Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti të premten gjatë tubimit në Gjakovë tha se, më 9 shkurt nuk ka zgjedhje, por referendum. Ai tha se në mandatin e ardhshëm qeveritar do të krijojnë një prokurori të re speciale, kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Në katër vitet e ardhshme do ta përfundojmë rrugën Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan deri te Dheu i Bardhë, rrugën Dollc-Gjakovë, Kijevë-Zahaq e Duhël-Shtime-Banullë e autostradën e Dukagjinit. Në muajt e parë të qeverisjes sonë, do të heqim taksën doganore për 10 për qind për veturat nga BE-ja, kurse me Draft-Ligjin e ri për Automjete do ta heqim kufizimin 10 vjeçar për veturat që importohen nga jashtë”, theksoi ai.
Kurti tha se qeveritë e kaluara kanë keqpërdorur paratë e shtetit edhe duke iu ndihmuar kompanive të oligarve, një prej tyre ka të regjistruar biznesin në Serbi me emrin Djakovica e Peç – Serbija dhe se ata kanë dëbuar nga puna motrën e një dëshmori të luftës.
Në fjalën e saj kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka thënë se, qeveria Kurti 3 në fitoren e 9 shkurtit në Gjakovë do ti marrin 30 mijë vota.
“Gjakova e ka kuptuar se alternativa e vetme e këtyre zgjedhjeve është numri fitues 118. E Gjakovës që i ka hije emri me fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE, do ta merr kurorën e shqiponjës dy krenare me udhën e hekurudhën Gjakovë-Shkodër. Fitorja jonë është fitore e gjithë Kosovës, e gjithë shqiptarisë. Me fitoren tonë fiton shteti, fiton e ardhmja, fitojnë gratë, fëmijët burrat, intelektualët, veteranët dhe nderojmë sakrificën e dëshmorëve të këtij vendi”, ka thënë ajo.
Në këtë tubim janë prezantuar kandidatët për deputetë nga Gjakova.






















