Sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhija bashkë me anëtaret e kryesisë, Edona Bakraqi, Sibora Kadriu dhe Lulzime Saraqini, sot morën pjesë në takimin e përbashkët me përfaqësueset e grupeve të grave të subjekteve politike partnere, Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe partisë Guxo. Në takim morën pjesë, nënkryetarja e Lëvizjes, Mrika Limani-Myrtaj, kryetarja e Grave për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, anëtarja e kryesisë, Saranda Bogujevci, sekretarja e GVV-së, Agnesa Kastrati si dhe nënkryetarja e partisë Guxo, Jeta Statovci bashkë me sekretaren e përgjithshme Triera Kasumi. Në këtë takim u diskutua për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në të cilat zgjedhje ne jemi së bashku. U theksua vullneti nga të tria palët për bashkëpunim në të gjitha nivelet, veçmas që si gra e vajza të jemi bashkë në secilin organizim nga programi politik e deri tek aktivitetet në teren duke e bashkërenduar secilin hap, para dhe gjatë fushatës elektorale. Jemi bashkë si subjekte politike, jemi bashkë si gra në politikë, jemi së bashku me të gjitha vajzat e gratë gjithandej Kosovës.
Në Pejën e bukur të traditës artistike u promovua monografia kushtuar doajenëve të teatrit dhe muzikës “Teatri dhe arti muzikor në Pejë ndër vite e shekuj” e autorit, Dr. Reshat Nurboja.
Në Pejën e bukur të traditës artistike u promovua monografia kushtuar doajenëve të teatrit dhe muzikës “Teatri dhe arti muzikor në Pejë ndër vite e shekuj” e autorit, Dr. Reshat Nurboja. Kënaqësi e veçantë të takoj artëdashës të këtij qyteti me kulturë shekullore, këngëtar që ruajnë me fanatizëm muzikën autoktone, aktorë që kanë lënë gjurmë në artin skenik e familjarë të atyre që nuk jetojnë më por që arti i tyre frymon kudo. Në monografi pasqyrohen 77 shfaqje me mbi 100 fotografi, disa qindra aktore e aktorë të cilët ndër dekada pasuruan jetën artistike të Pejës. E në kapitullin e artit muzikor pasqyrohen afro 100 fotografi e mbi 50 biografi të këngëtarëve, kompozitorëve e këngëshkruesve emblematik të Pejës. Okteti Peja, Nazmi Morina, Vëllaznim Lata e Vëllaznim Sinani me interpretimet e tyre dëshmuan se shpirti artistik i njerëzve të këtij qyteti vazhdon të jetë pasaportë autentike e kulturës kombëtare.
E ftuar sonte në ATV, prej orës 20:30. Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Takimi i 56-të i Këshillit të Përgjithshëm të LVV: Diskutim mbi të arriturat e Qeverisë Kurti dhe rrugëtimin e përbashkët politik me Alternativën dhe Partinë Guxo
Sot, në cilësinë e Kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryetares së Alternativës, bashkë me bashkëpunëtorët nga Alternativa, ishim mysafirë në mbledhjen e 56-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, partnerit tonë të madh të koalicionit qeverisës.Në ditën e parë të kësaj mbledhjeje po zhvillohet një diskutim përmbajtësor mbi të arriturat e deritanishme të Qeverisë Kurti dhe legjislaturës së VIII të Kuvendit të Republikës me më së shumti ligje të miratura nga të gjitha legjislaturat e deritashme.Alternativa dhe Partia Guxo, të bashkuara në një listë me Lëvizjen Vetëvendosje, janë të përcaktuara të vazhdojnë rrugëtimin politik së bashku në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të përshpejtuar në mandatin e ri zhvillimet pozitive për vendin, që nga shtrirja e sovranitetit dhe ligjshmërisë në vend, deri tek forcimi i ekonomisë, ngritja e shërbimeve për qytetarët dhe gjithëpërfshirja në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.Një ditë e mbarë dhe një proces pozitiv për Kosovën tonë!
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, sot në KTV në emisionin 60 minuta në ora 17:00
Takim njoftues mes znj. Mimoza Kusari Lila dhe Ambasadorit të BE-së në Kosovë, Aivo Orav
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari -Lila, shefe e grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, priti në takim njoftues Ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë, Aivo Orav. Diskutuan për përkushtimin e Kosovës ndaj agjendës së BE-së, sfidat dhe sukseset në këtë mandat legjislativ, si dhe mundësitë e bashkëpunimit për avancimin e prioriteteve legjislative, duke përfshirë projektligjet e rëndësishme për agjendën dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Ambasadori Orav theksoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit tonë, duke përfshirë edhe mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kusari- Lila rikonfirmoi se agjenda jonë parlamentare është e përkushtuar që Kosova të ecë përpara në rrugën e integrimit në BE, duke sjellë rezultate konkrete për qytetarët.
Përurimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë: Një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit në rajon
Sot u përurua objekti i ri i Gjykatës Themelore në Gjakovë nga Kryeministri i Republikës, Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Para dhjetë vitesh, në Komunën e Gjakovës kishim ndarë parcelat për ndërtimin e objektit të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore, pranë stacionit policor dhe Drejtorisë së rajonit të sapoformuar të Gjakovës. Me inaugurimin e sotëm të objektit të Gjykatës Themelore, kompletohet infrastruktura e organeve të rendit dhe sundimit të ligjit për rajonin e Gjakovës. Jam e lumtur që isha pjesë e procesit të krijimit të kësaj infrastrukture dhe kushteve të mirëfillta për sistemin e drejtësisë. Le të jetë ky inaugurim një ogur i mirë për mbarëvajtjen dhe sundimin e rendit dhe ligjit në rajonin e Gjakovës dhe në gjithë Kosovën.
Homazhe për Gurakuq Dobrunën-Kuqi: Kujtojmë vizionin dhe trashëgiminë e Kryetarit të parë të Alternativës në Gjakovë
Sot në 4 vjetorin e përjetësimit, kujtuam Gurakuq Dobrunën- Kuqi, kryetarin e ndjerë të Alternativës në Gjakovë, bashkëpuntorin dhe mikun tonë. Me këtë rast, kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila, bashkëpuntorë dhe familjarë, bënë homazhe pranë varrit të kryetarit të parë të degës së Alternativës në Gjakovë. Çdo aktivitet pa Kuqin vetëm sa e tregon boshllëkun që la pas mungesa e tij fizike. Por, çdo herë Kuqi do jetë pjesë e jona me veprat dhe vizionin që la pas. Të past dritë shpirti në përjetësi!
Përurimi i rrugës së re që lidh Kosovën me Shqipërinë: Një Hap përpara në bashkëpunimin dhe zhvillimin e zonës kufitare
Komuna e Gjakovës në territorin e saj ka 18 fshatra në zonën kufitare me Shqipërinë dhe deri më sot dy vendkalime kufitare, Qafë Morinën dhe Qafën e Prushit. Gjatë mandatit tim si kryetare e Komunës së Gjakovës në vitin 2016, kemi iniciuar ndërtimin e rrugës Dol – Kusar – Goden, me synimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës në anën tjetër të kufirit shqiptar dhe hapjen edhe të një rruge të përbashkët.Segmentit rrugor prej 12 kilometrash në anën e Kosovës të përfunduar para disa viteve, muajin e kaluar iu shtua edhe segmenti prej 13 kilometrash në anën e Shqipërisë, investim i Qeverisë së Shqipërisë, i cili lidh Godenin e Kosovës me Dobrunë-Blinisht – Hasin e Shqipërisë.Hasit në të dy anët e kufirit iu rikthye lidhja e natyrshme, duke mundësuar lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e banorëve të zonës kufitare.Sot, bashkë me Ministrin Liburn Aliu, Zv/Ministrat Hysen Durmishi dhe Ali Tafërshiku, ish-Kryeministrin dhe deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetarin e Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj dhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Skender Durmishin, si dhe ish ambasadorin Qemal Minxhozi me zyrtarë qeveritarë lokalë të Bashkisë Has, përuruam këtë projekt i cili hap një rrugë të re për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët të kombit.Bukuria dhe potenciali i zonës për turizëm dhe zhvillim ekonomik, përmes potencialit të energjisë së ripërtritshme, është i madh dhe me vlerë për të dy shtetet. Prandaj, kjo rrugë është vetëm një nismë fillestare pas së cilës do të pasojnë edhe shumë projekte të tjera përmbajtësore, të cilat do të ndikojnë në përparimin jo vetëm të zonës së Hasit dhe Malësisë së Gjakovës, por do të rrisin bashkëpunimin dhe ndërvarësinë e dy shteteve simotra.Pengesat dhe ndalesat e dikurshme, po i kthejmë në rrugë të reja dhe mundësi zhvillimi.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, në takim me Presidenten për datën e zgjedhjeve parlamentare: Propozohen 9 ose 16 Shkurt
Sot, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila ishte e ftuar në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë. Ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës.Gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës znj. Mimoza Kusari Lila e ritheksoi gatishmërinë e mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta. Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklaroi se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor.Alternativa mbetet e përkushtuar në avancimin e agjendës liberale progresive dhe dinamizimin e agjendës zhvillimore të shtetit.