Kryetarja e Alternativës, deputetja znj. Mimoza Kusari-Lila, para nisjes së vazhdimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, të premten ka folur rreth nevojës për një qasje konstruktive, pasi siç ka thënë ajo, inati nuk të çon askund. “Inati nuk sjell asnjëherë, asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Vendimi i Gjykatës rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues
“Me të gjitha kufizimet evidente për trajtim përmbajtësor të kërkesës së deputetëve nënshkrues, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për procesin e votimit në seancën konstituive, vendimi i Gjykatës në thelb rithekson se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 66- të Kushtetutës”, kështu është shprehur kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari-Lila, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, të enjten, që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Ajo ka shtuar se, interpretimet e partive opozitare se gjoja është hedhur poshtë votimi i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese edhe sikur të ishin të sakta (e nuk janë), nuk e justifikojnë mungesën në votimin e hapur për Komisionin zgjedhor. “Ai votim është i hapur dhe, sipas vendimit të Gjykatës, pjesëmarrja në votim është obligim kushtetues. Andaj, të nderuar deputetë: mos vazhdoni me shkelje të Kushtetutës, por merrni pjesë në votim. Nesër, në ora 11:00, ne do të jemi aty — të gatshëm për votim dhe përmbyllje të seancës konstituive. Koha e mosjesëmarrjes në votim mbaroi — tani është koha për votim dhe përgjegjësi serioze ndaj Republikës dhe Kushtetutës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Dalim vetëm në zgjedhje lokale, partneriteti me VV mbetet në nivel qendror
Kryetarja e Alternativës, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Mimoza Kusari-Lila e ftuar në emisionin DPT te Fidani, mes tjerash ka folur edhe për në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit për çka ka theksuar se do të garojnë si subjekt politik, vetëm. Ajo vënë në pah faktin se, në nivelin qendror nuk do të ndërrojë asgjë lidhur me koalicionin e tanishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE “Për mu si kryetare e Alternatives është një sfidë, por e paraqet një mundësi të re për me dal prej fazës ku ti rri në listë në parti të madhe, me pa forcën politike, kapacitetin politik dhe strukturave tuaja, dhe natyrisht edhe mundësinë me shpërnda frymën liberale dhe mendimin, dhe qëndrimet tana në raport mne zhvillimin dhe vizionin tanë që nuk është domodoshmërisht i lidhur me VV”, tha Kusari – Lila. “Është Lëvizja VETËVENDOSJE ajo që ka vendos këtë për zgjedhjet lokale. Ky diskutim është pas zgjedhjeve lokale të vitit 2021. Domethënë kjo është një temë që nuk është risi për ne, edhe pse mundet me qenë për opinionin publik”, është shprehur ajo mes tjerash.
Kryetarja Kusari-Lila kritikon bojkotin në Kuvend, thekson rëndësinë e partneritetit me SHBA-në
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të senacës së 33-të të Kuvendit të Kosovës në fjalën e saj, fillimisht u ndal te raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si partneritet strategjik të pakontestueshëm. Ajo ka kritikuar opozitën e deritanishme për mos votim duke thënë se nuk po votohet individi, por komisioni për votimin e kryekuvendarit. “ShBA-të mbeten pakontestueshëm partneri më strategjik i Republikës së Kosovës si në të kaluarën ashtu dhe në të ardhmen. Aktualisht bashkëpunimi ynë është shumë i ngushtë në fushën e mbrojtjes, në veçanti. Referenca që po i bëhet ri-përsëritjes së deklaratës së presidentit Trump, i referohet një marrëveshje në kohën e tij. Po besoj që ka më tepër zell të brendshëm lokal për të përfshirë në një formë ose tjetër, sesa që kam parë referencë të saktë për ngjarjet në Kosovë. Sot kam dëgjuar interpretimin se presidenti Trump ka bërë thirrje për konstituim të institucioneve. Kjo çka po ndodh këtu aktualisht është përgjegjësi e një klase politike të përbashkët dhe të përdoret një deklaratë e tillë në luftën e brendshme politike më duket paksa absurde”, ka thënë Kusari-Lila.
Mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, Alternativa garon në Zgjedhjet Lokale
Nën kryesimin e kryetares znj. Mimoza Kusari-Lila të mërkurën është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të Alternativës. Në këtë mbledhje u diskutua gjerësisht për çështje organizative, pastaj për situatën aktuale politike si dhe rreth pjesëmarrjes në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale që do të mbahen më 12 tetor 2025. Anëtarët e Alternativës shprehin besimin e palëkundur në kapacitetet profesionale, njerëzore dhe morale të këtij subjekti politik liberal – demokratike. Ky besim është ndërtuar mbi një bazë të fortë angazhimi, përkushtimi dhe rezultate konkrete në terren. Alternativa vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për ndryshimin, duke promovuar transparencën, drejtësinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët. Në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 12 tetor, entuziazmi dhe vendosmëria në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve tanë është më e lartë se kurrë më parë. Pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë e sigurt, masive dhe me bindje të plotë në vizionin dhe programin e Alternativës, e cila mbetet e përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Alternativa fton të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje për ndryshim të vërtetë dhe të marrin pjesë aktivisht në zgjedhjet e 12 tetorit, me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.
