Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në lexim të parë Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore në raste të destabilizimit të tregut. Ministrja e MINTI-it, kryetare e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka falënderuar deputetët për mbështetjen dhe përgjegjësinë e treguar ndaj qytetarëve. “Ky projektligj përmban tri shtylla kryesore: – Mbrojtje të drejtpërdrejtë të konsumatorit, shteti nuk mbetet spektator kur çmimet dalin jashtë kontrollit – Ndërhyrje të kufizuar dhe të përkohshme, vetëm në situata të jashtëzakonshme, me masa të qarta si marzha dhe çmimi maksimal – Mbikëqyrje dhe llogaridhënie më e fortë përmes Bordit të Pavarur që raporton në Kuvend”, ka bërë të ditur ministrja. “Ky është një ligj për drejtësi në treg, për siguri për qytetarët dhe për përgjegjësi institucionale”, ka theksuar Kusari-Lila.
Kryetari i degës së Alternativës në Prishtinë Thaçi, takohet me Nikollë Camaj në Podgoricë
Nënkryetari i Alternativës dhe kryetar i Degës së Alternativës në Prishtinë, z. Skender Thaçi, ka qëndruar për vizitë në Podgoricë të Malit të Zi. Gjatë kësaj vizite, ai u takua me z. Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe një nga figurat kryesore politike që përfaqëson komunitetin shqiptar në institucionet shtetërore të Malit të Zi, si dhe pjesë e Forumit Shqiptar. Në këtë takim miqësor dhe konstruktiv, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, zhvillimet politike aktuale, si dhe për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe koordinimit në funksion të forcimit të rolit të shqiptarëve në rajon. Shqiptarët në të gjitha shtetet e rajonit frymojnë bashkë, ndajnë vlera të përbashkëta dhe synojnë zhvillim, stabilitet dhe përfaqësim dinjitoz kudo që jetojnë.
Alternativa nderon viktimat e 2 prillit në Gjakovë
Alternativa, dega në Gjakovë në 27 vjetorin e vrasjes dhe masakrimit të 20 viktimave nga forcat serbe kanë bërë homazhe pranë varrit të përbashkët dhe kanë takuar familjarët e tyre. “27 vite më parë, në mesnatën mes 1 dhe 2 prillit, forcat policore dhe paramilitare serbe hynë në shtëpinë e familjes Vejsa, ku vranë dhe dogjën të gjallë anëtarë të familjeve Vejsa, Caka, Gashi, Hoxha, Haxhiavdija, Nuçi dhe Cana. Masakra e 1 dhe 2 prillit mbetet një ndër krimet më të rënda të luftës së viteve 1998–99 dhe një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën kolektive të popullit shqiptar të Kosovës. Sot, përfaqësues të degës së Alternativës në Gjakovë morën pjesë në homazhe për të nderuar martirët e lirisë. Lavdi jetës dhe sakrificës së të gjithë dëshmorëve dhe martirëve që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë!”, janë shprehur ata. Edhe kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka kujtuar këtë përvjetor, duke u shprehur se është e pamundur të mos tronditet kushdo që kujton dëshmitë e asaj nate tragjike, trupa të karbonizuar, jetë të shuara mizorisht dhe familje të tëra të djegura në shtëpitë e tyre Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Nga foshnjat 2 vjeç e deri te të moshuarit 75 vjeç, askush nuk u kursye. “Gjakova nuk harron, kujtesë që dhemb dhe thërret për drejtësi. Me dhimbje të thellë përkujtojmë viktimat e 1 dhe 2 prillit 1999, një plagë që mbetet e hapur në ndërgjegjen tonë kolektive. Krimet e luftës, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk i përkasin së kaluarës derisa drejtësia të vihet në vend. Është e pamundur të mos tronditet kushdo që kujton dëshmitë e asaj nate tragjike, trupa të karbonizuar, jetë të shuara mizorisht dhe familje të tëra të djegura në shtëpitë e tyre Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Nga foshnjat 2 vjeç e deri te të moshuarit 75 vjeç, askush nuk u kursye. Një nga krimet më të tmerrshme ndodhi 27 vjet më parë në bodrumin e familjes Vejsa, ku 20 gra, fëmijë dhe një burrë u vranë dhe më pas u dogjën, në një akt çnjerëzor që synonte të zhdukte jo vetëm jetët, por edhe kujtesën e tyre. Por kujtesa nuk shuhet. Emrat e tyre mbeten të gdhendur në historinë e Kosovës si dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës sonë. Ata nuk janë vetëm viktima të një regjimi kriminal, por simbol i sakrificës dhe i forcës që sot na obligon të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë. Në këtë përvjetor, përkulemi me respekt para kujtimit të tyre dhe ritheksojmë thirrjen që drejtësia të vihet në vend. Dhimbja mbetet, por edhe përgjegjësia për të mos heshtur kurrë. Kujtimi i tyre jeton çdo ditë në zemrat tona dhe na kujton se e vërteta nuk duhet të harrohet. Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë, të Gjakovës dhe gjithë Kosovës!”, ka kujtuar kryetarja Kusari Lila.
