Me pjesëmarrje të gjerë qytetare dhe një frymë të fortë mobilizuese, në Prishtinë u prezantuan kandidatët për deputetë të Alternativës, pjesë e listës së përbashkët në koalicion me Lëvizjen VETËVENDOSJE! Kandidatë që bashkojnë përvojën profesionale, vetëdijen kombëtare dhe energjinë e aktivizmit qytetar, duke sjellë vlera të shtuara për të ardhmen e Kosovës. Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, theksoi vizionin e qartë për një Kosovë që prodhon, punëson dhe eksporton: “Ekonomia dhe prodhimi janë shtylla jonë e parë. Ne ndërtojmë ekonomi prodhuese me parqe industriale moderne, me mbështetje reale për eksportuesit, financim më të lehtë për bizneset prodhuese dhe investime në aftësi profesionale e inovacion. Pa industri të fortë, nuk ka ekonomi të fortë.” Ajo shtoi se zhvillimi duhet të jetë i barabartë në çdo cep të vendit: “Do të krijojmë një dikaster të veçantë për politikat e turizmit për ta promovuar Kosovën si destinacion gjatë gjithë vitit. Arsimi duhet t’i shërbejë ekonomisë reale, ndërsa dialogu publiko-privat do të fuqizohet për brendimin ‘Made in Kosova’.” Kandidatët për deputetë Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija u shprehën të vendosur për angazhim maksimal në vazhdimin e begatisë socio-ekonomike dhe forcimin e sovranitetit të vendit. Kryeministri Albin Kurti, duke vlerësuar lart punën dhe përkushtimin e Mimoza Kusari-Lilës si shefe e Grupit Parlamentar, theksoi se qytetarët janë arsyeja themelore e qeverisjes: “Qytetari mbi gjithçka, angazhimi politik e publik mbi çdo interes të ngushtë apo të fshehtë.” Urime për kandidatët e Alternativës erdhën edhe nga Donika Gërvalla kryetare e partisë Guxo dhe Zef Morina kryetar i partisë Shqiptare Demokristiane, të cilët përgëzuan për përzgjedhjen në listën fituese. Mimoza Kusari-Lila, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija janë tre kandidatët për deputet nga Alternativa në koalicion me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, të cilët po vlerësohen dhe mbështeten gjerësisht nga qytetarët për vizionin, integritetin dhe përkushtimin e tyre ndaj Kosovës.
Skender Thaçi, humanisti, patrioti dhe veprimtari i shquar është kandidat për deputet nga Alternativa
Diana Qarkaxhija kandidate për deputete nga Alternativa, profesioniste e përkryer
Kandidatët për deputet nga Alternativa, po vlerësohen dhe mbështeten gjerësisht nga qytetarët
Produktet e Proton Cable të pranishme në Kosovë dhe në 12 shtete, të përkrahen prodhimet vendore
Kandidatët për deputet nga Alternativa, në listën e koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija u takuan dhe biseduan nga afër me stafin e kompanisë Proton Cable në Prizren. Proton Cable është një fabrikë moderne për prodhimin e kabllove, e cila operon në treg prej 16 vitesh. Aktualisht, 45 punëtorë janë të angazhuar maksimalisht në procesin e prodhimit, duke siguruar cilësi të lartë nga lënda e parë deri te produkti final. Produktet e Proton Cable tashmë janë të pranishme në tregun e Kosovës dhe eksportohen në 12 shtete, duke dëshmuar potencialin dhe kapacitetin e industrisë vendore. Gjatë takimit u diskutuan edhe sfidat kryesore me të cilat përballet kompania, përfshirë mungesën e punëtorëve të kualifikuar si dhe konkurrencën jolojale në treg, që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e kompanisë. Proton Cable mbetet një nga fabrikat më të sofistikuara në sektorin e prodhimit të kabllove në rajon.
Kandidatë për deputet, premtuan angazhim dhe përkushtim në ngritjen e kapaciteteve të kompanive prodhuese në vend
Mobileria Muzbeg-F në Prizren është një kompani e suksesshme që operon në treg prej më shumë se 30 vitesh, duke qenë shembull i përkushtimit dhe cilësisë në prodhim, si përpunues druri. Kandidatët për deputet nga Alternativa, pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila kryetare e Alternativës, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija, u takuan me stafin e kompanisë për t’u informuar më nga afër rreth sfidave me të cilat përballen çdo ditë. Një nga shqetësimet kryesore të ngritura ishte mungesa e punëtorëve profesionalë, e cila paraqet një nevojë dhe brengë të madhe për sektorin prodhues. Kandidatë e listës fituese premtuan angazhim dhe përkushtim në ngritjen e kapaciteteve të kompanive prodhuese në vend.
