Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, familjarë të dëshmorëve e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe në përvjetorin e rënies së tyre. “Në 27-vjetorin e rënies së tyre, sot nderuam me respekt dhe mirënjohje të thellë sakrificën e dëshmorëve Memë dhe Prend Lleshi, të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Kujtimi për ta u bë në praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, familjarëve të dëshmorëve Lleshi, bashkëluftëtarëve, bashkëpunëtorëve nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, si dhe bashkëvendasve nga Komuna e Gjakovës dhe komunat tjera”, është shprehur Kusari Lila. Ajo ka theksuar se, janari i vitit 1999 mbetet i shënuar me gjakun e dëshmorëve, veçanërisht në epopenë e Rogovës së Hasit, si një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më heroikë të luftës sonë çlirimtare. “Rënia e Memë dhe Prend Lleshit është dëshmi e përhershme e qëndresës, trimërisë dhe sakrificës sublime për liri. Kujtimi për ta dhe për të gjithë dëshmorët e kombit mbetet obligim moral dhe institucional i yni, që amaneti i tyre të jetojë përmes punës dhe përkushtimit për zhvillimin dhe drejtësinë në Kosovë”, ka thënë me këtë rast kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila. Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi dëshmorëve të Vraniqit!
Presidenti Ibrahim Rugova, themeluesi shpirtëror, dhe arkitekti i shtetit të Kosovës
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, së bashku me bashkëpunëtorë, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, Kryetaren e partisë GUXO, Donika Gërvalla, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. “Sot, me përulje dhe respekt, bëmë homazhe dhe vendosëm lule të freskëta te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Përkujtimi i tij nuk është vetëm një akt nderimi, por një rikujtim i fuqishëm i rrugës që ai i dha popullit dhe shtetit tonë. Presidenti Ibrahim Rugova mbetet një figurë madhore e historisë sonë kombëtare, arkitekt i vizionit për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të ndërtuar mbi paqe, dije dhe dinjitet njerëzor. Në kohët më të errëta për popullin tonë, ai zgjodhi mençurinë mbi dhunën, dialogun mbi hakmarrjen dhe dijenë mbi frikën”, është shprehur ajo. “Si intelektual i rrallë, dhe udhëheqës me vizion të qartë, Rugova e kuptoi se arsimi ishte arma më e fuqishme e qëndresës sonë kombëtare. Ndërtimi i sistemit paralel arsimor u bë një akt heroik i mbijetesës dhe dinjitetit, i mbajtur gjallë nga sakrifica e jashtëzakonshme e mësimdhënësve dhe prindërve, që besuan në të ardhmen edhe kur gjithçka dukej e pamundur.Presidenti Rugova e ngriti zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke e bërë të njohur padrejtësinë, dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj një populli të pafajshëm. Ai i dha Kosovës një identitet politik dhe moral, duke e vendosur çështjen tonë në zemrën e diplomacisë botërore”, ka theksuar Kusari Lila. Lavdi e përjetshme jetës, veprës dhe vizionit të Presidentit tonë, Ibrahim Rugova.