Kusari-Lila në KTV: Mbajtja e një palë zgjedhjeve nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, reflekton keq për të gjitha partitë
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, në emisionin Interaktiv në Koha Vision, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare nuk do të ishte zgjidhja optimale për situatën aktuale politike në vend. Ajo ka folur edhe për kandidaten për Kryetare të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu si gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. “Nuk është çështja e emrit, është çështje e parimit. Është precedent i keq për të ardhmen që mund të krijojë përshtypjen se Haxhiu ishte vetëm një manipulim i Kurtit për të shtyrë partitë tjera të pranonin një kandidat tjetër’, ka thënë kryetarja Kusari-Lila. Ajo ka thënë se nuk është kundër nëse zgjedhjet mbesin si opsion i vetëm, por ato duhet të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet komunale, për të shmangur ngarkesën e tepërt ndaj qytetarëve. “Kam thënë prej fillimit se mund të mbetet mundësia e vetme, por absolutisht jo më e favorshme për qytetarët. Mbajtja e një palë zgjedhjeve nacionale, pa rezultat në formimin e institucioneve, do të reflektonin keq për të gjitha partitë”, ka thënë ajo. Duke folur për zgjedhjet lokale që tashmë është përcaktuar data, më 12 tetor 2025, ajo ka thënë se do të garojnë ndamas nga VETEVENDOSJE. “Është shumë e rëndësishme që përveç se të kemi kandidat me program, të punojmë më shumë për promovimin e frymës liberale dhe atë se çfarë përfaqësojmë ne”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Alternativës për 10 Qershorin: Amaneti i Lidhjes është mbrojtja e shtetit
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila duke kujtuar 147 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka thënë se 10 Qershori është dita e amanetit kombëtar. Ajo ka shtuar se, kjo datë mbart shpirtin e qëndresës dhe të lirisë shqiptare. “10 Qershori është një datë që mbart ngjarje domethënëse për shqiptarët dhe shtetin e tyre, me një emërues të përbashkët: mbrojtjen e tokës, lirisë dhe të drejtës për një shtet sovran. Në historinë e re të kombit, 10 Qershori vazhdon të shënohet si një datë me rëndësi të veçantë për lindjen dhe formimin e shtetit të Kosovës. 📍 10 Qershor 1878 – U themelua Lidhja e Prizrenit, organizimi i parë politik gjithëkombëtar për të ruajtur tokat shqiptare nga copëtimi pas disfatës së Perandorisë Osmane. Ishte zëri i parë modern i vetëdijes kombëtare. 📍 10 Qershor 1999 – NATO ndal sulmet ajrore kundër forcave serbe, duke hapur rrugë për zbatimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, ndërsa u hap rruga për çlirimin dhe vendosjen e paqes. 📍 10 Qershor 2007 – Presidenti amerikan George W. Bush, gjatë vizitës në Tiranë, shpalli qartë: “Vjen momenti, më herët se sa më vonë, kur duhet thënë – mjaft më! Kosova është e pavarur!” Një deklaratë që vulosi mbështetjen për pavarësinë e vendit tone”, ka thënë kryetarja Kusari Lila. “Lidhja është gjallë sepse idealet e saj janë ende gjallë. Sot, përballë sfidave të brendshme dhe jashtme, kujtesa historike na thërret që të qëndrojmë të bashkuar, të vendosur dhe krenarë. Kosova nuk ka kthim prapa. Ajo ecën përpara me dinjitet, guxim dhe besim në vetvete”, ka shkruar ajo. “Amaneti i Lidhjes është mbrojtja e shtetit”, ka theksuar Kusari Lila.
Dobruna për Kurban Bajram: Qofshin të pranuara sakrificat dhe lutjet tuaja
Me rastin e Kurban Bajramit, përfaqësues të Alternativës vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjakovë ku u pritën nga kryetari, Dr. Valon ef. Myrta. Të prirë nga kryetari i degës, z. Agon Dobruna, sekretarja znj. Diana Qarkaxhija, si dhe anëtarë të tjerë të Alternativës, ata përcollën urimet më të përzemërta për një Bajram të begatë, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për forcimin e vlerave të paqes, solidaritetit dhe mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve. Dobruna: “Urojmë që kjo festë e shenjtë të sjellë paqe, begati dhe dashuri në çdo familje. Qofshin të pranuara sakrificat dhe lutjet tuaja. Gëzuar Kurban Bajramin!” Gjatë vizitës, përpos që uruan festën, theksuan rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për të varfërit.
Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës: Nëntë vite lidhje mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve
Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës, tashmë një ngjarje tradicionale që organizohet për të nëntin vit radhazi, vazhdon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet punëdhënësve dhe punëkërkuesve në Kosovë. Ky panair ofron një platformë të hapur për bashkëpunim, duke krijuar mundësi konkrete punësimi, ndërtimi karriere dhe zhvillimi profesional. Organizuar në bashkëpunim nga Qeveria e Kosovës, Qeveria Gjermane përmes Agjencisë së Punësimit dhe GIZ Kosova, në partneritet me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna ka thënë se panairi ka mbledhur rreth 130 kompani dhe institucione pjesëmarrëse, të cilat prezantojnë oferta të ndryshme për punësim, praktika profesionale, trajnime dhe mundësi shkollimi. “Tash e nëntë vite me radhë, Panairi Kombëtar i Punës dhe Karrierës shërben si një hapësirë e cila bashkon punëdhënësit dhe punëmarrësit, duke pasur kështu mundësi dhe përfitime të ndërsjella. Nën organizimin e përbashkët të Qeverisë së Kosovës, Qeverisë Gjermane, nepermjet Agjencisë së Punësimit, G.I.Z Kosova si dhe Universitetit të Prishtinës „Hasan Prishtina“ dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, panairi mblodhi rreth 130 kompani e institucione pjesëmarrëse që do të promovojnë oferta të ndryshme për përfshirje në karrierë, oferta pune, punë praktike, trajnime, apo shkollim. Me mbi 500 vende te lira të punës në dispozicion në sektorë të ndryshëm, panairi pritet të ofrojë mundësi reale të përfshirjes në tregun e punës”, është shprehur ai.
Kusari-Lila: Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila ka reaguar karshi situatës aktuale politike në vend. Ajo ka thënë se, pavarësisht mosdakordësive dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake. Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. “Nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, LVV – Guxo – Alternativa dolën me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, LS me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë, KDTP me 2 deputetë dhe SPO, NDS, VAKAT, SDU, PLE, PAI, PREBK, IRDK, JGP me nga një deputet”, ka thënë ajo. 1. Me të filluar seanca për konstituimin e kuvendit të legjislaturës së nëntë me 15 prill, deputetët e opozitës votuan kundër duke pamundësuar betimin e deputetëve. 2. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, i shkroi letër Presidentes Osmani duke e pyetur si të ecim tutje dhe ajo menjëherë ju përgjigj: ju deputetët e zgjedhur merruni vesh e gjeni zgjidhje. 3. Deputetët opozitarë ndërruan qëndrim lidhur me verifikimin e mandateve dhe deputetët u betuan me 19 prill. Subjekti fitues i zgjedhjeve propozoi për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiun, deputeten më të votuar që kishte marrë mbi 125 mijë vota me 9 shkurt. 4. Albulena Haxhiu mori 57 vota, pra 48 të LVV dhe 9 nga komunitetet joshumicë. Në bazë të Rregullores së Kuvendit, seanca duhej vazhduar më së largu çdo 48 orë. Meqë nuk kishte marrëveshje pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive që organizoi kryesuesi Dehari, LVV ishte e detyruar ta përsëriste propozimin e saj. 5. Pas gjashtë votimeve të pasuksesshme për kryetare të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari kërkoi të provojmë votimin e fshehtë bazuar në pikat 124 dhe 125 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 gushti i vitit 2014. Themelimin e komisionit përkatës deputetët opozitarë po e bojkotojnë tash e 16 herë! 6. LDK ka refuzuar të marrë pjesë edhe në takimin për marrëveshje për konstituim të kuvendit me 1 maj, edhe në atë për marrëveshje politike me 5 maj. Të dyja këto takime ishin thirrur nga kryetari i LVV dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti. 7. Që nga 12 maji, çështja e votimit të fshehtë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese nga 5 deputetë të AAK, 5 të LDK-së dhe një të PDK-së. Nesër mbushen tri javë prej se jemi në pritje të gjykimit të saj. 8. LVV e ka kryer obligimin kushtetues, e ka dhënë propozimin e vet për kryetar kuvendi pa asnjë vonesë (për dallim nga PAN-i në verën e vitit 2017). 9. LVV njëmend nuk e ndërron propozimin, por tanimë çështja është kuorumi për votimin e fshehtë dhe jo Albulena. Në kundështim me pikën 128 të aktgjykimit të GjK nga viti 2014, nesër opozita do ta pamundësojë kuorumin për herën e 17! 10. Bojkoti e bllokimi opozitar në thelb është pakënaqësi dhe mospranim i rezultatit zgjedhor. Pavarësisht mosdakordësive dhe rivaliteteve politike, vendi nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake. Kosova ka nevojë urgjente për funksionalitet institucional. Opozita duhet të reflektojë me përgjegjësi për domosdoshmërinë e konstituimit të Kuvendit, për formimin e qeverisë dhe për kthimin e plotë të kompetencave qeverisë në detyrë. Qytetarët kanë votuar dhe presin që institucionet të funksionojnë dhe të marrin vendime fuqiplotë, jo të zvarriten për shkak të inateve politike dhe mospjesëmarrjes në votime në Kuvend.











