Alternativa organizoi një tryezë diskutimi me temën “Potenciali dhe promovimi i turizmit në Kosovë”, me pjesëmarrjen e ekspertëve të fushës dhe përfaqësuesve të sektorit privat. Panelistët në këtë takim ishin: Skender Thaçi, Halim Gjergjizi, Ylber Rudi dhe Lavdi Zymberi. Takimi u zhvillua në një frymë profesionale dhe larg diskutimeve të zakonshme politike, me qëllim ndërtimin e një vizioni zhvillimor për sektorin e turizmit në Kosovë. Në qendër të diskutimeve ishte potenciali i jashtëzakonshëm që ofron vendi ynë, si dhe domosdoshmëria për një qasje të strukturuar dhe gjithëpërfshirëse për zhvillimin e tij. Pikat kyçe të diskutimit përfshinë: Turizmi malor dhe roli i sektorit privat – Me 63% të territorit që përfshinë bjeshkë dhe reliev malor, Kosova ka një potencial të madh për turizëm natyror. Sektori privat ka kontribuar ndjeshëm në këtë drejtim, por mungon mbështetja institucionale. Trashëgimia natyrore, kulturore dhe historike – U theksua rëndësia e këtyre vlerave si themel për ndërtimin e një identiteti turistik autentik dhe konkurrues. Nevoja për industrializim të menaxhuar të turizmit – Pavarësisht pozitës strategjike, Kosova përballet me degradim të hapësirave natyrore e kulturore. Panelistët propozuan një qasje të qëndrueshme që ruan autenticitetin. Diversifikimi i llojeve të turizmit dhe përmirësimi i imazhit ndërkombëtar – Nga turizmi malor e deri tek ai i errët (dark tourism), u theksua nevoja për ndërtimin e një narrative të re, moderne dhe pozitive për vendin. Orari i institucioneve kulturore – U propozua që muzetë dhe qendrat historike të jenë të hapura edhe gjatë fundjavës për të plotësuar kërkesat e turistëve. Strukturim institucional – Një nga rekomandimet kyçe ishte krijimi i Agjencisë Kombëtare për Turizëm, e cila do të bashkërendonte politikat dhe aktivitetet e fushës duke bashkuar departamente të ndara në ministri të ndryshme. Guidat turistike dhe licencimi i tyre – U ngrit shqetësimi për keqinformimin nga guidat e huaja dhe u kërkua përmirësim i kuadrit ligjor për licencim dhe trajnimin e guidave lokale. Lehtësira fiskale – U përmend si propozim ulja e TVSH-së për shërbimet që lidhen me turistët e huaj, për të rritur konkurrueshmërinë dhe atraktivitetin e Kosovës si destinacion. Bashkëpunimi ndërinstitucional – U theksua rëndësia e përfshirjes së institucioneve sportive dhe akademike në zhvillimin e turizmit sportiv dhe rekreativ, si pjesë e strategjisë kombëtare. Synimet strategjike të Alternativës për turizmin përfshijnë: Themelimin e Agjencisë Kombëtare për Turizëm si institucion udhëheqës. Krijimin e qendrave për informim turistik në çdo komunë. Zhvillimin e një platforme digjitale gjithëpërfshirëse për turizmin në Kosovë. Lidhjen e pikave turistike me transportin, akomodimin dhe shërbimet ndihmëse. Patentimin dhe promovimin e produkteve tradicionale si pjesë e ofertës turistike. Alternativa do të vazhdojë të trajtojë temat me rëndësi kombëtare me seriozitet dhe profesionalizëm, duke ofruar alternativa konkrete dhe të zbatueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gratë e Prizrenit që po ndërtojnë të ardhmen me rrënjë në traditë, Kusari-Lila vizitoi Ajtene Krasniqin dhe Ergyl Gjurgjealo
Në Prizrenin e traditës, shkencës dhe inovacionit, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, vizitoi dy gra frymëzuese që po lënë gjurmë të thella në ruajtjen e vlerave dhe krijimin e risive në këtë qytet të pasur me histori dhe ide. “Zonja Ajtene Krasniqi, me pasion dhe përkushtim, na rrëfeu rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm në kërkimin dhe prodhimin e ilaçeve natyrale dhe suplementeve ushqimore me bazë bio. Me vizion dhe besim në fuqinë e natyrës, ajo po kontribuon në përmirësimin e shëndetit dhe promovimin e një kulture të re të shërimit natyral”, ka theksuar ajo pas vizitës te shkencëtarja Ajtene Krasniqi. “Artizanja Ergyl Gjurgjealo, me dashuri e fanatizëm, po ruan dhe promovon plisin – simbolin e identitetit kombëtar – të cilin familja Gjurgjealo e punon që nga viti 1912, duke përfshirë katër gjenerata që kanë mjeshtëruar artin e ruajtjes së vlerave dhe traditës. Pavarësisht sfidave të shumta, ajo vazhdon me krenari të punojë, duke i dhënë jetë traditës dhe shpirtit shqiptar, ndërsa kërkon mënyra për zgjerimin e prodhimit dhe zhvillimin e produkteve me bazë të njëjtë me plisin”, ka thënë ajo pas vizitës te artizanja Ergyl Gjurgjealo. Kusari Lila ka theksuar se, këto dy gra janë shembuj të vërtetë të fuqisë krijuese dhe frymëzimit për një të ardhme me rrënjë të forta dhe vizion të gjerë. “Vizioni dhe misioni i Alternativës bazohet pikërisht në këto vlera: promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, ruajtjen e mjedisit dhe ndërtimin e politikave miqësore ndaj natyrës; mbështetjen e inovacionit, fuqizimin e prodhimit vendor, rritjen e eksportit dhe punësimit në Kosovë; si dhe fuqizimin ekonomik të grave, barazinë në shoqëri dhe krijimin e shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët”, ka vënë në dukje kryetarja e Alternativës.
Në Ditën Memoriale të Gjenocidit në Srebrenicë, Kusari Lila: Pa drejtësi nuk ka paqe. Pa kujtim nuk ka shërim
“Srebrenica mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen e njerëzimit — vendi ku toka ende mban erën e gjakut të mbi 8 mijë djemve dhe burrave boshnjakë, të vrarë me mizori vetëm pse ishin boshnjak”, kështu është shprehur kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila në shënimin e përvjetorit të 30-të të gjenocidit në atë vend. “Atje nuk u shua vetëm jeta; në Srebrenicë u godit dinjiteti njerëzor dhe u nëpërkëmb drejtësia ndërkombëtare. Dhimbja e nënave që ende presin bijtë e tyre, dhimbja e motrave dhe grave që nuk morën kurrë një përshëndetje lamtumire, është sot po aq e gjallë sa atëherë. Në Ditën Memoriale të Gjenocidit në Srebrenicë, përkulemi me zemër të rënduar para kujtimit të atyre jetëve të pafajshme”, ka theksuar ajo. Do të mbetet përjetësisht e vërtetë: Pa drejtësi nuk ka paqe. Pa kujtim nuk ka shërim.
Kusari-Lila:Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje
Kryetarja e Alternativës, Deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar të premten opozitën pas dështimit të 45-të me radhë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se seanca konstituive sipas rregullores nuk parasheh debat parlamentar, por vetëm proces votimi, ndërsa opozita nuk po merr pjesë në votim dhe po mban diskutime, gjë që sipas saj është shkelje e rregullores. “Është e qartë në rregullore se seanca konstituive nuk parasheh debat parlamentar. Ka vetëm proces votimi. Opozita nuk po merr pjesë në votim dhe për më tepër po mban diskutime, çka përbën shkelje të dytë”, tha Kusari-Lila.
Alternativa mirëpret dy personalitete të fushave të ndryshme me përvojë të gjatë profesionale
Alternativa ka kënaqësinë të mirëpresë në radhët e saj z. Merkur Beqiri, profesionist me përvojë të gjatë ndërkombëtare në fushën e zhvillimit, teknologjisë, bujqësisë/pylltarisë dhe të shëndetësisë publike dhe znj. Ganimete Pashoja-Myftiu e cila sjell me vete mbi më shumë se 2 dekada përvojë profesionale në fushën e menaxhimit institucional, gjuhësisë, analizës, me një karrierë të ndërtuar në institucione dhe organizata përfshirë USAID, UNHCR dhe Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z. Merkur Beqiri ka mbi tri dekada të angazhim profesional në më shumë se 15 shtete të botës, përfshirë bashkëpunimin me agjencitë më të njohura të Kombeve të Bashkuara si UNHCR, ËHO, FAO dhe ËB. Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave, hartimin e politikave zhvillimore dhe udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara përfaqëson një vlerë të veçantë për platformën tonë politike dhe Kosovën si shtet. Me formim akademik në inxhinieri dhe një karrierë të gjatë përfshirë edhe digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe arsimin, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe nisma pioniere në fushën e digjitalizimit të gjuhës shqipe dhe edukimit teknologjik. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare dhe në veçanti gjatë pandemisë COVID-19 është vlerësuar nga komuniteti profesional dhe ndërkombëtar dhe ndihmoi në menaxhimin më të mirë duke shpëtuar jetë dhe kursyer resurse. Ndërsa znj. Pashoja Myftiu ka qenë pjesë e misioneve paqësore dhe atyre për ndërtimin dhe demokratizimin e shteteve të Evropës Juglindore. Ekspertiza e saj si gjuhëtare e Kategorisë III për gjuhët shqipe, serbo-kroaste dhe angleze përbën një përvojë të veçantë në fushën e komunikimit ndërkulturor dhe mbështetjes institucionale. Znj. Ganimete Pashoja-Myftiu është autore e disa botimeve akademike dhe dokumentare. Përkushtimi i saj ndaj çështjeve të arsimit, drejtësisë sociale dhe zhvillimit komunitar përputhet me vlerat dhe objektivat tona programore si parti liberal-demokrate. Më shumë se kaq ajo është e njohur si aktiviste e paepur për sensibilizimin e familjeve dhe personave me varshmëri në shoqërinë kosovare.
Humbje e madhe ndarja nga jeta e zjarrfikësit, Kaqun Lima
Ngushëllime të thella ka shprehur kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila me rastin e ndarjes nga jeta të zjarrfikësit Kaqun Lima. Me pikëllim të thellë morrën lajmin për ndarjen nga jeta të Kaqun Limës, shefit të operativës në Brigadën e Zjarrfikësve të Gjakovës. Ai humbi jetën tragjikisht në një aksident gjatë orarit të punës, në përpjekje për të shpëtuar të tjerët – ashtu siç kishte bërë gjithmonë, me përkushtim dhe guxim të jashtëzakonshëm. Kaquni në mesin e kolegëve njihej si hero i vërtetë, një njeri që e jetoi jetën në shërbim të të tjerëve, mishërim i trimërisë, sakrificës dhe përkushtimit”, është shprehur ajo. “Në këtë moment të rëndë, jemi pranë familjes së tij me zemër e me lutje. U shprehim ngushëllimet më sinqerta familjes Lima, kolegëve të Kaqunit dhe gjithë atyre që e njohën dhe u prekën nga kjo humbje e madhe. U prehsh në paqe, Kaqun!”, ka theksuar Kusari-Lila.
Sporti si mision shtetëror, Alternativa afër Komitetit Olimpik
Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila ka vizituar të martën Komitetin Olimpik të Kosovës. Ajo ishte e shoqëruar nga deputetja znj. Jeta Statovci. Gjatë takimit, presidenti z. Ismet Krasniqi i falënderoi deputetet për vizitën në KOK dhe i njohu ato me të arriturat e sportit kosovar, veçanërisht me medaljet olimpike që sportistët kanë fituar ndër vite dhe rolin e tyre të madh në promovimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. “E vlerësojmë lart punën, përkushtimin dhe angazhimin e pandalur të gjithë stafit të KOK-ut për promovimin dhe gjithëpërfshirjen e sportit në jetën e qytetarëve të Kosovës. Promovimi i vendit tonë, i vlerave dhe i talentit të sportistëve kosovarë ka arritur majat botërore, por ende nevojitet punë dhe angazhim për masivizimin e aktivitetit fizik në të gjitha disiplinat. Bashkë me Presidentin Krasniqi, biseduam për sfidat ligjore dhe mundësitë efektive për tejkalimin e tyre, veçanërisht në raport me realizimin e suksesshëm të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një projekt me rëndësi të madhe për shtetin tonë të ri’, është shprehur Kusari-Lila. Nga KOK kanë theksuar se deputetja Kusari-Lila, është e njohur për angazhimin e saj në sport si pjesëmarrëse e rregullt në gjysmëmaratonën e Prishtinës e në vrapime të tjera të organizuara, duke shërbyer si shembull dhe frymëzim për të rinjtë që të jenë aktivë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit.
Takim Kusari-Lila – Osmani: Angazhim për zgjidhjen e ngërçit parlamentar
Në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për situatën në Kuvend, Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila ka takuar Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. “Biseduam hapur për zhvillimet e fundit dhe mundësitë konkrete për konstituimin e Kuvendit, duke u bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Të vetëdijshme se të gjithë deputetët kemi një obligim kushtetues për ta mundësuar funksionimin e institucioneve, u pajtuam që të angazhohemi me vullnet të mirë për ta tejkaluar këtë situatë dhe për të ecur përpara brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata”, është shprehur Kusari-Lila. “Besoj se me bashkëpunim dhe përgjegjësi do ta gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë”, ka theksuar ajo.
Patrioti, veprimtari e ndërmarrësi Skender Thaçi i bashkohet Alternativës
Alternativa ka mirëpritur z. Skender Thaçi – humanist, atdhetar, ndërmarrës vizionar dhe filantrop i palodhur. Një bashkim me vlerë për të ardhmen e vendit! “Është një emër që flet për dashuri ndaj atdheut, përkushtim ndaj zhvillimit dhe kontribut pa interes personal në çlirimin e vendit, rindërtimin e tij dhe promovimin e pandalshëm të shtetit të Kosovës. Me rrënjë në Shqipëri e Malësi, i rritur në Kosovë dhe me veprimtari në Kroaci, Austri e më gjerë, Skenderi ka qenë gjithmonë i lidhur me kauzën shqiptare, me vendin, me njerëzit”, është shprehur kryetarja znj. Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka theksuar se, puna e tij në biznes, ndihmesa e vazhdueshme në çështjen kombëtare dhe zemra e një filantropi të rrallë janë dëshmi e përkushtimit që sjell sot në Alternativë. “Me patriotë të tillë si Skender Thaçi, idetë për çuarjen përpara të vendit janë të pashmangshme,” u shpreh kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila. Me familjen si themel, me idealin si busull dhe me veprën si frymëzim për gjeneratat që vijnë – Skenderi i bashkohet sot Alternativës, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt një shoqërie më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të bashkuar. “Me ty marrim një tjetër hap të madh drejt një agjende zhvillimore me rrënjë në histori, por të orientuar drejt së ardhmes, mirë se vjen në Alternativë”, është shprehur kryetarja Kusari-Lila.
“Kjo situatë nuk sjell ndjesi të mirë, pakënaqësitë janë në rritje”, ka thënë Kusari-Lila pas takimit me Kurtin dhe liderët tjerë politik
Në konferencë për media pas takimit që patën të shtunën me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë. “Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, ka thënë ajo. Kryetarja Kusari-Lila ka theksuar se ka propozuar për ta hedhur në votim çështjen e asaj se si duhet të procedohet tutje, pra për mënyrën e votimit, por as këtë ofertë nuk e kanë pranuar partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.











