Kryetarja e Alternativës dhe shefe e Grupit Parlamentar, të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka marrë pjesë si folëse në Dialogue Academy të OSCE Mission in Kosovo që është mbajtur të dielën në Gorozia të Italisë. Këtë vit, akademia feston 10-vjetorin dhe është organizuar nën mbikëqyrjen e misioneve të OSBE-së nga Kosova dhe Serbia. “Një përvojë unike për mua është pjesëmarrja si folëse në Dialogue Academy të OSCE Mission in Kosovo një angazhim që po e vazhdoj tash e tri vite, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për takimet e vajzave të reja nga Kosova dhe Serbia’, ka thënë Kusari Lila. “Nën moderimin e Cornelia Taylor, e Ngarkuara me Punë nga OSBE në Kosovë, mora pjesë në një panel që trajtoi temën e lidershipit të grave në shoqëritë e ndara dhe sfidat e dialogut. Paneli përfshinte tri gratë iniciatore të nismës “Folloë Us” – Teuta Sahatqija, Gordana Çomic, Marija Obradoviç si dhe Liliana Palihovici, ish-deputete e Parlamentit të Moldovës dhe përfaqësuese speciale e OSBE-së për çështjet gjinore”, është shprehur Kusari-Lila. Më tej kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka theksuar se ajo që e frymëzon është energjia, përkushtimi dhe pasioni i këtyre vajzave të reja për barazi në shoqëri, kërkesat e tyre për llogaridhënie nga politikanët dhe vizioni i tyre për një jetë më të mirë. “Si folëse, nuk ndiej vetëm se po ndaj përvojat e mia me to, por edhe marr energji dhe inspirim prej tyre, duke i dhënë një kuptim më të thellë punës që bëj çdo ditë. Vajzat po ndryshojnë botën për të mirë, dhe është detyra jonë t’i ndihmojmë ato të kenë hapësirën për të sjellë këto ndryshime. Mjafton një grup me guxim dhe vizion të qartë, të tjerët do t’i ndjekin”, ka thënë ajo.
Zëvendësministri i MFPT-së, Dobruna: Personat paraplegjik dhe tetraplegjik, do të kenë procedura më të lehta
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasfereve, Agon Dobruna ka vizituar të enjten përfaqësuesit e shoqatës së të verbërve “ Gjakova” dhe ata të shoqatës “Handikos” në Gjakovë. Gjatë takimeve dhe gjatë prezantimit të punës dhe aktiviteteve të Ministrisë që përfaqëson, Dobruna ka thënë se me rastin e shënimit të “Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë” ka vizituar përfaqësuesit e shoqatës “Gjakova” duke u interesuar më shumë për sfidat që ata kalojnë deri sa kanë biseduar për vizionin e përbashkët dhe për avancimin e statusit të tyre në jetën socio – ekonomike. “Me rastin e shënimit të “Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë”, vizitova shoqatën e personave të verbër në Gjakovë. Bashkëbiseduam me përfaqësuesit e shoqatës për kushtet e tyre, sfidat dhe vizionin tonë të përbashkët për avancimin e statusit të tyre në jetën socio – ekonomike!”, ka thënë Dobruna. Ndërsa në shoqatën “Handikos” ka takuar personat paraplegjik dhe tetraplegjik, për të cilët ka thënë se do të kenë procedura më të lehta, kushte më të mira, nuk do t’i nënshtrohen rivlerësimit, do të kenë mundësi më të lehta për të siguruar kujdestar personal dhe social. “Me qëllim të prezantimit të risive pozitive, të dala nga Rregullorja e re e aprovuar nga Qeveria për Personat Paraplegjik/Tetraplegjik, vizitova edhe degën e Handikos-it në Gjakovë, ku takova dhe bashkëbisedova me një numër të konsiderueshëm të personave paraplegjik dhe kujdestar të personave tetraplegjik. Personat paraplegjik dhe tetraplegjik, do të kenë procedura më të lehta, kushte më të mira, nuk do t’i nënshtrohen rivlerësimit, do të kenë mundësi më të lehta për të siguruar kujdestar personal dhe social! Përveç rritjes së pensioneve të cilat u realizuan së fundi, evidentuam edhe shumë çështje për adresim në të ardhmen!’’, ka thënë mes tjerash Dobruna. Në emër të MFPT, Zëvendësministri dhe nënkryetari Alternativës, Dobruna ka falënderuar këto dy shoqata për pritjen, bashkëbisedimin dhe shfaqjen e shqetësimeve. I pranishëm ishte edhe nënkryetari i degës së Alternativës, Hysen Berisha.



