Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, të martën ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti ka pranuar ftesën e presidentes znj. Vjosa Osmani për pjesëmarrje në takimin me partitë politike, “Besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim,” tha ajo. Ajo theksoi se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, duke shtuar se zyra e presidentes nuk duhet të përdoret për marrëveshje politike, por për të diskutuar krizën aktuale dhe mundësitë për zhbllokim institucional. “Përderisa po vazhdon kjo përpjekje çdo 48 orë për konstituimin e Kuvendit, në anën tjetër po zhvillohen disa përpjekje jashtë Kuvendit, me mandat të deputetëve, të kota dhe të pasuksesshme, për të ndërhyrë në procese të cilat shumë lehtë do të mund të kanalizoheshin dhe të merrej vendimmarrje e mirëfilltë brenda një Kuvendi të konstituuar. Siç e pamë me përpjekjen e dështuar të LDK-së për të ndikuar në tërheqjen e vendimit të ZRrE-së për energjinë. Është për keqardhje që dikush, me gjithë atë përvojë në legjislativ dhe ekzekutiv, nuk e ka të qartë vendimmarrjen e një organi të pavarur. Është për keqardhje dinamika jashtë Kuvendit, por edhe ajo brenda tij, me mospjesëmarrjen e këtyre partive opozitare në votim”, ka thënë ajo gjatë deklaratës së saj pas përpjekjes për konstituim të Kuvendit të Kosovës. https://www.facebook.com/mimozakusari/videos/1830868417769277
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila pas seancës: Opozita po bën shkelje me mosvotim në Kuvend
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, është deklaruar të dielën pas vazhdimit të seancës konstituive se opozita është duke bërë shkelje me mosvotim në Kuvend. Ajo tha se opozita me mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së, është duke bërë propagandë, pasi këto veprime, sipas saj, nuk kanë asnjë efekt. “Kemi ardhur në një situatë paksa paradoksale në raport me kërkesat dhe veprimet e opozitës së deritashme, të cilat do të duhej të ishin aktivisht të angazhuar në votim. Po e shfrytëzojnë për të ngritu qështje që nuk kanë asnjë efekt, siç është rasti me çështjen e vendimmarrjes së ZRRE-së. Po bëjnë veprime, po bëjnë shkelje në Kuvend, duke mos votuar. Janë duke mbledhur nënshkrime. Ngritje të çështjeve që nuk kanë asnjë efekt real, përveç propagandë që kinse po brengosen për qytetarët”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Për Kosovën, rruga drejt BE-së është e gjatë, por e domosdoshme
Të mërkurën kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës. Me këtë rast ajo shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndër vite, duke theksuar besimin dhe shpresën në të ardhmen evropiane të Kosovës. Ajo ka thënë se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet e gjatë, por e domosdoshme dhe se kjo ditë kujton rëndësinë e bashkëpunimit për paqe, drejtësi dhe zhvillim. “Sot mora pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës. Për Kosovën, rruga drejt BE-së është e gjatë, por e domosdoshme. Kjo ditë na kujton sa e rëndësishme është të punojmë bashkë për paqe, drejtësi dhe zhvillim. Faleminderit BE-së për mikpritjen dhe për gjithë mbështetjen ndër vite. Përpara, me shpresë e besim në të ardhmen evropiane të Kosovës!”, ka thënë kryetarja Mimoza Kusari Lila.
Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë
Alternativa, me përulësi dhe nderim të thellë, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët që ranë heroikisht në betejën e Çabratit më 7, 8, 9, 10 dhe 11 maj të vitit 1999. Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë, me mirënjohje të përjetshme për ata që nuk u kthyen kurrë. “26 vjet më parë në Çabrat të Gjakovës më 7, 8 dhe 9 maj, u zhvillua beteja e vetme në mjedise urbane në Kosovë. Ishte një përballje luftarake mes ushtarëve të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të shumta serbe. Ndonëse të pabarabartë në armatime dhe pajisje, UÇK-ja u shkaktoi humbje të konsiderueshme okupatorëve, të cilët u hakmorrën mbi popullsinë civile duke vrarë, kidnapuar dhe zhdukur dhjetëra persona”, ka kujtuar kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila. “Në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tomë Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazyr Këpuska”, ka theksuar Kusari Lila. “Gjakova kurrë nuk u gjunjëzua dhe pagoi me gjak lirinë e Kosovës. Lavdi heronjëve dhe martirëve të kombit! Të përjetshëm do të mbeten në kujtimet tona!’, ka thënë mes tjerash ajo. Në 26 vjetorin e Epopesë së Çabratit, kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të tjerë, me nderime përkujtuan dëshmorët dhe martirët e rënë për liri. Ata bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë varreve të dëshmorëve, martirëve dhe pranë lapidarit “7 Maji”. Lavdi!
