Në shënim të përvjetorit të luftës në Ukrainë, kryetarja e Alternativës, ministre e MINTI-it ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të këtij përvjetori të agresionit rus. “Në një mbrëmje plot emocion, dhimbje e krenari, shënuam në Prishtinë katërvjetorin e agresionit të paprovokuar rus ndaj popullit ukrainas dhe shtetit të Ukrainës. Askush nuk e kishte menduar se lufta do të zgjaste katër vite, e që Ukraina do të qëndronte e pamposhtur në mbrojtje të vendit të saj dhe në betejën për liri. Ata u bënë mburojë e Evropës, ndërsa Kosova jonë e vogël, me zemër të madhe, u bë shtëpi për gazetarët dhe familjet e tyre që filluan një jetë të re këtu”, është shprehur Kusari-Lila. Ministrja ka theksuar se ne e kuptojmë dhe e nderojmë dhimbjen e sakrificën e tyre, ndërsa ata vlerësojnë ngrohtësinë dhe strehën që gjetën në Kosovë. “Ashtu siç e thonim sonte: Slava Ukraini! Rroftë Kosova!”, ka apeluar ajo.
Mundësitë e përmirësimit të bilancit tregtar dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investitorët mbetet prioritet kyç
Mundësitë e përmirësimit të bilancit tregtar përmes mbështetjes së bizneseve vendore dhe krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët mbetet prioritet kyç. Rreth këtyre çështjeve kanë biseduar gjatë takimit ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari Lila, kryetare e Alternativës me ambasadoren e Kanadasë, Shkëlqesinë e saj znj. Jessica Blitt. ” Zgjerimi i prodhimit vendor dhe rritja e eksporteve janë hapa të domosdoshëm drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më konkurruese. Po ashtu, diskutuam për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e kapaciteteve institucionale ndërmjet dy shteteve tona, me synim thellimin e partneritetit dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset”, është shprehur Kusari-Lila. Ministrja ka thënë po ashtu se, Inovacioni dhe tranzicioni i gjelbër, me fokus të veçantë në zonat industriale, janë thelbësore për zhvillimin modern ekonomik. ” Investimi në teknologji të pastra dhe modele të qëndrueshme prodhimi rrit konkurrueshmërinë dhe përputhshmërinë me standardet evropiane. Njëkohësisht, fuqizimi ekonomik i grave është garanci për zhvillim gjithëpërfshirës. Mbështetja e grave në ndërmarrësi dhe në tregun e punës nuk është vetëm çështje barazie, por edhe rritje konkrete ekonomike për vendin”, ka theksuar ajo mes tjerash.
Kusari-Lila me drejtorin e AKB-së, Agim Shahini diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit
Të martën kryetarja e Alternativës ministre e MINTI-it znj. Mimoza Kusari-Lila ka takuar drejtorin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, z. Agim Shahini, me të cilin kanë diskutuar për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet MINTI-it dhe AKB-së. “Partneriteti ynë ndër vite ka qenë i qëndrueshëm dhe produktiv. U dakorduam që komunikimi i përbashkët të intensifikohet edhe më tej, duke hapur rrugë për iniciativa të reja në mbështetje të sektorit privat. Bashkëbisedimi u fokusua në fuqizimin e prodhuesve vendorë, zhvillimin e parqeve industriale dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset. Sigurova se bizneset prodhuese do të kenë mbështetjen e plotë të MINTI-it në rrugëtimin e tyre drejt rritjes dhe zhvillimit”, është shprehur ministrja Kusari-Lila.
