Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas dështimit të 19-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo ka ripërsëritur se janë partitë opozitare ato që po bllokojnë procesin. “Këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare për komisionin për votimin e fshehtë. Në situatën aktuale, e kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë ku bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim”, ka thënë ajo. “Në rast se duan të bëjnë Qeverinë ose të jenë pjesë e një qeverie të partive opozitare të deritashme, atë nuk mund ta kenë pa u votuar kryetari, nënkryetarët dhe pa u konstituuar Kuvendi. Nuk është që kemi hezituar të vijmë çdo 48 orë por kemi propozuar për shkak se nuk ka lëvizje të qëndrimeve të tyre” , ka shtuar Kusari-Lila.
Deklarata e kryetares së Alternativës pas vazhdimit të seancës konstituive
Të shtunën kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, mohoi akuzat për shkelje të rregullores së Kuvendit lidhur me propozimin që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë siç është paraparë. Ajo pas vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, sqaroi se ishte një propozim i hapur për konsultim mes grupeve parlamentare dhe jo një veprim i njëanshëm. Kusari-Lila tha se propozimi nuk u pranua dhe rrjedhimisht nuk u realizua, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë shkelje të rregullores. https://www.facebook.com/watch?v=1746309589285380
Zv/ministri Dobruna në Shkup: Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës është e një rëndësie të veçantë
Të mërkurën në Shkup të Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt Konferenca Rajonale: “Sfidat e Punësimit dhe Përfshirjes Sociale të Personave me Aftësi të Kufizuara në Ballkanin Perëndimor”. Zëvendësministri i Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve z. Agon Dobruna, njoftoi pjesëmarrësit për hapat dhe progresin e arritur në këtë drejtim, përfshirë ndryshimin dhe plotësimin e rregulloreve përkatëse në shërbim të personave me aftësi të kufizuara. Dobruna prezantoi masat e ndërmarra përmes Agjencisë së Punësimit dhe vëmendja e shtuar për kategoritë e cenueshme nëpërmjet inspektimeve të kryera nga Inspektorati i Punës. Ai ka theksuar se po ndërmerren hapa të rëndësishëm në kuadër të reformës së skemës së asistencës sociale dhe fuqizimit të ndërmarrësisë sociale si koncept. “Me pjesëmarrjen e shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe organizatave të shoqërisë civile vendore e ndërkombëtare, patëm rastin të diskutojmë, shkëmbejmë përvojat dhe të tregojmë të arriturat, sa i përket përfshirjes sociale për personat me aftësi të kufizuar dhe sfidat që na presin përpara për të avancuar më tutje politikat dhe përkushtimin në këtë fushë. Pjesëmarrësit i njoftova për hapat dhe progresin e arritur në këtë drejtim si Ministri e Financave, Punës dhe Transfereve, duke ndryshuar dhe plotësuar regulloret përkatëse, në shërbim të personave me aftësi të kufizuar. Gjithashtu edhe masat e zhvilluara përmes Agjencisë së Punësimit dhe vëmendjen e shtuar për kategoritë e cënueshme përmes inspektimeve të IQP-së. Në të njëjtën kohë, po ndërmarrim hapa të rëndësishëm në kuadër të reformës së skemës së asistencës sociale si dhe fuqizimit të ndërmarrësisë sociale si koncept. Sigurisht se rruga drejt përfshirjes së plotë është e gjatë dhe me shumë sfida, por përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës është e një rëndësie të veçantë sa i përket zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Andaj na takon që të angazhohemi bashkërisht që të krijojmë një shoqëri ku çdo individ, pa dallim, ka mundësi të barabarta për të kontribuar dhe për të jetuar me dinjitet”, ka theksuar zv/ministri Dobruna.