17 janari është plagë dhe krenari
Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, së bashku me bashkëpunëtorë dhe të prirë nga Kryeministri Albin Kurti, kanë qëndruar sot në Dubovik të Deçanit, ku kanë kujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën si dhe Kadri Zekën në përvjetorin e vrasjes së tyre. Me këtë rast, ata kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule pranë varreve duke nderuar jetën dhe sakrificën e tyre. “Në këtë ditë të vitit 1982, u shuan dhunshëm Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka patriot e veprimtarë që jetuan e vepruan për një ide më të madhe se frika: lirinë. Ata lanë pas një vepër që nuk u vra dot, mendimin politik, organizimin, fjalën e shkruar dhe guximin për të thënë të vërtetën kur heshtja ishte më e sigurt”, ka theksuar Kusari Lila. Jusuf Gërvalla, përveçse veprimtar i palodhur, ishte edhe krijues i rrallë artistik. Poezia, muzika dhe fjala e tij u bënë formë rezistence, zë i ndërgjegjes kolektive dhe dëshmi se kultura është po aq e fuqishme sa qëndresa. Siç shkruante ai: “Kënga ime është zëri i atdheut të robëruar.” Kjo thënie edhe sot përçon mesazhin e qartë për misionin e tij dhe për forcën e artit si akt lirie. Përcjellja e kësaj historie nuk guxon të mbetet një ritual formal, por përgjegjësi. Trashëgimia e Gërvallëve dhe e Kadri Zekës duhet të jetë pjesë e edukimit të gjeneratave të reja, jo si mit i largët, por si mësim i gjallë. Rruga dhe vepra e tyre na nevojiten si udhërrëfyes për të ardhmen, për të ndërtuar një shoqëri me mendim të lirë, guxim moral dhe dinjitet. Ata u vranë, por nuk u mposhtën. Detyra jonë është t’i mbajmë gjallë, në kujtesë, në arsim dhe në veprim. Lavdi jetës dhe veprës së tyre.
Kusari Lila për Masakrën e Reçakut: Reçaku është pika ku e vërteta nuk mund të relativizohet
Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kujtuar Masakrën e Reçakut, duke theksuar se ka krime që historia nuk guxon t’i harrojë dhe dhimbje që koha nuk i shëron. Ajo u shpreh se këto ngjarje mbeten plagë në ndërgjegjen e njerëzimit dhe dëshmi e patjetërsueshme e të vërtetës. Sipas saj, drejtësia mund të vonojë por nuk duhet të heshtë, ndërsa u bëri thirrje të gjithëve të përulemi me respekt para martirëve, duke u zotuar se kujtesa historike do të jetojë më gjatë se çdo përpjekje për shtrembërimin e saj. Ka dhimbje që koha nuk i shëron. Ka krime që historia nuk guxon t’i harrojë. Ka emra që mbeten plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sot përkujtojmë përvjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse donin të jetonin të lirë në tokën e tyre. Reçaku është pika ku e vërteta nuk mund të relativizohet. Është dëshmi se drejtësia mund të vonojë, por nuk duhet të heshtë. Në këtë përvjetor, përulemi me respekt dhe betohemi: Kujtesa do të jetojë më gjatë se çdo përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën. Lavdi e përjetshme martirëve të Reçakut.
Triumf i demokracisë, fitore e Kosovës
Historia e Republikës së Kosovës u shkrua me dorën e vetë qytetarëve të saj. Koalicioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! u konfirmua jo thjesht si fitues, por si vullnet i një populli. Me 486,994 vota, një mbështetje masive prej 51.11%, u dëshmua se besimi te drejtësia dhe e ardhmja është më e fortë se çdo sfidë. Ky nuk është thjesht një numër, është një amanet për siguri, dinjitet dhe begati për çdo familje në vendin tonë. Faleminderit çdo qytetari që qëndroi i palëkundur. Faleminderit mërgatës sonë që rrahjet e zemrës i ktheu në votë. Faleminderit secilit prej jush që bëtë të mundshme këtë fitore plebishitare në zgjedhjet e 28 dhjetorit! Kandidatja për deputete, kryetare e Alternativës Mimoza Kusari Lila, ka arritur të marrë 99, 359 vota, ndërsa kandidatët e Alternativës në këtë listë Skender Thaçi 9, 945 vota dhe Diana Qarkaxhija 8, 222 vota. Bashkë, me guxim dhe përkushtim, do ta ndërtojmë Kosovën që ëndërruam. Fitorja juaj është përgjegjësia jonë!
Deri sa numërmi i votave vazhdon, rezultati është historik
Ende po vazhdon numërimi i votave, e deri sa po pritet përfundimi i këtij procesi numri i votave që ka marrë koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Alternativa dhe PShDK është historik. Alternativa falënderon çdo votuese e votues për besimin e dhënë. Faleminderit nga zemra!