Ministrja e MINTI-it takoi përfaqësuesin e Kosovo Finance Forum dhe ndërmarrësin Astrit Panxha
Kryetarja e Alternativës dhe ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë,Tregtisë dhe Inovacionit znj. Kusari-Lila ka thënë se z. Panxha e ka informuar për organizimin e edicionit të dytë të Forumit Financiar të Kosovës, i cili do të mbahet në prill të këtij viti. “Ai na ftoi për pjesëmarrje dhe kërkoi bashkërendim të aktivitetit për njërin nga panelet e Forumit. Jam gjithmonë e gatshme për promovimin e mundësive investive në Kosovë dhe për prezantimin e projekteve të reja në funksion të zhvillimit të ndërmarrësisë dhe ekonomisë së vendit”, ka thënë mes tjerash Mimoza Kusari-Lila.
Kryetarja e Alternativës, ministre e MINTI-it, Mimoza Kusari-Lila takoi kreun e OEK-ut, Lulëzim Rafuna
Gjatë takimit u theksua nevoja për ngritjen e standardeve të prodhimit dhe shërbimeve në vend, si dhe përgjegjësia që bizneset kanë për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e sigurisë në vendin e punës. U vlerësua se një ekonomi e qëndrueshme dhe konkurruese ndërtohet mbi standarde të larta dhe besim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. Palët diskutuan për lehtësimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve, rritjen e transparencës dhe fuqizimin e rolit të grave në sektorin privat. U theksua se barazia gjinore dhe formalizimi i ekonomisë janë elemente kyçe për zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Në fokus të bisedës ishte edhe Plani i Rritjes dhe hapat konkretë që pritet të ndërmerren në kuadër të agjendës zhvillimore, përfshirë avancimin e Ligjit për Inovacion. Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e përdorimit të barkodeve ndërkombëtare për Kosovën nga viti 2026, proces për të cilin është angazhuar Oda Ekonomike e Kosovës. Ministrja falënderoi Odën për angazhimin në këtë drejtim. Po ashtu, u diskutua për funksionimin e shoqatës së grave në biznes dhe bashkëorganizimin e forumeve ekonomike me përfshirjen aktive të diasporës dhe ambasadave të Republikës së Kosovës. U bë e ditur se në javët në vijim do të nisin konsultimet e përbashkëta për projektligjet e agjendës legjislative, me theks në transparencë të plotë dhe përfshirje të gjerë të akterëve relevantë.
Avancimi i politikave të gjelbra, zbatimi i Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe funksionalizimi i Fondit për Inovacion, prioritete kyçe për fuqizimin e sektorit privat
Avancimi i politikave të gjelbra, zbatimi i Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe funksionalizimi i Fondit për Inovacion janë prioritete kyçe për fuqizimin e sektorit privat. Këto ishin disa nga temat të cilat janë diskutuar sot mes ministres së MINTI-it znj. Mimoza Kusari-Lila dhe z. Daniel Alker drejtor i GIZ-it “Me z. Daniel Alker, drejtor i GIZ-it në Kosovë, diskutuam gjithashtu për zhvillimin e platformës së bizneseve pranë ARBK-së, me fokus në transparencën e pronarëve përfitues, digjitalizimin e shërbimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve”, është shprehur Kusari-Lila kryetare e Alternativës. Ajo ka theksuar se, reformat strukturore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten shtylla të zhvillimit ekonomik dhe të përmirësimit të klimës së biznesit në Kosovë.
Parqet industriale të gjelbra prioritet i MINTI-t, u tha në takimin e ministres me përfaqësuesit e GET-it
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj. Mimoza Kusari-Lila kryetare e Alternativës, të martën ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me German Economic Team (GET), projekt disavjeçar pranë MINTI-t, ku u riafirmua përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në funksion të mbështetjes së bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ministrja theksoi se së bashku me GET-in do të vazhdohet puna për një mjedis të qëndrueshëm, me mundësi të reja zhvillimi. “Fokusi ynë do të jetë në zhvillimin e parqeve industriale të gjelbra, për të mundësuar një tranzicion të mirëfilltë drejt ekonomisë së gjelbër. Investimet në ekonominë qarkore dhe në energjinë nga burime alternative nuk janë më opsion – janë domosdoshmëri për të ardhmen ekonomike të Kosovës”, tha ministrja Kusari-Lila. Ajo bëri të ditur se partneriteti me miqtë ndërkombëtarë po përkthehet në politika konkrete, mbështetje për bizneset dhe zhvillim afatgjatë për vendin.
