Mimoza Kusari-Lila: Për shkak se jemi Republikë Parlamentare dhe mbajmë përgjegjësinë për të gjitha premtimet dhe veprimet që i bëjmë, unë besoj që qytetarët duhet ta japin verdiktin final të këtyre rrethanave. Nuk mund të krijojmë situata, në të cilat do ta gjejmë zgjidhjen gjithmonë në gjykatë pa e ndierë peshën e përgjegjësisë publike dhe besimin e qytetarëve, të cilët na kanë dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetarja e Alternativës: Me ose pa tërheqjen e presidentes, Kushtetuesja e obliguar të specifikojë veprimet pas 8 gushtit
Prononcimi i kryetares së Alternativës lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit.
Inxh. Merkur Beqiri, kandidat për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga Alternativa
Sot Alternativa prezantoi kandidatin për Kryetar të kryeqytetit Prishtinës, Ing. Msc. Merkur Beqiri. Kandidaturën e prezantoi kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, e cila ka thënë se Merkuri është profesionist me përvojë të gjatë ndërkombëtare në fushën e zhvillimit, teknologjisë, bujqësisë/pylltarisë dhe të shëndetësisë publike. “Z. Beqiri sjell me vete mbi tri dekada të angazhimeve profesionale në më shumë se 15 shtete të botës, përfshirë bashkëpunimin me agjencitë më të njohura të Kombeve të Bashkuara si UNHCR, WHO, FAO dhe WB. Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave, hartimin e politikave zhvillimore dhe udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara përfaqëson një vlerë të veçantë për platformën tonë politike dhe Kosovën si shtet”, ka thënë ajo. “Prezantojmë Merkurin të mërkurën më 6 gusht sepse 6 plus 6 bëjnë 12 e më 12 tetor votojmë Merkur Beqirin për kryetar të Kryeqytetit”, ka theksuar ajo. Kandidati i Alternativës për Kryetar të Kryeqytetit në fjalën e tij ka thënë se Prishtina vuan nga mungesa e planifikimit, vuan nga administrimi pa timon. “Prishtina vuan nga mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, nga trafiku i ngulfatur dhe mungesa e një transporti publik efikas. Kryeqytetit i duhet stabilitet, rend dhe siguri. Do të angazhohemi për mikrëqenie dhe shëndet, e në focus do ta kemi arsimin, sportet dhe turizmin. Po ashtu në program do të shpalosim planin për mjedis arte dhe kulturë. Prishtinën synojmë ta bëjmë kryeqytetin më të jetueshëm në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë mes tjerash Beqiri. Merkur Beqiri është inxhinier me një karrierë të gjatë duke përfshirë digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe arsimin. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe punën e tij në arsim gjatë viteve të 90-ta, nisma pioniere në fushën e digjitalizimit të gjuhës shqipe dhe edukimit teknologjik. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare dhe në veçanti gjatë pandemisë COVID-19 është vlerësuar nga komuniteti profesional dhe ndërkombëtar dhe ndihmoi në menaxhimin më të mirë duke shpëtuar jetë dhe kursyer resurse. Beqiri ka banuar në 6 kryeqytete të botës, kështu ai sjell përvoja të pasura dhe perspektiva të ralla për menaxhimin dhe zhvillimin e Kryeqytetit.