Kryetarja e Alternativës, Kusari Lila ka sqaruar pjesëmarrjen e saj në takimet e CIG-ut
Përmes një reagimi kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka treguar se në takimet organizuara nga Center for Inclusive Governance (CIG), të cilat mbështeten nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës që nga viti 2010, merr pjesë rregullisht. Ajo ka shtuar se në këto takime marrin pjesë përfaqësues të gjerë politikë nga Kosova dhe Serbia, si dhe zyrtarë nga vendet e QUINT-it. Të dashur qytetarë, Takimet e organizuara nga CIG (Center for Inclusive Governance), me seli në SHBA dhe të mbështetura nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, zhvillohen që nga viti 2010. Në to kanë marrë pjesë në vazhdimësi përfaqësues të spektrit të gjerë politik nga Kosova dhe Serbia, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, me prani të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës. Këto takime nuk janë të fshehta. Aty as nuk negociohet dhe as nuk merren vendime. Për transparencë të plotë, lista e pjesëmarrësve në këto takime që nga fillimi i tyre është publike, së bashku me përfundimet nga secili takim i mbajtur. Pra, agjendat e takimeve, listat e pjesëmarrësve dhe koha e organizimit janë informata që ndahen paraprakisht me institucionet relevante, ndërsa raportet përfundimtare publikohen bashkë me listën e pjesëmarrësve në faqen zyrtare të organizatës: http://cigonline.net/publication/ Qytetarë të nderuar, ju siguroj se në diskutimet ku kemi marrë pjesë unë dhe kolegia ime, Fitore Pacolli, kemi përfaqësuar dhe mbrojtur qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Aludimet dhe pretendimet se në këto takime janë marrë vendime në fshehtësi apo se janë arritur marrëveshje jashtë syve të publikut janë të pavërteta. Duke qenë se këto pretendime paraqiten me një agjendë të qëllimshme njëllosëse, e cila vazhdon edhe në këtë vit të ri, ato përbëjnë dezinformim. Për më tepër, tendenca për të veçuar përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dëshmon qartë se qëllimi i raportimeve është ndërtimi i një narracioni të rremë, i cili tash e disa vite synohet t’i servohet publikut. Ju falënderoj për besimin e madh që i keni dhënë koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre pesë viteve. Po ashtu, ju përgëzoj për vigjilencën dhe qartësinë në gjykim, pavarësisht fushatave të egra dezinformuese dhe njëllosëse. Ju uroj një fillimvit të mbarë!
Vizitë zonave të dëmtuara nga reshjet e shiut në Gjakovë
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj ka qëndruar gjatë ditës në Gjakovë dhe së bashku kanë vizituar disa zona të dëmtuara nga vërshimet. “Situata pas vërshimeve në disa komuna të Kosovës mbetet nën kontroll, por e rënduar. Për të parë nga afër pasojat e vërshimeve të djeshme dhe për të biseduar me banorët e zonave të prekura, sot në Gjakovë, së bashku me bashkëpunëtorët nga Alternativa, vizituam disa lokacione me pasojat më të rënda”, ka thënë ajo. “Fillimisht u ndalëm në Impiantin e ujërave të ndotura, të menaxhuar nga KRU “Gjakova”, ku me kryeshefin e ndërmarrjes, z. Hasan Krasniqi, diskutuam për kapacitetin e ndërmarrjes për t’u përballur me situatën e krijuar, si dhe për masat parandaluese që kompania kishte ndërmarrë për mbrojtjen e impiantit nga vërshimi i lumit”, është shprehur Kusari Lila gjatë vizitës në terren. Kanë vizituar po ashtu lagjen Dardanian ë Piskotë, ku së bashku me Komandantin e Zjarrfikësve në Gjakovë, z. Xhevdet Brahimaj, kanë përcjellur nga afër punën e Brigadës në ndihmë të banorëve të prekur nga vërshimet. “Numri i familjeve të prekura nga vërshimet e fundit në Komunën e Gjakovës është tejet i madh. Pothuajse çdo lagje në afërsi të lumenjve është e vërshuar. Një fat të tillë patën edhe