Banorët e Prapashticës ishin nikoqirë të kandidatëve për deputetë nga lista e fitores, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa e PShDK. Me ngrohtësi të jashtëzakonshme bashkëbiseduan me Skender Thaçin, Shqipe Selimin dhe Driton Hysenin, të cilëve iu premtua përkrahje e angazhim deri në fitore të madhe. Mbështetja e fuqishme e banorëve për idetë dhe angazhimet e tyre, u tha se është një motivim i madh për të vazhduar përpara. Së bashku për një Kosovë më të zhvilluar!
Lagjja Kodra e Trimave në përkrahje të kandidatëve për deputetë nga Alternativa
Disa banorë të lagjes Kodra e Trimave në Prishtinë pritën me shumë ngrohtësi kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e listës së përbashkët të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija. Atmosfera ishte mbresëlënëse: njëzëri, shprehën mbështetje të fuqishme për këtë koalicion dhe veçanërisht për mysafirët, të cilët u pritën me respekt dhe besim të plotë. Banorët premtuan përkrahje të pakursyer, ndërsa kandidatët tanë theksuan përkushtimin e tyre për të çuar përpara ligjet dhe projektet që përmirësojnë jetën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Alternativa Liberale, me vizionin e saj modern, mbetet e vendosur t’i japë vendit tonë energji të re, politika zhvillimore dhe një qasje më të hapur për progres. Së bashku për një Kosovë më të zhvilluar!
Vizitë në Shoqatën “Autizmi”
Kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija, realizuan një vizitë në Shoqatën “Autizmi”. Shoqata, e themeluar në vitin 2011, ofron shërbime ditore për fëmijët me autizëm. Megjithatë, për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare, aktualisht nuk mund të ofrohet qëndrim tërëditor për fëmijët, theksoi drejtoresha ekzekutive Hatixhe Hoxha. Gjatë takimit, ajo i informoi kandidatët Thaçi dhe Qarkaxhija për sfidat e përditshme në procesin e rehabilitimit, si dhe për paragjykimet që fatkeqësisht vazhdojnë të prekin personat me autizëm. U nënvizua nevoja që politikat sociale të garantojnë përfshirje dhe mbështetje të plotë për këtë komunitet. U rikujtua gjithashtu se ligji për personat me aftësi të kufizuara ka mbetur i bllokuar në Kuvend që nga viti 2016, duke lënë shumë familje pa mbështetjen e nevojshme. Shoqata kërkon nga shteti sigurimin e shërbimeve falas, pasi kostot aktuale janë të papërballueshme për shumë familje. “Ne mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve me autizëm dhe në sigurimin e mbështetjes së duhur për këtë komunitet”, janë shprehur ata.
Vizitë në Shoqatën Down Syndrome Kosova
Kandidatët për deputetë nga Alternativa, pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Skender Thaçi dhe Diana Qarkaxhija, zhvilluan një takim të frytshëm me drejtoreshën e Shoqatës Down Syndrome Kosova, znj. Sebahate Hajdini Beqiri. Gjatë bisedës u diskutua për sfidat me të cilat përballet shoqata dhe komuniteti i personave me sindromën down, si dhe për detyrimin që ka shoqëria jonë në ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe dinjitoze. U rikujtua se që nga viti 2016 është iniciuar projekt-ligji për statusin dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara dhe se mbështetja institucionale mbetet e domosdoshme. “Mbetemi të përkushtuar që, me marrjen e përgjegjësive institucionale, të garantojmë përfundimisht miratimin dhe zbatimin e projektligjit për personat me aftësi të kufizuara, duke siguruar mbrojtje dhe mbështetje të qëndrueshme për ta”, kanë thënë kandidatët për deputetë.
Tri figuara të shquara të Kosovës nga Alternativa garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Alternativa garon në zgjedhjet e 28 dhjetorit si pjesë e listës së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje, e përfaqësuar nga tri personalitete të shquara të vendit tonë, figura me integritet, përvojë të gjatë në jetën publike dhe vizion të qartë për të ardhmen. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës – numri 8 Skënder Thaçi – numri 36 Diana Qarkaxhija – numri 79 Këta do të sjellin profesionalizëm, përkushtim dhe energji të re për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Nënshkruhet marrëveshja e Koalicionit LVV, Guxo, Alternativa e PShDK
Alternativa ka nënshkruar Marrëveshjen e Koalicionit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Partinë Guxo dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, një marrëveshje që shënon forcimin e një bashkëpunimi politik të përgjegjshëm, të qëndrueshëm dhe të përqendruar në interesin e qytetarëve. Kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila e ka nënshkruar këtë marrëveshje, ka theksuar se Alternativa mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj liberal për t’i sjellë politikës vlera të reja, profesionalizëm dhe një qasje moderne në qeverisje.