Mimoza Kusari Lila, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija kandidatët e Alternativës për deputet
Në sallën e sporteve në Prizren u prezantuan kandidatët e koalicionit fitues: Lëvizja VETËVENDOSJE!, Partia Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës. Ky koalicion përfaqëson unitetin, vizionin dhe garancinë e fitores në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Para qytetarëve të Prizrenit u prezantuan solemnisht edhe kandidatët e Alternativës: Mimoza Kusari Lila, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija.
Rrjeti i OJQ-ve të Grave “Qeliza” takon kandidatët për deputetë, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija
Rrjeti i OJQ-ve të Grave “Qeliza” mirëpriti në një takim të veçantë kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija. Gjatë takimit, kandidatët theksuan angazhimin e tyre të plotë për përmirësimin e mirëqenies së grave dhe fëmijëve, duke promovuar barazinë gjinore përmes nismave arsimore dhe përpjekjeve avokuese që synojnë si institucionet ashtu edhe komunitetin më të gjerë. “Do të angazhohemi maksimalisht për të ndërtuar politika dhe iniciativa që fuqizojnë gratë dhe krijojnë një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse,” u shprehën Thaçi dhe Qarkaxhija. Ata po ashtu theksuan se zhvillimi i projekteve të përbashkëta, që integrojnë barazinë gjinore në të gjitha aspektet e shoqërisë kosovare, është emërues i përbashkët i të gjithëve që synojnë zhvillimin dhe përparimin e vendit. Në këtë takim u diskutuan edhe sfidat me të cilat përballet Rrjeti i Grave “Qeliza” në Gjakovë, duke u theksuar rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm për adresimin e tyre.
Diana Qarkaxhija viziton ekspozitën e piktorit Alban Meka
Ekspozita me titull “Parcelat” e piktorit gjakovar Alban Meka përfaqëson një vlerë të shtuar të rëndësishme në skenën artistike të Gjakovës dhe më gjerë. Në këtë ekspozitë të veçantë, e cila ka zgjuar interes dhe kurreshtje të madhe tek vizitorët, janë prezantuar 40 piktura me përmasa të ndryshme, që pasqyrojnë mjeshtërinë dhe forcën shprehëse të artistit ekspresionist. Veprat e Alban Mekës flasin pa fjalë, por me ngjyra të fuqishme dhe energji artistike, duke dëshmuar aftësinë e tij krijuese për të depërtuar thellë në shpirtin e shikuesit. Me këtë rast, kandidatja për deputete nga Alternativa, pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Diana Qarkaxhija, ka përgëzuar artistin për artin e tij ekspresionist të realizuar me një mjeshtëri të rrallë. Ajo ka vlerësuar veçanërisht mënyrën se si zëri artistik i autorit dëgjohet fuqishëm përmes veprave, pa nevojën e fjalëve, por përmes emocioneve dhe formës artistike. Ekspozita “Parcelat”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dëshmon rëndësinë e përkrahjes institucionale për artin dhe kulturën, si dhe kontributin e artistëve vendorë në pasurimin e identitetit kulturor.
Skender Thaçi mirëpritet në Podujevë
Podujeva mirëpriti kandidatin për deputet nga Alternativa në listën e koalicionit fitues të Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Thaçi. Në Galerinë e Arteve u mbajt një ngjarje e rëndësishme kulturore, ku u organizua një tryezë diskutimi mbi Odën si trashëgimi kulturore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Instituti i Albanologjisë dhe Ministria e Kulturës. Ky aktivitet dëshmoi përkushtimin për ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare. Në hapjen e ekspozitës Thaçi bashkëbisedoi ngrohtësisht me qytetarët dhe pjesëmarrësit nga të cilët u reflektua mbështetja dhe besimi për angazhimin e tij në shërbim të kulturës, artit dhe zhvillimit shoqëror. Ngjarje të tilla forcojnë lidhjen mes institucioneve, artit dhe qytetarëve, duke dhënë mesazhin se kultura mbetet një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë.