Kusari Lila: MINTI është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat
Fillojnë takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit znj. Mimoza Kusari Lila, kryetare e Alternativës ka thënë se MINTI është ura lidhëse mes politikave zhvillimore të Qeverisë dhe sektorit privat. ” Angazhimi ynë është që politikat pro-biznes të mos mbesin vetëm në letër, por të përkthehen në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike. Në këtë kuadër, kemi nisur takimet me përfaqësuesit e organizatave të biznesit për të forcuar dialogun e strukturuar dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e reformave. Sot takova përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Me drejtorin Kushtrim Ahmeti dhe përfaqësuesit e kësaj dhome u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në adresimin e barrierave për bizneset, rritjen e prodhimit vendor dhe avancimin e konkurrueshmërisë”, ka thënë ajo. Kusari Lila ka theksuar rolin kyç që kjo dhomë ka si përfaqësuese e interesave të sektorit privat dhe si partnere në ndërtimin e politikave që nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Rikonfirmova mbështetjen time të plotë për fuqizimin e bizneseve private, me synim rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një klime më të favorshme për ndërmarrësi në Republikën e Kosovës”, ka thënë ministrja Mimoza Kusari Lila.
Nënshkruhet kërkesa për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi
Ministrja e MINTI -it znj. Mimoza Kusari-Lila nënshkroi kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili pas miratimit në Kuvend hap rrugën për krijimin e Fondit për Inovacion. Kryetarja e Alternativës, ministre e MINTI -it ka thënë se, ky hap është ndërmarrë në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në, synon forcimin e mbështetjes për ndërmarrjet, inovacionin dhe ekonominë kreative, ndërsa në ditët në vijim pritet të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç për të trajtuar vërejtjet dhe sugjerimet lidhur me Projektligjin. “Sot nënshkrova kërkesën për përshpejtimin e miratimit të Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Pas miratimit të tij në Kuvendin e Republikës, hapet rruga për krijimin e Fondit për Inovacion. Ky është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformave që burojnë nga Plani i Rritjes me BE-në. Në ditët në vijim do të organizohet një forum diskutimi me aktorë kyç, për të adresuar vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me Projektligjin”, ka theksuar ministrja Mimoza Kusari Lila. “Me politika që kanë në fokus ndërmarrjet e reja dhe ato ekzistuese, si dhe zhvillimin e inovacionit dhe kreativitetit, do të ofrohet më shumë mbështetje për inovacionin, ndërmarrësinë dhe ekonominë kreative”, është shprehur ajo.
Takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë Schnetzer
“Në vizitën e tij të parë në këtë mandat timin si Ministre e MINTI-t, bashkë me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, diskutuam për mundësitë e zhvillimit të mëtejmë të ekonomisë së vendit tonë, bashkëpunimin bilateral me Republikën e Austrisë, si dhe trajtuam projektet e deritashme të mbështetura nga shteti austriak për Kosovën”, kështu është shprehur znj. Mimoza Kusari Lila pas takimit që ka pasur me Shkëlqesinë e tij, ambasadorin e Austrisë në Kosovë z. Georg Schnetzer. “Austria mbetet një ndër partnerët seriozë të Kosovës në shkëmbimet tona tregtare, prandaj edhe fushat e bashkëpunimit në sektorin privat janë të shumta”, ka shtuar ministrja e MINTI-it, Kusari Lila. Ajo ka theksuar se, tranzicioni i gjelbër dhe lëvizja drejt ekonomisë së qëndrueshme, mbi parime mjedisore, mbeten fokus dhe objektiv kyç i MINTI-t; andaj vazhdimin e bashkëpunimit me shtetin e Austrisë e shohim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.