Nderohen dëshmorët Sejdi e Sefedin Tahiraj
Në fshatin Rrypaj të Gjakovës, me zemrën plot dhimbje e krenari, u kujtuan e nderuan dëshmorët Sejdi dhe Sefedin Tahiraj. Kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë z. Agon Dobruna, sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhija dhe bashkëpunëtorë të tjerë u përulën me respekt duke kujtuar sakrificën e tyre për Kosovën tonë të lirë. “Ata nuk vdiqën, por u bënë dritë që ndriçon rrugën e brezave që vijnë. Me armë në dorë dhe me atdheun në zemër, ata i dolën zot kësaj toke në ditët më të errëta, kur gjaku rridhte nëpër gurë e dheu klithte për çlirim”, është thënë me këtë rast. Lavdi përjetë Sejdiut e Sefedinit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! Kujtimi i tyre do të jetojë sa të ketë dritë dielli mbi këtë dhe! Rroftë liria, rroftë gjaku që e solli atë!
Kusari-Lila: Opozita po e pengon procesin, marrëveshja mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ende funksionale
Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të seancës, tha se opozita po pengon procesin dhe se marrëveshja e vjetër politike ende vazhdon të jetë aktive, duke bllokuar çdo mundësi për përparim. “Në emër të dy partive së bashku edhe me Levizjen VETËVENDOSJE, dua të deklaroj që në përmbyllje të gjithë kësaj sage janë të qarta dy argumente të forta e parasegjithash: e para, që partitë e opozitës nuk po duan të ketë zgjidhje, po duan ta mbajnë këtë bllokadë. Dhe e dyta, që marrëveshja mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ende është funksionale. Sot as që erdhi deri te votimi për kandidatin e propozuar nga ne — votimi nuk kaloi. Sot u bllokua që në start çdo mundësi për të pasur një rezultat pozitiv.”, ka thënë ajo në deklaratën e saj për media pas seancës. Ndërkohë deputetja Mimoza Kusari Lila ka folur edhe për Top Channel deri sa ka theksuar se, ne po vijmë me propozime të reja të cilat ata nuk po i pranojnë. https://www.facebook.com/mimozakusari/videos/1729288807621584
Zëvendësministri Dobruna: MFPT ka ndërmarrë hapa konkretë sidomos në sektorët me risk të lartë, siç është ai industrial
I ftuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, zëvëndësministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës, të mërkurën mori pjesë në një diskutim mbi të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës në sektorin industrial, një sektor kyç për zhvillimin ekonomik, por sfidues për sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Me këtë rast ai vlerësoi raportin “Kushtet e punës në sektorin industrial”, si një kontribut domethënës nga shoqëria civile për adresimin e sfidave reale në këtë sektor. Në emër të Qeverisë së Kosovës, përmes MFPT, theksoi hapat konkretë që janë ndërmarrë për përmirësimin e kushteve të punës, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë. “Sot me ftesë nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, isha pjesë e diskutimit të rëndësishëm mbi të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës në sektorin industrial! Një sektor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe një ndër më të ndjeshmit kur flasim për sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Dua ta vlerësoj punën e organizatave të shoqërisë civile që kanë hartuar raportin “Kushtet e punës në sektorin industrial”. Ky raport përbën një kontribut të vlefshëm, në kuptimin më të thellë të sfidave me të cilat përballen punëtorët. Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta adresuar gjendjen në terren, sidomos në sektorët me risk të lartë, siç është ai industrial”, ka shkruar zv/ministri Dobruna.
