Kryetarja e Alternativës, Deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar të premten opozitën pas dështimit të 45-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se seanca konstituive sipas rregullores nuk parasheh debat parlamentar, por vetëm proces votimi, ndërsa opozita nuk po merr pjesë në votim dhe po mban diskutime, gjë që sipas saj është shkelje e rregullores. “Është e qartë në rregullore se seanca konstituive nuk parasheh debat parlamentar. Ka vetëm proces votimi. Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje të dytë”, tha Kusari-Lila.
Alternativa mirëpret dy personalitete të fushave të ndryshme me përvojë të gjatë profesionale
Alternativa ka kënaqësinë të mirëpresë në radhët e saj z. Merkur Beqiri, profesionist me përvojë të gjatë ndërkombëtare në fushën e zhvillimit, teknologjisë, bujqësisë/pylltarisë dhe të shëndetësisë publike dhe znj. Ganimete Pashoja-Myftiu e cila sjell me vete mbi më shumë se 2 dekada përvojë profesionale në fushën e menaxhimit institucional, gjuhësisë, analizës, me një karrierë të ndërtuar në institucione dhe organizata përfshirë USAID, UNHCR dhe Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z. Merkur Beqiri ka mbi tri dekada të angazhim profesional në më shumë se 15 shtete të botës, përfshirë bashkëpunimin me agjencitë më të njohura të Kombeve të Bashkuara si UNHCR, ËHO, FAO dhe ËB. Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave, hartimin e politikave zhvillimore dhe udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara përfaqëson një vlerë të veçantë për platformën tonë politike dhe Kosovën si shtet. Me formim akademik në inxhinieri dhe një karrierë të gjatë përfshirë edhe digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe arsimin, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe nisma pioniere në fushën e digjitalizimit të gjuhës shqipe dhe edukimit teknologjik. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare dhe në veçanti gjatë pandemisë COVID-19 është vlerësuar nga komuniteti profesional dhe ndërkombëtar dhe ndihmoi në menaxhimin më të mirë duke shpëtuar jetë dhe kursyer resurse. Ndërsa znj. Pashoja Myftiu ka qenë pjesë e misioneve paqësore dhe atyre për ndërtimin dhe demokratizimin e shteteve të Evropës Juglindore. Ekspertiza e saj si gjuhëtare e Kategorisë III për gjuhët shqipe, serbo-kroaste dhe angleze përbën një përvojë të veçantë në fushën e komunikimit ndërkulturor dhe mbështetjes institucionale. Znj. Ganimete Pashoja-Myftiu është autore e disa botimeve akademike dhe dokumentare. Përkushtimi i saj ndaj çështjeve të arsimit, drejtësisë sociale dhe zhvillimit komunitar përputhet me vlerat dhe objektivat tona programore si parti liberal-demokrate. Më shumë se kaq ajo është e njohur si aktiviste e paepur për sensibilizimin e familjeve dhe personave me varshmëri në shoqërinë kosovare.
Humbje e madhe ndarja nga jeta e zjarrfikësit, Kaqun Lima
Ngushëllime të thella ka shprehur kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila me rastin e ndarjes nga jeta të zjarrfikësit Kaqun Lima. Me pikëllim të thellë morrën lajmin për ndarjen nga jeta të Kaqun Limës, shefit të operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës. Ai humbi jetën tragjikisht në një aksident gjatë orarit të punës, në përpjekje për të shpëtuar të tjerët – ashtu siç kishte bërë gjithmonë, me përkushtim dhe guxim të jashtëzakonshëm. Kaquni në mesin e kolegëve njihej si hero i vërtetë, një njeri që e jetoi jetën në shërbim të të tjerëve, mishërim i trimërisë, sakrificës dhe përkushtimit”, është shprehur ajo. “Në këtë moment të rëndë, jemi pranë familjes së tij me zemër e me lutje. U shprehim ngushëllimet më sinqerta familjes Lima, kolegëve të Kaqunit dhe gjithë atyre që e njohën dhe u prekën nga kjo humbje e madhe. U prehsh në paqe, Kaqun!”, ka theksuar Kusari-Lila.
Sporti si mision shtetëror, Alternativa afër Komitetit Olimpik
Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila ka vizituar të martën Komitetin Olimpik të Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga deputetja znj. Jeta Statovci. Gjatë takimit, presidenti z. Ismet Krasniqi i falënderoi deputetet për vizitën në KOK dhe i njohu ato me të arriturat e sportit kosovar, veçanërisht me medaljet olimpike që sportistët kanë fituar ndër vite dhe rolin e tyre të madh në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “E vlerësojmë lart punën, përkushtimin dhe angazhimin e pandalur të gjithë stafit të KOK-ut për promovimin dhe gjithëpërfshirjen e sportit në jetën e qytetarëve të Kosovës. Promovimi i vendit tonë, i vlerave dhe i talentit të sportistëve kosovarë ka arritur majat botërore, por ende nevojitet punë dhe angazhim për masivizimin e aktivitetit fizik në të gjitha disiplinat. Bashkë me Presidentin Krasniqi, biseduam për sfidat ligjore dhe mundësitë efektive për tejkalimin e tyre, veçanërisht në raport me realizimin e suksesshëm të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një projekt me rëndësi të madhe për shtetin tonë të ri’, është shprehur Kusari-Lila. Nga KOK kanë theksuar se deputetja Kusari-Lila, është e njohur për angazhimin e saj në sport si pjesëmarrëse e rregullt në gjysmëmaratonën e Prishtinës e në vrapime të tjera të organizuara, duke shërbyer si shembull dhe frymëzim për të rinjtë që të jenë aktivë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit.