familjet Demiri dhe Sallahu, të cilat i vizitova personalisht. Përveç evakuimit dhe strehimit të përkohshëm, këto familje kanë nevojë për zgjidhje afatgjata mbrojtëse për situata të ngjashme në të ardhmen. Rruga “Shote Galica” në Brekoc të Gjakovës është një nga zonat më të goditura nga reshjet e fundit. Së bashku me kryetarin e Bashkësisë Lokale të Brekocit, z. Sokol Balaj, vizituam familjet e prekura, ku u njoftuam nga afër me problemet infrastrukturore, mbeturinat inerte, ndërtimet pa leje dhe mungesën e strehimit për familjet në nevojë”, ka theksuar Kusari Lila. “Sot, gjatë vizitës në rrugën “Bujar Roka” dhe “Bekim Fehmiu”, pamë nga afër pasojat e daljes nga shtrati të lumenjve “Erenik” dhe “Llukac”. Dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në ditët në vijim pritet vlerësimi i dëmeve dhe fillimi i rikuperimit të shpejtë të situatës, me bashkëpunimin e nivelit lokal dhe atij qendror. Disa ura janë dëmtuar rëndë nga rritja e nivelit të ujërave të lumenjve në Gjakovë. Krahas fenomenit natyror, vërehet qartë edhe ndikimi i faktorit njerëzor. Mirëmbajtja e shtretërve të lumenjve, investimet e projektuara profesionalisht dhe trajtimi i mbeturinave inerte duhet të jenë në fokus të veprimeve institucionale”, ka vlerësuar ajo. Kryetarja e Alternativës ka thënë po ashtu se, kjo situatë kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi të plotë institucionale. Përtej menaxhimit të emergjencës aktuale, është thelbësore që të ndërmerren masa serioze parandaluese, me planifikim afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe zbatim të rreptë të ligjit, në mënyrë që dëme të tilla të mos përsëriten. Ndërhyrja e shpejtë për sanimin e pasojave dhe mbështetja e drejtpërdrejtë për familjet e prekura duhet të jenë prioritet absolut.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila: Nexhat Daci njeri që ruajti dinjitetin e profesorit
U nderua dhe iu dha lamtumira jetës dhe veprës së Akademik Nexhat Dacit, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës, intelektual, profesor dhe politikan i një periudhe vendimtare për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Me këtë rast, homazhe bëri edhe Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka theksuar se akademik Nexhat Daci do të kujtohet si një njeri që ruajti dinjitetin e profesorit, përcaktoi me qartësi rolin e drejtuesit institucional dhe tregoi kurajë e përkushtim në përballimin e sfidave që për shumëkënd do të dukeshin të pakalueshme. Ngushëllime familjes, bashkëpunëtorëve akademikë, politikë dhe institucionalë për humbjen e bashkëpunëtorit, familjarit dhe njërit prej drejtuesve të institucioneve të vendit në ditët më të hershme të krijimit të tyre. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës.
Alternativa falënderon qytetarët për procesin e rregullt zgjedhor
Alternativa Liberale falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qytetarinë dhe përgjegjësinë e treguar gjatë procesit zgjedhor, i cili u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike. Zgjedhjet dëshmuan pjekurinë politike të shoqërisë sonë dhe përkushtimin për demokracinë. Gjatë kremtes së fitores, kryeministri Albin Kurti e quajti fitore historike dhe u zotua për përmbushjen e premtimeve elektorale. “Urojmë që angazhimet e dhëna para qytetarëve të shndërrohen në punë konkrete dhe rezultate për vendin”, ka thënë ai. Edhe kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila ka falënderuar qytetarët, aktivistët dhe përkrahësit për angazhimin duke theksuar se Alternativa mbetet e përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe interesit qytetar. “Po e shkruajmë një kapitull të ri të historisë së re të shtetit tonë, për siguri, begati dhe integrim”, ka theksuar Kusari Lila.