Alternativa, si parti liberale e qendrës, do të garojë në këto zgjedhje në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Guxo dhe PShDK
Këshilli i Përgjithshëm i Alternativës, në mbledhjen e radhës, ka diskutuar rreth përgatitjeve në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor. Me përgjegjësi dhe qartësi politike, po hyjmë në këtë proces zgjedhor të gatshëm për të dhënë kontributin tonë në një ofertë të përbashkët që synon ndryshim pozitiv e më të mirë për vendin. Alternativa, si parti liberale e qendrës, do të garojë në këto zgjedhje në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Guxo dhe PShDK, duke bashkuar energjitë, vizionin dhe vullnetin për t’i ofruar qytetarëve një opsion serioz dhe të përgjegjshëm politik. Së shpejti do të bëhen publikë edhe kandidatët për deputetë të Alternativës, të cilët do të jenë pjesë e listës së përbashkët për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kandidatë profesionistë, të përkushtuar dhe të gatshëm të përfaqësojnë me dinjitet vlerat tona. Alternativa është e gatshme, e përgatitur dhe optimiste për këtë garë. Me vizion të qartë dhe me besim në punën tonë, po hyjmë në këto zgjedhje me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Mbahet Forumi i tretë Ekonomik Rajonal i Dukagjinit
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, z. Ali Tafarshiku, përfaqësues nga Alternativa ka marrë pjesë në Forumin e tretë Ekonomik Rajonal të Dukagjinit, i cili po mbahet në Pejë nën organizimin e Universitetit “Haxhi Zeka”. Gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar rëndësinë e partneritetit institucional si një shtyllë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në nivel rajonal dhe kombëtar. Tafarshiku ka vlerësuar punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve, duke veçuar përkushtimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal përmes marrëveshjeve të nënshkruara me universitetet publike në vend. Ai ka theksuar se këto bashkëpunime kanë mundësuar mbështetjen dhe nxitjen e ideve inovative, të cilat janë përfshirë në programet zhvillimore të ministrisë, me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik, inovacion dhe rritje të kapaciteteve akademike e profesionale. Prezenca e tij në këtë forum thekson edhe një herë angazhimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në promovimin e dialogut ndërinstitucional dhe forcimin e lidhjes ndërmjet sektorit publik, akademisë dhe akterëve lokalë të zhvillimit.
Kusari Lila: Votimi i Diasporës Kosovare jashtë ambasadave dhe konsullatave është praktikë e aplikuar edhe në vendet e BE-së
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka kritikuar kundërshtimet ndaj votimit të diasporës në qendra jashtë ambasadave dhe konsullatave, duke theksuar se kjo praktikë zbatohet gjerësisht në shumë vende të Evropës dhe botës. Kusari-Lila sjell shembuj nga Turqia, Rumania, Kroacia, Moldavia dhe vendet e BE-së, ku hapen qendra votimi në shkolla, qendra komunitare dhe ambiente të ngjashme, duke e cilësuar këtë si standard demokratik. Reagimi i plotë: Votimi i Diasporës Kosovare jashtë ambasadave dhe konsullatave është praktikë e aplikuar edhe në vendet e BE-së. Në një kohë kur qindra mijëra qytetarë kosovarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, çdo vendim që kufizon të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin zgjedhor nuk është vetëm një pengesë administrative; është një humbje e jashtëzakonshme për demokracinë tonë. Shqetësuese dhe paranoike janë deklaratat e zyrtarëve të LDK-së që kundërshtojnë mundësinë e votimit në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike, në shkolla, qendra komunitare ose objekte të tjera ku jetojnë dhe mblidhen qytetarët tanë jashtë vendit. Mosmundësimi i kësaj forme votimi përbën një shans të humbur për Kosovën dhe komunitetin tonë jashtë vendit. Për të qenë të qartë, praktika evropiane dhe ndërkombëtare e mbështet fuqishëm këtë formë votimi: • Turqia organizon qendra votimi jashtë ambasadave, veçanërisht në vendet ku jetojnë komunitete të mëdha turke, duke përdorur shkolla, qendra komunitare dhe salla sportive. • Rumania dhe Kroacia hapin dhjetëra qendra votimi për diasporën në vende të ndryshme, duke mundësuar votim të lehtë dhe të sigurt për qytetarët jashtë vendit. • Moldavia hap polling‑stations në 45 vende jashtë vendit, në salla komunitare dhe objekte të tjera, duke garantuar pjesëmarrje të madhe të diasporës. • Edhe vendet e BE-së me emigracion masiv, si Franca, Italia dhe Spanja, kanë modele të ngjashme, duke bërë të mundur që diaspora të marrë pjesë pa u detyruar të udhëtojë në qytetet ku gjenden ambasadat dhe konsullatat. Është e qartë se vota e diasporës nuk është opsionale, por pjesë thelbësore e legjitimitetit demokratik të Kosovës. Të mohosh këtë mundësi është të mohosh pjesëmarrjen e komunitetit, i cili vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të vendit tonë. Në vend që të gjitha subjektet dhe institucionet të angazhohen për të siguruar votim të lirë, të sigurt dhe të qasshëm për çdo qytetar të Republikës jashtë vendit, ata dëgjojnë britma dhe frikë nga ata që vetë e manipuluan procesin e votimit dhe tani frikësohen nga ballafaqimi me vullnetin e qytetarëve tanë jashtë vendit. Votimi në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike është jo vetëm një standard demokratik, por edhe një shans për Kosovën të tregojë se respekton të drejtën e çdo qytetari për të vendosur mbi të ardhmen e vendit të vet.
Alternativa, dega në Pejë, do të vazhdojë edhe më fuqishëm me aktivitete
Kështu janë dakorduar anëtarët e Alternativës në takimin e sotëm, ku mori pjesë edhe sekretarja znj. Diana Qarkaxhija, së bashku me aktivistë të tjerë të degës së Pejës. Gjatë takimit u diskutuan në detaje përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, dinamika e aktiviteteve të ardhshme, si dhe vizioni i Alternativës Liberale për një politikë më të hapur, moderne dhe të fokusuar te qytetari. Atmosfera bashkëpunuese dhe energjia pozitive konfirmuan vendosmërinë e degës së Pejës që të japë kontribut të fuqishëm në fushatën e ardhshme dhe në rritjen e ndikimit të Alternativës në skenën politike. Takimi u përmbyll me aderime të reja në Alternativë, dëshmi e rritjes së besimit dhe mbështetjes për vizionin tonë për një politikë gjithëpërfshirëse.