Takim Kusari-Lila – Osmani: Angazhim për zgjidhjen e ngërçit parlamentar
Në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për situatën në Kuvend, Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka takuar Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. “Biseduam hapur për zhvillimet e fundit dhe mundësitë konkrete për konstituimin e Kuvendit, duke u bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Të vetëdijshme se të gjithë deputetët kemi një obligim kushtetues për ta mundësuar funksionimin e institucioneve, u pajtuam që të angazhohemi me vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë situatë dhe për të ecur përpara brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata”, është shprehur Kusari-Lila. “Besoj se me bashkëpunim dhe përgjegjësi do ta gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë”, ka theksuar ajo.
Patrioti, veprimtari e ndërmarrësi Skender Thaçi i bashkohet Alternativës
Alternativa ka mirëpritur z. Skender Thaçi – humanist, atdhetar, ndërmarrës vizionar dhe filantrop i palodhur. Një bashkim me vlerë për të ardhmen e vendit! “Është një emër që flet për dashuri ndaj atdheut, përkushtim ndaj zhvillimit dhe kontribut pa interes personal në çlirimin e vendit, rindërtimin e tij dhe promovimin e pandalshëm të shtetit të Kosovës. Me rrënjë në Shqipëri e Malësi, i rritur në Kosovë dhe me veprimtari në Kroaci, Austri e më gjerë, Skenderi ka qenë gjithmonë i lidhur me kauzën shqiptare, me vendin, me njerëzit”, është shprehur kryetarja znj. Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka theksuar se, puna e tij në biznes, ndihmesa e vazhdueshme në çështjen kombëtare dhe zemra e një filantropi të rrallë janë dëshmi e përkushtimit që sjell sot në Alternativë. “Me patriotë të tillë si Skender Thaçi, idetë për çuarjen përpara të vendit janë të pashmangshme,” u shpreh kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Me familjen si themel, me idealin si busull dhe me veprën si frymëzim për gjeneratat që vijnë – Skenderi i bashkohet sot Alternativës, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një shoqërie më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar. “Me ty marrim një tjetër hap të madh drejt një agjende zhvillimore me rrënjë në histori, por të orientuar drejt së ardhmes, mirë se vjen në Alternativë”, është shprehur kryetarja Kusari-Lila.
“Kjo situatë nuk sjell ndjesi të mirë, pakënaqësitë janë në rritje”, ka thënë Kusari-Lila pas takimit me Kurtin dhe liderët tjerë politik
Në konferencë për media pas takimit që patën të shtunën me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë. “Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo. Kryetarja Kusari-Lila ka theksuar se ka propozuar për ta hedhur në votim çështjen e asaj se si duhet të procedohet tutje, pra për mënyrën e votimit, por as këtë ofertë nuk e kanë pranuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin
Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila, para nisjes së vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, të premten ka folur rreth nevojës për një qasje konstruktive, pasi siç ka thënë ajo, inati nuk të çon askund. “Inati nuk sjell asnjëherë, asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Vendimi i Gjykatës rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues
“Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66- të Kushtetutës”, kështu është shprehur kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, të enjten, që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Ajo ka shtuar se, interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë), nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. “Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues. Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim. Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive. Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Dalim vetëm në zgjedhje lokale, partneriteti me VV mbetet në nivel qendror
Kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Mimoza Kusari-Lila e ftuar në emisionin DPT te Fidani, mes tjerash ka folur edhe për në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit për çka ka theksuar se do të garojnë si subjekt politik, vetëm. Ajo vënë në pah faktin se, në nivelin qendror nuk do të ndërrojë asgjë lidhur me koalicionin e tanishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE “Për mu si kryetare e Alternatives është një sfidë, por e paraqet një mundësi të re për me dal prej fazës ku ti rri në listë në parti të madhe, me pa forcën politike, kapacitetin politik dhe strukturave tuaja, dhe natyrisht edhe mundësinë me shpërnda frymën liberale dhe mendimin, dhe qëndrimet tana në raport mne zhvillimin dhe vizionin tanë që nuk është domodoshmërisht i lidhur me VV”, tha Kusari – Lila. “Është Lëvizja VETËVENDOSJE ajo që ka vendos këtë për zgjedhjet lokale. Ky diskutim është pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Domethënë kjo është një temë që nuk është risi për ne, edhe pse mundet me qenë për opinionin publik”, është shprehur ajo mes tjerash.