Reshat Nurboja kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës
Alternativa me kënaqësi dhe krenari prezanton kandidatin për Kryetar të Komunës së Pejës, z. Reshat Nurboja! Dr. Sc. Reshat Nurboja, ekspert i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, është një emër me integritet të lartë, përvojë të gjatë në jetën institucionale, dhe një vizion të qartë për një Pejë të zhvilluar e gjithëpërfshirëse. Me gati katër dekada përkushtim në politikë dhe administratë, z. Nurboja ka mbajtur pozita kyçe: Këshilltar Politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës (2021–2025) Zëvendësministër në Qeverinë Kurti 1 (2020) Drejtor i Administratës në Komunën e Pejës (2010–2013) Drejtor i Teatrit “Istref Begolli” në Pejë (2007–2008) Profesor universitar në disa institucione të arsimit të lartë Autor i shumë librave shkencorë dhe publicistikë, aktivist i hershëm politik dhe themelues i Partisë Republikane të Kosovës, z. Nurboja ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të vlerave demokratike. Nga koordinimi me organizata ndërkombëtare si ILO e NDI, deri te angazhimi në jetën kulturore e akademike të Pejës – ai sjell një përvojë unike dhe të gjithanshme për t’i dhënë qytetit vizion, rritje dhe drejtim të ri.
Alternativës i bashkohet i inxhinieri Besar Agushi
Alternativa mirëpret inxhinierin Besart Agushi, me vendbanim në Francë dhe angazhim profesional në Zvicër, si anëtarin më të ri të saj! Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila gjatë prezantimit ka thënë se me bindje liberale dhe vizion të përbashkët politik, Besarti sjell në Alternativë përvojën e tij si inxhinier civil i specializuar në infrastrukturë rrugore dhe planifikim urban. Ai nuk vjen vetëm me dije e përkushtim për Kosovën, por gjithashtu hap një derë të re për Alternativën në Zvicër, Francë dhe Gjermani – aty ku diaspora jonë po shfaq gjithnjë e më shumë interes për t’u përfshirë politikisht. Me prejardhje nga Peja, i martuar dhe baba i tri vajzave, Besarti mishëron përkushtimin e një profesionisti të suksesshëm dhe qytetari aktiv që beson në ndryshim. Mirë se erdhe në Alternativë, Besart! Bashkë për një Kosovë më progresive, më të drejtë dhe më të lidhur me diasporën tonë!
NDI mban Ditën e Alternativës
“Dita e Alternativës” – një ditë për të ardhmen që duam! Sot u mbajt me sukses aktiviteti “Dita e Alternativës”, organizuar nga NDI dhe i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim . Në qendër të këtij takimi ishin gratë, vajzat dhe të rinjtë – zëri i progresit dhe energjia e ndryshimit. Me fokus të veçantë në përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, po ndërtojmë themelet për një fushatë gjithëpërfshirëse, frymëzuese dhe me ide të qarta për zhvillimin e komunave tona. Nancy Soderberg, drejtoreshë e lartë rezidente, e NDI në Kosovë ka përgëzuar kryetaren e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila për punën dhe angazhimin e saj të suksesshëm në politikë. Ndërsa kryetarja Mimoza Kusari- Lila në fjalën e saj mes tjerash ka shpalosur sfidat që e kanë përcjellur në rrugëtimin e saj politik. Ajo ka shpalosur vizionin dhe platformën zgjedhore lokale të partisë për vitin 2025. U prezantuan shembuj praktik nga pjesëmarrësit dhe vizione të reja për mënyrën si duhet të ndërtohet një fushatë për zgjedhjet lokale – me qytetarin në qendër dhe me theks në përfaqësimin e barabartë, transparencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal. Alternativa, si parti me vlera liberale dhe vizion për një shoqëri moderne dhe të drejtë, do të marrë pjesë për herë të dytë që nga viti 2017 në zgjedhjet locale, me lista për asamble dhe kandidatë për kryetarë komunash në disa qytete të Kosovës. Ne besojmë në politika me përmbajtje, përfaqësim me integritet dhe angazhim të sinqertë për qytetarin. Alternativa jonë është Alternativa për Kosovën!