Përulje e nderim për viktimat e masakrës së Mejës
Në shënim të 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila dhe kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti të shoqëruar nga bashkëpunëtorë e familjarë të viktimave, bënë sot homazhe pranë varrezave të Martirëve në Mejë të Gjakovës. Në këtë ditë kujtuan jo vetëm tragjedinë e madhe që e kanë përjetuar këta familjarë dhe të gjithë qytetarët tanë gjatë luftës, por ndanë edhe dhembjen me ta. Me këtë rast u shpreh mirënjohje e thellë për 376 viktimat e masakrës më të madhe në Kosovë. Në Meje janë janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe e gjinie, pa dallim prejardhjeje e pa dallim feje. Lavdi dëshmorëve e martirëve!
PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit, pra edhe kundër mandateve të tyre, ka thënë kryetarja e Alternativës
Kryetarja e Alternativës, deputete e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari Lila, ka reaguar pasi opozita nuk e votoi raportin e certifikimit të rezultateve për konfirmimin e mandateve të deputetëve. Ajo ka thënë se PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit, pra edhe kundër mandateve të tyre. “Për herë të parë në Kosovë, opozita aktuale dhe ajo e ardhshme nuk e voton raportin për certifikimin e rezultateve dhe konfirmimin e mandateve. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit – pra edhe kundër mandateve të tyre. Me këtë veprim, sot, përmes një tjetër shfaqjeje të paaftësisë së tyre të vazhdueshme, treguan se nuk e pranojnë më rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ”, ka thënë Kusari Lila.
Kusari-Lila për viktimat e dhunës seksuale: Sot dhe çdo ditë tjetër – zëri juaj do të dëgjohet, dhe krimi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar
Në Kosovë, 14 prilli shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës. Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka thënë se kjo është një ditë përkujtimi, dhimbjeje, por edhe krenarie për forcën dhe kurajon njerëzore. “Pikërisht më 14 prill, gjashtë vite më parë, Vasfije Krasniqi Goodman në përvjetorin e njëzet të dhunës së shkaktuar ndaj saj, doli për herë të parë publikisht dhe foli për tmerrin që kishte përjetuar gjatë luftës – dhe për forcën që gjeti për ta përballuar atë. Zërit të saj iu bashkua edhe Shyrete Tahiri. Të dyja u bënë zë i fuqishëm, shtyllë dhe dritë për mbi 20 mijë gra dhe burra që përjetuan dhunën seksuale nga regjimi gjenocidal serb”, ka thënë ajo. “Këtë vit, në këtë përvjetor që të prek thellë në shpirt, tregimit të mbijetuarve iu bashkua edhe zëri i Ramadan Nishorit, burri i parë shqiptar që foli publikisht për traumën e tij. Ai tregoi për betejën e brendshme, përkrahjen e familjes dhe rrugëtimin nga dhimbja dhe tmerri në rehabilitim. Ramadani e gjeti forcën tek tregimi i Vasfijes dhe më pas Shyretes, dhe sot ai vetë bëhet frymëzim për shumë të tjerë”, ka thënë mes tjerash kryetarja Kusari Lila. Ajo ka shtuar se, pas të gjitha tregimeve publike, qëndron puna e palodhur dhe e përkushtuar e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe udhëheqja e jashtëzakonshme e drejtoreshës Feride Rushiti. Ata kanë qenë mbështetje e pashoqe për të mbijetuarit – një dritë shprese në errësirën e traumës. “Mirënjohje dhe respekt i thellë për të gjithë ata që kanë folur dhe për ata që ende janë në kërkim të forcës për ta bërë këtë. Tregimi i tyre është tregimi i dhimbjes sonë kolektive, i sakrificës, por edhe i triumfit të jetës mbi vdekjen dhe i dinjitetit mbi heshtjen. Tregimi i Ramadanit sot është edhe thirrje për guxim për ata dhe ato që ende hezitojnë, por që kanë nevojë të dinë se nuk janë vetëm. Dhimbja e tyre është e jona. Dhe, turpi nuk është i tyre turpi është i agresorit që shkaktoi dhunën”, ka theksuar Kusari Lila. Sot dhe çdo ditë tjetër – zëri juaj do të dëgjohet, dhe krimi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.











