Kryetarja e Alternativës, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari Lila ka pritur në zyrën e Alternativës, përfaqësuesit e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian. Së bashku diskutuan mbi përfshirjen e grave dhe vajzave në fushatën zgjedhore si dhe mbi politikat e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.
Znj. Vanja Anguelova nga Bullgaria dhe z. Gregoire Houel nga Franca, si pjesë e këtij misioni, po analizojnë politikat sektoriale të subjekteve garuese. Alternativa, e cila ka katër gra dhe vajza në mesin e pesë kandidatëve të saj, dëshmon përkushtimin ndaj progresit dhe barazisë, në harmoni me vizionin e partnerit të saj, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
“Si grup parlamentar, i cili në këtë mandat ka pasur të gjitha gratë deputete të zgjedhura me votën e drejtpërdrejtë, pa përfaqësim përmes kuotave, po punojmë që të rrisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në procesin zgjedhor, por edhe numrin e të zgjedhurave”, është shprehur Kusari Lila në këtë takim.
“Për barazinë, progresin dhe demokracinë – gjithmonë me gratë dhe vajzat bashkë”, ka thënë mes tjerash ajo.
