Kusari- Lila për masakrën e Kralanit: Ata u zhdukën në errësirën e gjenocidit, të rrëmbyer nga një dorë e pamëshirshme që shoi jetë dhe shpresë

Masakra e Kralanit të Gjakovës është një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës pasi ka zgjatur nga data 28 mars, por që vrasjet janë bërë në datat 2,3 dhe 4 prill të vitit 1999.

“Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës, një skenë e përgjakshme e historisë sonë u shkrua me lot, me dhimbje dhe me gjak. Forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë dhunshëm disa qindra djem dhe burra nga gratë, fëmijët dhe pleqtë, të cilët i urdhëruan të largoheshin drejt Shqipërisë. Ata që mbetën prapa, mbetën në errësirën e mizorisë”, ka kujtuar kështu kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila.

Kryetarja ka theksuar po ashtu se, dy ditë më vonë, më 4 prill, pasi ishin mbajtur në një livadh, të rrethuar nga tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një pjesë e tyre u lirua. Por 86 burra, mes tyre edhe 11 të mitur, u ndaluan dhe që nga ajo ditë, asnjëri prej tyre nuk u pa më.

“Ata u zhdukën në errësirën e gjenocidit, të rrëmbyer nga një dorë e pamëshirshme që shoi jetë dhe shpresë. Por emrat e tyre nuk janë shuar. Ata jetojnë në kujtesën tonë, në dhembjen tonë kolektive. Kjo tragjedi nuk duhet të harrohet, sepse Kralani nuk është thjesht një histori, është një plagë që ende kullon”, është shprehur Kusari Lila.

Lavdi!

Shpërndaj në:

Kontakti

Jeni abonuar me sukses Error

© 2024 Alternativa e Kosovës