Nakie Berisha i bashkohet Alternativës
Alternativa mirëpriti me kënaqësi znj. Nakie Berisha – një grua me vizion të gjerë, përvojë të pasur dhe një histori frymëzimi në shërbim të shoqërisë. E diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, rrugëtimi i saj profesional e çoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1986, ku për afro një dekadë dha kontribut të çmuar në Shoqatën “Motrat Qirijazi” në New York, në fushën e emancipimit dhe fuqizimit të grave shqiptare. Pas rikthimit në Kosovë, Nakia vazhdoi misionin e saj përmes rolit në KFOR dhe për gati dy dekada shërbeu si përkthyese dhe këshilltare kulturore në kampin Bondsteel, duke qenë një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet komunitetit vendor dhe misioneve ndërkombëtare. Alternativa ndjehet e nderuar që një profil kaq i çmuar i është bashkuar rrugëtimit tonë për një Kosovë më demokratike, më përfshirëse dhe me gra më të fuqizuara në çdo fushë të jetës. Mirë se erdhe në Alternativa, znj. Nakie Berisha!
Kryetarja e Alternativës vizitoi kompaninë AnchorzUP
Jeta Zagragja është ndërmarrëse, shembull frymëzimi dhe histori suksesi nga Kosova për botën! Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila gjatë vizitës që i bëri kompanisë që ajo drejton, ka shprehur admirimin e saj për punën me përkushtim që bën ajo. Grua vizionare, ndërmarrëse inovative dhe një histori suksesi që po e vendos Kosovën në hartën globale të teknologjisë dhe kreativitetit – kjo është Jeta Zagragja, kështu e ka quajtur Kusari Lila zonjën Jeta. “Jetën kam pasur fatin ta mentoroj gjatë viteve të saj të studimeve në AUK por edhe si praktikante në AmCham Kosova kur e drejtoja organizatën. Jo vetëm atëbotë, por në vazhdimësi, Jeta tregoi një përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm për ndërmarrësinë dhe inovacion. Sot, ajo udhëheq AnchorzUP, një kompani që ajo me vëllain Lumin e kanë ndërtuar me shumë mund dhe dashuri, duke drejtuar bashkë me një ekip prej 30 bashkëpunëtorësh të përkushtuar. Sot ajo na priti në ambientet e reja të AnchorzUP, një hapësirë që pasqyron qartë shpirtin inovativ, hapësirën e përbashkët dhe reflekton shijen dhe orientimin e kompanisë drejt të ardhmes ende më të suksesshme”, ka thënë Kusari-Lila. “AnchorzUP, duke ndërthur artin me kreativitetin, ka arritur për një kohë të shkurtër të bëhet një emër i njohur jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë ndërkombëtar, duke shërbyer me sukses klientë në ShBA, Zvicër dhe Australi. Rrugëtimi i Jetës është një dëshmi e fuqisë së ideve të reja dhe potencialit të jashtëzakonshëm që ka Kosova për të promovuar inovacionin dhe tërhequr investime të huaja”, ka shtuar ajo. Suksese të mëtejshme, Jeta! Kosova ka nevojë për më shumë shembuj si ti.
Alternativa shënoi 8 vjetorin e themelimit mes shumë suksesesh
27 korriku shënon 8 vjetorin e themelimit të Alternativës. 8 vjet përpjekje e angazhim me frymën liberale për të lënë gjurmë në historinë politike të vendit tonë. Pa dyshim kjo ecje nuk ka qenë as e shkurtër as e lehtë, por bindjet tona të thella, qëndrimet e drejta, vizioni i qartë, kanë bërë që Alternativa gjithmonë të jetë në funksion të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe integrimit. Në shënim të ditëlindjes së 8-të të Alternativës, u mbajt një ceremoni madhështore, ku morën pjesë bashkëpunëtorë, aktivistë dhe përkrahës të shumtë nga Alternativa dhe partnerët e saj në Qeverisje. Ceremoninë e madhështuan fëmijët të cilët përfaqësuan simbolin e viteve të aktivitetit të Alternativës dhe viteve të bashkëpunimit me partitë në skenën politike të Kosovës. I pari nga folësit në ceremoni, ishte nënkryetari i Alternativës z. Reshat Nurboja i cili ka thënë se pas 30 viteve pjesëmarrje aktive në politikë i jam bashkangjitur Alternativës liberale. “Të gjithë anëtarëve e simpatizantëve, përkrahësve të subjektit Alternativa ju uroj 8 vjetorin e zyrtarizimit të saj si parti me shpresë e besim që të dalim faqebardhë në detyrat dhe obligimet që i kemi përpara”, ka thënë ai. Faton Peci, bashkëkryetar i partisë Guxo duke uruar Alternativën në këtë ditë festive ka theksuar se, skenës politike kosovare i duhet vizioni dhe diversiteti. “Ju jeni me fat që e keni një lidere e cila është shembull pozitiv i bashkëpunimit e cila çdo herë e ka interes dhe prioritet Kosovën. Kudo që Alternativa ka pasur përfaqësim unë kam parë përkushtim e angazhim maksimal. Mimoza është shembull pozitiv dhe pikë reference që duhet me u ndjek edhe nga gjeneratat e reja”, ka thënë Peci. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministri, z. Albin Kurti, përgëzoi kryetaren dhe anëtarët e Alternativës, si dhe simpatizantët e saj, duke uruar për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen. “Ndjehem i nderuar që jam sonte me ju, ku po shënojmë 8 vjet nga themelimi i partisë Alternativa. Tash e 6 vjet Lëvizja VETËVENDOSJE dhe partia Alternativa ecim së bashku në udhën institucionale të Republikës së Kosovës. Alternativës rregullisht i janë rritur votat dhe sivjet krahasuar me para 8 viteve kryetarja, Mimoza ka më shumë se karëfishin e votave. Ka qenë një bashkëpunim i ndërsjelltë me qëllime të përbashkëta dhe me mirëkuptimin për dallimet që nuk na ndajnë por na ndihmojnë të shohim të gjitha nuancat e shoqërisë. Alternativa ka dhënë dëshmi të plotë për besnikëri të votës dhe besimit të cilin na e kanë dhënë qytetarët. Sonte dua ta falënderoj kryetaren Mimoza Kusari-Lila për punën që ajo nuk e ndali kurrë për forcën e saj që s’ia pamë kufinjtë asnjëherë. Mimoza këto katër vite ju drejtoi ju por na drejtoi edhe ne si kryetare e Grupit Parlamentar. Ky bashkëpunim mbase do të futet në manualet e shkencave politike kur flitet për koalicionet dhe partneritetet”, është shprehur Kurti. “Me shumë dinamikë Mimoza ka koordinuar Grupin tonë Parlamentar në një frymë kolegialiteti. Ajo ka qenë një shtyllë e rëndësishme e bashkërendimit ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit. Mimoza ka drejtuar me shumë sukses edhe Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim dhe ka mbajtur raporte të shkëlqyera me vendet mike e aleate të Kosovës. Unë shpreh mirënjohjen time të thellë për këtë bashkëpunim”, është shprehur ai mes tjerash. Ceremoninë protokolare e përmbylli kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se në kohë të paqëndrueshme, Alternativa solli qëndrueshmëri: “Sot bëhen 8 vite që kur Alternativa zyrtarisht u bë pjesë e skenës politike në Kosovë. E nisur me idealin dhe zellin e ofrimit të mendimit të ri politik, orientimit liberal të qendrës, përfshirjes dhe ngritjes së angazhimit të të rinjve në jetën politike dhe vendimmarrëse, kaluam