Ministrja Kusari-Lila: E ardhmja e inovacionit do të ndërtohet nga gra të guximshme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në Prizren në aktivitetin “She Innovates”, ku u vu në pah energjia, guximi dhe potenciali i grave në inovacion dhe sipërmarrje. Ky aktivitet, i organizuar për herë të parë nga Innovation Centre Kosovo (ICK), STIKK dhe Innovation and Training Park (ITP), u cilësua si një kujtesë se transformimi digjital nuk ka kuptim të plotë pa pjesëmarrjen e barabartë të grave. Sipas ministres, gjithnjë e më shumë gra po krijojnë vetë mundësi, duke ndërtuar biznese, duke hyrë në teknologji dhe duke udhëhequr me vizion, edhe në kushte sfiduese. Ajo theksoi se sektori i ICT në Kosovë përfaqëson një histori suksesi që ka lindur nga nismat e sektorit joqeveritar, bizneset dhe talenti i të rinjve, por shtoi se tashmë ky sektor ka hyrë në një fazë të re, ku kërkohet kanalizim më i mirë përmes politikave të qarta, mbështetjes financiare dhe mekanizmave institucionalë që mundësojnë rritje të mëtejshme dhe zhvillim të ideve kreative. Ministrja u shpreh se Kosova ka një mundësi të artë për të promovuar historitë e suksesit, veçanërisht ato të vajzave dhe grave në inovacion, duke prezantuar një imazh kreativ, inovativ dhe me potencial të vendit. Gjatë takimeve, ajo i inkurajoi pjesëmarrëset që të vazhdojnë të besojnë në veten dhe idetë e tyre, edhe përballë pengesave, duke theksuar se shpesh dallimi nuk qëndron te mungesa e mundësive, por te vendosmëria për të vazhduar. Në fund, ministrja theksoi përgjegjësinë e institucioneve për të krijuar më shumë hapësirë, mbështetje dhe mundësi konkrete për gratë sipërmarrëse dhe inovatore, duke shprehur bindjen se e ardhmja e inovacionit në Kosovë do të ndërtohet nga gra të guximshme.
Urime për Fitër Bajram
Përfaqësues nga Alternativa të prirë nga kryetarja znj. Mimoza Kusari-Lila vizituan Bashkësinë Islame të Gjakovës me rastin e përmbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, ku u pritën nga kryetari Dr. Valon Myrta dhe Kryesia. Ata shprehën urimet më të sinqerta, duke theksuar rëndësinë e rolit të Bashkësisë Islame në forcimin e vlerave shpirtërore dhe solidaritetit në shoqëri. U urua që Fitër Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe begati për të gjitha familjet. “Me bashkëpunëtorët nga Alternativa vizituam Bashkësinë Islame të Gjakovës për të uruar me rastin e përmbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, ku u pritëm nga Kryetari Dr. Valon Myrta dhe Kryesia e kësaj bashkësie. Shprehëm urimet tona më të sinqerta me shpresën që lutjet dhe agjërimi të jenë pranuar, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e rëndësishëm që Bashkësia Islame ka në forcimin e vlerave shpirtërore dhe solidaritetit në shoqëri”, ka thesuar Kusari-Lila. Ajo ka uruar që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe begati në çdo familje, si dhe të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Gëzuar Fitër Bajramin!
Bashkim Sefaja në Mitrovicë dhe Edona Bakraqi në Pejë zgjidhen kryatarë të degëve të Alternativës
Alternativa ka vazhduar procesin e zgjedhjeve të brendshme nëpër degë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të strukturave dhe rritjes së përfaqësimit demokratik. Në Kuvendin Zgjedhor të Degës në Mitrovicë me votat e anëtarëve të pranishëm, kryetar i degës është zgjedhur Bashkim Sefaja. Ndërkaq, në Pejë, me shumicë votash, Kuvendi Zgjedhor ka zgjedhur Edona Bakraqin si kryetare të degës. Gjatë këtyre kuvendeve janë zgjedhur edhe strukturat drejtuese të degëve, duke reflektuar vullnetin dhe besimin e anëtarësisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme do të vazhdojë ditët në vijim. Alternativa Liberale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të sjellë më shumë cilësi dhe përgjegjësi në jetën politike të Republikës së Kosovës.
