Kurti, u shpreh se gratë e bartin barrën e dyfishtë, të peshës në vend pune e të punëve pa mbarim në shtëpi, e ato e bëjnë edhe aktivizmin e dyfishtë, merren me politikat e përgjegjshme, por edhe me çështjet gjinore. Më pas ai shtoi se bashkë në Lëvizje e kudo, në institucione e shoqëri, le t’i aktivizojmë gratë e shkolluara dhe le t’i shkollojmë gratë aktive, se kjo është e domosdoshme për të ardhmen edhe të ndritshme edhe të sigurtë.

Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila gjatë fjalës së saj në këtë tubim madhështor ka thënë se rrugëtimi për vajzat dhe gratë është një rrugëtim i cili më shumë është mision i cili duhet të mbështetet nga të gjithë, nga burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat nga të gjithë ata që e duan një shoqëri më të mirë.

“E veçanta është se kur gratë mblidhen, diçka e rëndësishme po ndodh. Dhe çfarë do të ndodhë më 9 shkurt: fitorja jonë e madhe, pjesë e të cilës do të jenë gratë dhe vajzat e Republikës së Kosovës”, tha kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari gjatë fjalës së saj, duke shtuar më tutje edhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë: “Me secilin gur që na gjuajnë, ne ndërtojmë rrugë që të tjerat të vijnë pas pa pengesa.”

“Me secilin gur që na gjuajnë ne ndërtojmë rrugë që të tjerat të vijnë pas pa pengesa”, ka thënë Kusari Lila në fjalimin e saj para grave të mbledhura në sallën “1 tetori”.

“Ne e kemi seriozisht me misionin tonë për integritetin dhe shtetin por e kemi seriozisht edhe me misionin për ngritjen e personalitetit dhe ruajtjen e integritetit të grave dhe vajzave”, ka thënë ajo.

Me plot besim e vendosmëri për fitoren e 500 mijë zemrave që rrahin si një e në secilin cep të Kosovës, ishte lajtmotivi që përcolli njëzëri masa e grave të mbledhura në këtë tubim, e ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputet nga Alternativa, pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Diana Qarkaxhija, z. Agon Dobruna, znj. Hasime Tahiri Hasani dhe znj. Sibora Kadriu.

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës