“Në vizitën e tij të parë në këtë mandat timin si Ministre e MINTI-t, bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, diskutuam për mundësitë e zhvillimit të mëtejmë të ekonomisë së vendit tonë, bashkëpunimin bilateral me Republikën e Austrisë, si dhe trajtuam projektet e deritashme të mbështetura nga shteti austriak për Kosovën”, kështu është shprehur znj. Mimoza Kusari Lila pas takimit që ka pasur me Shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Austrisë në Kosovë z. Georg Schnetzer. “Austria mbetet një ndër partnerët seriozë të Kosovës në shkëmbimet tona tregtare, prandaj edhe fushat e bashkëpunimit në sektorin privat janë të shumta”, ka shtuar ministrja e MINTI-it, Kusari Lila. Ajo ka theksuar se, tranzicioni i gjelbër dhe lëvizja drejt ekonomisë së qëndrueshme, mbi parime mjedisore, mbeten fokus dhe objektiv kyç i MINTI-t; andaj vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin e Austrisë e shohim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Kusari-Lila e Nuno Queiros diskutojnë për thellimin e partneritetit
Kryetarja e Alternativës ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari-Lila, priti në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queiros. Gjatë takimit u diskutua thellimi i partneritetit për ngritjen e kapaciteteve institucionale, mbështetjen e produkteve vendore “Made in Kosova” dhe përkrahjen e bizneseve të vogla dhe të mesme. Bashkëpunimi me UNDP-në u vlerësua si i rëndësishëm për avancimin e agjendës për zhvillim ekonomik, inovacion dhe rritjen e konkurrueshmërisë në vend. “Sot në zyrën time prita në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queiros. Diskutuam për thellimin e partneritetit në ngritjen e kapaciteteve të ministrisë, mbështetjen e produkteve vendore “Made in Kosova” dhe, në fokus të veçantë, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme”, ka theksuar Kusari Lila. “Bashkëpunimi me UNDP-në mbetet i rëndësishëm për avancimin e agjendës sonë për zhvillim ekonomik dhe inovacion në vend, si dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve të vogla dhe të mesme”, është shprehur ajo në këtë takim.
Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike
Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës dhe në përputhje me premtimin e Kryeministrit Albin Kurti, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, njëherësh kryetare e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike. Projektligji synon të krijojë bazë ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë në rast të rritjes së papritur të çmimeve, mungesës së produkteve apo çrregullimeve në furnizim. Qëllimi i tij është mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimi dhe spekulimi gjatë krizave, përmes masave të përkohshme dhe proporcionale. “Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova incimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan). Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg”, ka njoftuar ministrja Kusari Lila. Ajo ka theksuar se, ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: – rritje të papritura të çmimeve – mungesë të produkteve themelore – çrregullime në furnizim “Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik”, ka thënë ajo. “Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, është shprehur ajo.
Kusari-Lila: Tranzicioni energjetik dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihen pa përfshirjen e plotë të grave, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si vendimmarrëse dhe lidere të proceseve transformuese
Në ngjarjen e organizuar nga AmCham Kosovo me rastin e 4-vjetorit të Komitetit “Kosovo Women in Energy and Mining” ka folur edhe kryetarja e Alternativës, ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari Lila. “Në panelin e moderuar nga Shqipe Vela, kryesuese e rrjetit, ishim bashkë me të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së, Annu Prattipati, Zëvendësshefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, Drejtorin e ri të zgjedhur të KOSTT, Trim Tërnava, si dhe, drejtorin e AmCham Kosova, Arian Zeka. Bashkë patëm një diskutim të hapur dhe shumë të nevojshëm për të ardhmen e sektorit”, ka thënë mes tjerash ministrja Kusari-Lila. Ajo ka theksuar se tranzicioni energjetik dhe zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihen pa përfshirjen e plotë të grave, jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si vendimmarrëse dhe lidere të proceseve transformuese. “Energjia dhe minierat nuk janë sektorë “tradicionalisht mashkullorë”, janë sektorë strategjikë, dhe strategjia kërkon gjithë përfshirje”, ka thënë ajo. “Informova gjithashtu për projektet që po i zhvillojmë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,, me fokus në industrinë vendore, inovacionin dhe ekonominë qarkore si bazë për rritje të qëndrueshme. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me gratë dhe vajzat e sektorit dhe i ftova profesionistet që të angazhohen drejtpërdrejt me Ministrinë që drejtoj”, është shprehur po ashtu ministrja e MINTI-it. “Dyert janë të hapura për ide konkrete dhe partneritete që sjellin ndryshim real. Urime WEM për 4 vite punë të jashtëzakonshme, rruga vazhdon, dhe duhet ta bëjmë bashkë”, ka theksuar ajo mes tjerash në këtë ngjarje.
Ministrja Kusari Lila takon Shefin e Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Ambasadorin Eric Dietz
Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, kryetare e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila ka pritur në takim Shefin e Misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Ambasadorin Eric Dietz. “Shteti i Luksemburgut, përmes organizatës për zhvillim LuxDev, ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Republikën e Kosovës në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe sektorit privat. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është përfituese e kësaj asistence në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit, si dhe në sektorin e aftësimit profesional, në kuadër të një projekti të përbashkët me Ministrinë e Arsimit”, ka theksuar Kusari Lila. Ajo ka theksuar se, gjatë takimit, kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vazhdimësinë e projekteve të përbashkëta, me fokus në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. “Shkëmbimi i përvojave më të mira ndërmjet dy shteteve tona mbetet një shtyllë e rëndësishme e këtij partneriteti”, ka thënë ajo. “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar partneritetin strategjik me Luksemburgun, duke vlerësuar lart mbështetjen e deritanishme dhe duke synuar zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, është shprehur ministrja Kusari Lila.
Kryetarja e Alternativës, ministre e MINTI-it znj. Mimoza Kusari-Lila, ka përcjellë urimin e saj me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Ëndrra shekullore e shqiptarëve u bë realitet dhe amaneti i të rënëve u përmbush me shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, në këtë ditë historike 18 vite më parë. Ky përvjetor e gjen Republikën e Kosovës me arritje të prekshme dhe suksese të ndërtuara mbi sakrificën e dëshmorëve dhe përkushtimin e brezave që luftuan për liri. Çdo hap përpara mban brenda tij gjurmën e atyre që besuan në një Kosovë të lirë. Liria për të cilën sakrifikuam kaq shumë kërkon përditë përkushtim. Ajo kërkon demokraci funksionale, institucione të forta dhe zë të garantuar për çdo qytetar, pa dallim. Sot kemi shtet që forcon sundimin e ligjit, mbron të drejtat e njeriut dhe respekton dinjitetin e çdo komuniteti. Republika jonë është më e fortë se kurrë. Ekonomia po rritet me ritme të qëndrueshme, rendi dhe ligji po konsolidohen, ndërsa po ndërtojmë një shtet solidar që kujdeset për qytetarët e vet. Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë e drejtë. Ky është përvjetori i pestë në të cilin mungojnë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces të padrejtë ndaj luftës së UÇK-së dhe vullnetit të popullit nga i cili ajo lindi. Por historia nuk mund të ndryshohet dhe drejtësia nuk mund të manipulohet. E vërteta e sakrificës sonë është e rrënjosur thellë në ndërgjegjen e këtij kombi. Rruga jonë drejt lirisë dhe shtetit të pavarur është e pastër, e drejtë dhe e mbështetur mbi vlerat demokratike dhe idealin e lirisë. I përjetshëm është shteti ynë e ne lartësofshim e nderofshim emrin Kosovë!
“Konventa Euro Ballkanike e Alpeve” – Valbonë, 15–16 Maj 2026
Me moton “Zhvillimi dhe Integrimi i Alpeve”, kjo Konventë shënon një moment historik për Shqipërinë dhe rajonin. E organizuar në zemër të Valbonës, kjo është: a) veprimtaria e parë dhe e vetme e këtij lloji në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor; b) përpjekja e parë serioze për të integruar shtetet alpine të Ballkanit Perëndimor me shtetet alpine të Evropës së Mesme. Katër shtyllat e Konventës: Ekonomia • Kultura • Mjedisi • Turizmi Të ftuar nderi nga shtetet alpine të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës së Mesme: Shqipëria, Austria, Bosnje-Hercegovina, Franca, Gjermania, Italia, Lihtenshtejni, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Monako, Lugina e Preshevës, Sanxhaku i Novi Pazarit, Sllovenia, Zvicra, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Europian (BE) dhe Banka Botërore (BB). Konventa organizohet nga Qendra Alpine për Studime, Botime, Kulturë, Mjedis dhe Turizëm, në bashkëpunim dhe bashkërendim me Bashkinë Tropojë. Ndër organizatorët e kësaj Konvente është edhe Skënder Thaçi, nga Kryesia e Alternativës, anëtar i Komitetit Nërkombëtar Organizues (për Republikën e Kosovës), duke kontribuar në realizimin e kësaj nisme me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe integrimin e Alpeve tona në rrjetin evropian.
Ministrja e MINTI-it, kryetare e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila ka takuar sot udhëheqësit e agjencive dhe departamenteve
Ministrja Kusari-Lila shpalosi politikat që do t’i zhvillojë edhe më shumë fushat e industrisë, ndërmarrësisë, tregtisë dhe inovacionit, si dhe fushat tjera që janë në kuadër të ministrisë. Fushë me interes të veçantë, ministrja potencoi përkujdesjen e veçantë ndaj mbrojtjes së konsumatorit, që do ta ketë prioritet. Ajo i informoi udhëheqëset/it se të gjitha planifikimet dhe nismat legjislative do të kenë rishikim të plotë për t’i përfshirë në planifikimet e reja, që janë në përshtatshmëri me nevojat kohës. Ata e njoftuan ministren për politikat dhe projektet e tyre, që janë paraparë të realizohen sipas planeve të planifikuara. E njoftuan ministren edhe për sfidat me të cilat janë ballafaquar dhe vazhdojnë të ballafaqohen, e që koordinimi më i mirë i tyre në mes të gjithë akterëve të ministrisë do të ndikojë në eliminimin e barrierave. Angazhimi konkret në eliminimin e këtyre barrierave do të ketë ndikim konkret në zhvillimin e politikave të reja, që do të kenë ndikim në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit. Ministrja Kusar-Lila theksoi se në veçanti do të angazhohet maksimalisht për përcjelljen e trendeve të zhvillimeve të përgjithshme, që janë në interes të publikut. “Sot, në ditën e parë të javës së re, u takova me drejtorët e departamenteve dhe kryeshefat e agjencive në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Para drejtuesve të lartë të shërbimit civil, shpalosa prioritetet e këtij mandati dhe u njoftova nga afër me të arriturat, sfidat dhe obligimet që na presin”, është shprehur ajo. “Bashkë, me komunikim të hapur, transparencë dhe përgjegjësi të plotë institucionale, do të punojmë me vendosmëri për rezultate konkrete në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim”. “Ky mandat kërkon ritëm, bashkërendim dhe guxim për vendime që forcojnë zhvillimin ekonomik dhe mbështesin ndërmarrësinë vendore”, ka thënë mes tjerash ajo.
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila mori detyrën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bë dorëzim-pranimi nga ministrja e deritashme Rozeta Hajdari duke ia dorëzuar detyrën tashmë ministres, Mimoza Kusari-Lila. Gjatë kësaj ceremonie, ministrja e deritashme Rozeta Hajdari bëri një përmbledhje të punëve dhe projekteve, që janë realizuar gjatë qeverisjes së saj katërvjeçare, duke përfshirë arritjet në sektorin e tregtisë, industrisë, ndërmarrësisë dhe fushave të tjera që mbulohen nga ministria. Ndërkaq, ministrja Mimoza Kusari-Lila e falënderoi ministren Hajdari për angazhimin e saj gjatë kësaj periudhe dhe potencoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për zhvillimin e fushave që janë në kuadër të ministrisë. “Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari”, ka thënë mes therash ajo. “E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar. Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë. Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri”. “Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. E lumtur të jem pjesë e zhvillimit dhe suksesit të shtetit tonë”, është shprehur Kusari-Lila.
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila dhe Kryeministri Albin Kurti vizituan Qendrën Inovative të Kosovës
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, kanë vizituar Qendrën Inovative të Kosovës (ICK), në kuadër të angazhimit për mbështetjen e inovacionit dhe zhvillimit të ekonomisë digjitale në vend. “Bashkë me Kryeministrin Albin Kurti vizituam Qendrën Inovative të Kosovës (ICK), një histori e konsoliduar suksesi që prej vitesh ndërton themelet e ekonomisë digjitale në Kosovë. Me mbi 15 vite përvojë, qindra startup-e të mbështetura dhe mijëra të rinj të aftësuar, ICK dëshmon se investimi në inovacion dhe dije është investim direkt në konkurrueshmërinë dhe të ardhmen e vendit”, ka theksuar Kusari Lila. “Pas vizitës dhe një bisede të shkurtër, patëm rastin të ndjekim edhe prezantimin “Kosovo Digital Economy Overview”, me fokus në Digital Economy Data, i cili ofroi një pasqyrë të qartë mbi rritjen e sektorit digjital, potencialin e tregut, dhe rolin kyç që të rinjtë dhe teknologjia po luajnë në transformimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë mes tjerash ajo. Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka theksuar se do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritete që mbështeten në të dhëna, inovacion dhe vizion afatgjatë. “Ekonomia digjitale nuk është më e ardhme, është realitet”, ka theksuar ajo.











