Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon angazhimin e saj të palëkundur për përmirësimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët e saj.
Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Ali Tafarshiku ka bërë të ditur se, me një investim shtesë prej 300.000 euro, do të rehabilitohet rrjeti i ujësjellësit në fshatrat Dol, Lipovec dhe Gërçinë të Komunës së Gjakovës, duke siguruar furnizim më të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për banorët e këtyre zonave.
Ai ka theksuar se ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së Komisionit Ministror për Ndërmarrjet Publike, ku, krahas shumë kërkesave të tjera, u miratua edhe kërkesa e KRU “Gjakova” për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në këto tri fshatra.
Kjo është edhe një dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë Kurti për zhvillimin e infrastrukturës bazike në të gjitha pjesët e vendit, duke garantuar që çdo qytetar të ketë qasje në shërbime cilësore dhe moderne. Investimet e tilla jo vetëm që rrisin mirëqenien e qytetarëve, por edhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të rajoneve rurale.


