Ministrja e MINTI-it znj. Mimoza Kusari- Lila, kryetare e Alternativës priti në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesinë e saj znj. Anu Prattipati, ku u theksua mbështetja jetike amerikane për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Kosova.
Gjatë diskutimit u trajtua tërheqja e investimeve nga kompanitë amerikane dhe organizimi i “American Business Day” si platformë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes nën udhëheqjen e ministrit z. Ejup Maqedonci, duke e cilësuar partneritetin Kosovë–ShBA si garanci për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.
“Mbështetja amerikane për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat dhe përmirësimin e klimës së biznesit mbetet jetike për të ardhmen e vendit tonë. Me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve nga kompanitë amerikane në Kosovë, biseduam edhe rreth nismës për organizimin e “American Business Day”, si një platformë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, ka bërë të ditur ministrja Mimoza Kusari-Lila.
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua projektligjit për Industrinë e Mbrojtjes, përfshirë strukturën dhe mekanizmat e paraparë në këtë legjislacion, të cilin po e zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes, nën udhëheqjen e ministrit z. Ejup Maqedonci”, ka thënë ajo.
“Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më shumë se diplomaci — është një vizion i përbashkët për zhvillim, investime dhe mundësi të reja për ndërmarrësit tanë”, ka theksuar Kusari-Lila.
Ajo ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fortë mbetet garanci e rëndësishme për një të ardhme të sigurt dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
“Kosova vazhdon të ecë përpara, me partnerë të fuqishëm krah saj”, ka përfunduar ministrja.