nëpër katër palë zgjedhje parlamentare dhe dy palë zgjedhje lokale. Në këto vite, demokracia jonë e re kaloi nëpër sfida të paimagjinueshme për një shtet të ri, por ne qëndruam. Dhe jo vetëm që ishim aty, por edhe dhamë kontributin tonë të çmuar për shtetin, sovranitetin, demokracinë dhe zhvillimin”. Ajo, u uroj mirëseardhje të gjithë përfaqësuesve të degëve të Alernativës nga Gjakova, Prishtina, Peja, Mitrovica e Jugut dhe Veriut, Prizreni dhe Vushtria dhe gjithë miqëve të Alternativës, të cilër rrugëtuan me ne në cilëndo fazë të këtij përvjetori të tetë”. Kryetarja Kusari – Lila, gjithashtu përmendi me respekt bashkëthemeluesin e Alternativës, bashkëpunëtorin e saj të ditëve të para të jetës institucionale të pasluftës në Kosovë, z. Ilir Deda. Ajo shtoi se, “Edhe pse sot me Ilirin ndodhemi në binarë politikë të ndryshëm, besimi ynë i përbashkët në demokracinë pluraliste dhe mendimin ndryshe mbetet i palëkundur – dhe kjo është pasuria më e madhe e demokracisë tonë të re të Kosovës dhe vlerave të partisë liberale, Alternativës.” Lidhur me situatën aktuale në vend ajo shtoi: “Një e vërtetë vazhdon të na rikonfirmohet, Demokracia dhe shteti i lirë nuk mund të merren për të mirëqena. Ato duhet mirëmbajtur dhe kultivuar me dashuri dhe pasion çdo ditë dhe nga çdo nivel. Përbrenda vendit, duhet të mbajmë fokusin tek platforma zhvillimore dhe tek zvoglimi i konfrontimit. Na duhet një sistem i së drejtës, profesionist dhe me integritet. Alternativa ofron dhe ndan vizionin e saj për një dinamizim të agjendës zhvillimore dhe progresive. Vizioni i Alternativës për: • ekonomi qarkore, ku çdo resurs menaxhohet me kujdes dhe jo abuzohet, • shtet që mbron mjedisin, jo që hesht për ndotjen, • teknologji dhe inovacion, ku të rinjtë aktivisht bëhen krijues dhe simbol i zhvillimit dhe mundësive në vendin tonë • shërbime publike të digjitalizuara, që nuk lodhin qytetarin, por i shërbejnë atij me efikasitet. Kosova ka potencial, andaj aktivisht na duhet politikë që e liron këtë potencial dhe e kulmon në zhvillim.” Kryetarja Mimoza Kusari-Lila, në përmbyllje falenderoi të gjithë të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen e thellë si dhe shprehu mirëseardhje për gjithë liberalët në shtëpinë e vlerave liberale, Alternativën. Alternativa po ec në rrugë të drejtë e të mbarë!
Panel diskutimi mbi varësitë, thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim
Alternativa organizoi panelin e dytë në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Hapura të Alternativës. Profesionsitë për trajtimin e varësive dhe familjarë të personave që përballen me varësi, Dr. Skender Bacaj- pulmolog, Merkur Beqiri, Ganimete Pashoja Myftiu dhe Muharrem Ademi trajtuan një nga sfidat më serioze të kohës sonë: varësinë nga droga, duhani, lojërat elektronike dhe të tjera që po prekin gjithnjë e më shumë familjet tona. Panelistët ndanë njohuritë, përvojat dhe rekomandimet e tyre për parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e personave të prekur. Është e dukshme që në Kosovë, në katër vitet e fundit, ka pasur progres në identifikimin dhe trajtimin e personave me varësi, por ende ekziston nevoja që sistemi publik të përforcohet me mbështetje nga organizatat e tjera. Gjithashtu, është vërejtur përmirësim në furnizimin me medikamente që ndihmojnë në shërimin nga varësitë. U theksua si e domosdoshme ndërveprimi dhe koordinimi i aktiviteteve ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, për krijimin e një programi gjithëpërfshirës që do të shtrijë aktivitetet sportive dhe kulturore në të gjitha nivelet e edukimit fillor dhe të mesëm në sistemin publik, si dhe të forcojë aktivitetet jashtëkurrikulare. Ky diskutim ishte një hap tjetër drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse në hartimin dhe miratimin e politikave legjislative dhe qeverisëse për të adresuar sfidat e kohës.