Skender Thaçi kryetari degës së Alternativës në Prishtinë
Anëtarët e Alternativës në Prishtinë kanë mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturave organizative. Me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, kryetar i degës u zgjodh z. Skender Thaçi. Në këtë mbledhje u zgjodhën edhe strukturat drejtuese, duke reflektuar vullnetin dhe besimin e plotë të anëtarësisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme do të vazhdojë edhe në komunat tjera. Alternativa Liberale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për të sjellë më shumë cilësi në jetën politike të Republikës së Kosovës.
Getoar Shehu kryetar i degës në Prizren, ndërsa në Gjakovë Drita Buza
Alternativa ka nisur procesin e zgjedhjeve të brendshme nëpër degë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të strukturave dhe rritjes së përfaqësimit demokratik. Në Kuvendin Zgjedhor të Degës në Gjakovë, me votat e anëtarëve të pranishëm, kryetare e degës është zgjedhur Dr. Drita Buza. Ndërkaq, në Prizren, me shumicë votash, Kuvendi Zgjedhor ka zgjedhur Getoar Shehun si kryetar të degës. Gjatë këtyre kuvendeve janë zgjedhur edhe strukturat drejtuese të degëve, duke reflektuar vullnetin dhe besimin e anëtarësisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme do të vazhdojë ditët në vijim në komunat e tjera, si pjesë e angazhimit tonë për një organizim më të fuqishëm dhe më përfaqësues. Alternativa Liberale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të sjellë më shumë cilësi dhe përgjegjësi në jetën politike të Republikës së Kosovës.
Kusari-Lila ka pritur në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, ka pritur në takim përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave, me të cilat ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në funksion të fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë. Gjatë takimit, është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm në nivel qendror dhe lokal, si dhe janë trajtuar sfidat me të cilat gratë vazhdojnë të përballen në tregun e punës, përfshirë barrierat për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet ekonomike. Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuese të organizatave të shoqërisë civile, përfshirë Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Iliriana Jaka Gashi nga Women for Women, Nora Latifi nga GAP, Brikena Hoxha nga IKS dhe Rrezarta Krasniqi nga D4D. Në takim u theksua nevoja për rritjen e pjesëmarrjes aktive të grave në ekonomi dhe për krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre profesional dhe ndërmarrës. Ministrja Kusari-Lila ritheksoi përkushtimin e ministrisë për të mbështetur politika që krijojnë kushte më të favorshme për gratë në vendin e punës, si dhe për të inkurajuar sektorin privat që të ndërtojë ambiente pune më gjithëpërfshirëse. Sipas saj, fuqizimi ekonomik i grave dhe rritja e përfaqësimit të tyre në biznes janë elemente kyçe për ndërtimin e një ekonomie më të fortë dhe një shoqërie më të drejtë.
Në Toronto, takime me institucione dhe përfaqësues të sektorit minerar
Në kapacitetin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës, po qëndron në Toronto, ku po merr pjesë në Prospectors & Developers Association of Canada Convention (PDAC), konferencën më të madhe në botë për eksplorimin minerar, së bashku me ministren e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli dhe me mbështetjen e Commercial Law Development Program të United States Department of State. Kusari-Lila ka thënë se, gjatë qëndrimit në Kanada, po zhvillon takime me përfaqësues institucionesh dhe korporatash pjesëmarrëse për të shqyrtuar mundësitë e zhvillimit minerar në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit me shtete partnere strategjike. “Për herë të parë në Konferencën Botërore të Minierave në Toronto, Kanada. Bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me mbështetjen e CLDP (Commercial Law Development Program) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së , po takojmë përfaqësues të institucioneve dhe korporatave pjesëmarrëse në konferencën vjetore, për të vlerësuar mundësitë e zhvillimit minerar në Kosovë dhe bashkëpunimin me shtete partnere strategjike për vendin dhe sektorin”, ka theksuar ajo. “Konferenca Prospectors & Developers Association of Canada (PDAC) organizon ngjarjen më të madhe në botë për eksplorimin minerar, e cila zhvillohet në Toronto dhe lidhet ngushtë me bursën minierave dhe metaleve të Torontos (TSX dhe TSX Venture)”, ka bërë të ditur ajo.











