Në përvjetorin e 26-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, kryetari i Alternativës dega në Gjakovë z. Agon Dobruna ka vizituar shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga nëna Ferdonije. Ai ishte shoqëruar nga sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhija dhe anëtari i kryesisë z. Ali Tafarshiku.
Dobruna me këtë rast tha se, nëna Ferdonije Qerkezi, së cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe, qëndron e fortë. Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e kësaj nëne sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend.
“ Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se sa shumë punë ende kemi për të bërë deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve”, ka thënë Dobruna.