Kusari-Lila: Është për keqardhje dinamika jashtë Kuvendit
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari-Lila, të martën ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti ka pranuar ftesën e presidentes znj. Vjosa Osmani për pjesëmarrje në takimin me partitë politike, “Besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim,” tha ajo. Ajo theksoi se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, duke shtuar se zyra e presidentes nuk duhet të përdoret për marrëveshje politike, por për të diskutuar krizën aktuale dhe mundësitë për zhbllokim institucional. “Përderisa po vazhdon kjo përpjekje çdo 48 orë për konstituimin e Kuvendit, në anën tjetër po zhvillohen disa përpjekje jashtë Kuvendit, me mandat të deputetëve, të kota dhe të pasuksesshme, për të ndërhyrë në procese të cilat shumë lehtë do të mund të kanalizoheshin dhe të merrej vendimmarrje e mirëfilltë brenda një Kuvendi të konstituuar. Siç e pamë me përpjekjen e dështuar të LDK-së për të ndikuar në tërheqjen e vendimit të ZRrE-së për energjinë. Është për keqardhje që dikush, me gjithë atë përvojë në legjislativ dhe ekzekutiv, nuk e ka të qartë vendimmarrjen e një organi të pavarur. Është për keqardhje dinamika jashtë Kuvendit, por edhe ajo brenda tij, me mospjesëmarrjen e këtyre partive opozitare në votim”, ka thënë ajo gjatë deklaratës së saj pas përpjekjes për konstituim të Kuvendit të Kosovës. https://www.facebook.com/mimozakusari/videos/1830868417769277
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila pas seancës: Opozita po bën shkelje me mosvotim në Kuvend
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, është deklaruar të dielën pas vazhdimit të seancës konstituive se opozita është duke bërë shkelje me mosvotim në Kuvend. Ajo tha se opozita me mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së, është duke bërë propagandë, pasi këto veprime, sipas saj, nuk kanë asnjë efekt. “Kemi ardhur në një situatë paksa paradoksale në raport me kërkesat dhe veprimet e opozitës së deritashme, të cilat do të duhej të ishin aktivisht të angazhuar në votim. Po e shfrytëzojnë për të ngritu qështje që nuk kanë asnjë efekt, siç është rasti me çështjen e vendimmarrjes së ZRRE-së. Po bëjnë veprime, po bëjnë shkelje në Kuvend, duke mos votuar. Janë duke mbledhur nënshkrime. Ngritje të çështjeve që nuk kanë asnjë efekt real, përveç propagandë që kinse po brengosen për qytetarët”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila: Për Kosovën, rruga drejt BE-së është e gjatë, por e domosdoshme
Të mërkurën kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës. Me këtë rast ajo shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së ndër vite, duke theksuar besimin dhe shpresën në të ardhmen evropiane të Kosovës. Ajo ka thënë se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet e gjatë, por e domosdoshme dhe se kjo ditë kujton rëndësinë e bashkëpunimit për paqe, drejtësi dhe zhvillim. “Sot mora pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të shënuar 9 Majin – Ditën e Evropës. Për Kosovën, rruga drejt BE-së është e gjatë, por e domosdoshme. Kjo ditë na kujton sa e rëndësishme është të punojmë bashkë për paqe, drejtësi dhe zhvillim. Faleminderit BE-së për mikpritjen dhe për gjithë mbështetjen ndër vite. Përpara, me shpresë e besim në të ardhmen evropiane të Kosovës!”, ka thënë kryetarja Mimoza Kusari Lila.
Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë
Alternativa, me përulësi dhe nderim të thellë, ka kujtuar dëshmorët dhe martirët që ranë heroikisht në betejën e Çabratit më 7, 8, 9, 10 dhe 11 maj të vitit 1999. Gjakova e pagoi me gjak dhe dhimbje çmimin e lirisë që sot e gëzojmë, me mirënjohje të përjetshme për ata që nuk u kthyen kurrë. “26 vjet më parë në Çabrat të Gjakovës më 7, 8 dhe 9 maj, u zhvillua beteja e vetme në mjedise urbane në Kosovë. Ishte një përballje luftarake mes ushtarëve të Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të shumta serbe. Ndonëse të pabarabartë në armatime dhe pajisje, UÇK-ja u shkaktoi humbje të konsiderueshme okupatorëve, të cilët u hakmorrën mbi popullsinë civile duke vrarë, kidnapuar dhe zhdukur dhjetëra persona”, ka kujtuar kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila. “Në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tomë Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazyr Këpuska”, ka theksuar Kusari Lila. “Gjakova kurrë nuk u gjunjëzua dhe pagoi me gjak lirinë e Kosovës. Lavdi heronjëve dhe martirëve të kombit! Të përjetshëm do të mbeten në kujtimet tona!’, ka thënë mes tjerash ajo. Në 26 vjetorin e Epopesë së Çabratit, kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna, bashkëpunëtorë dhe anëtarë të tjerë, me nderime përkujtuan dëshmorët dhe martirët e rënë për liri. Ata bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule pranë varreve të dëshmorëve, martirëve dhe pranë lapidarit “7 Maji”. Lavdi!
Nderohen dëshmorët Sejdi e Sefedin Tahiraj
Në fshatin Rrypaj të Gjakovës, me zemrën plot dhimbje e krenari, u kujtuan e nderuan dëshmorët Sejdi dhe Sefedin Tahiraj. Kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë z. Agon Dobruna, sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhija dhe bashkëpunëtorë të tjerë u përulën me respekt duke kujtuar sakrificën e tyre për Kosovën tonë të lirë. “Ata nuk vdiqën, por u bënë dritë që ndriçon rrugën e brezave që vijnë. Me armë në dorë dhe me atdheun në zemër, ata i dolën zot kësaj toke në ditët më të errëta, kur gjaku rridhte nëpër gurë e dheu klithte për çlirim”, është thënë me këtë rast. Lavdi përjetë Sejdiut e Sefedinit dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! Kujtimi i tyre do të jetojë sa të ketë dritë dielli mbi këtë dhe! Rroftë liria, rroftë gjaku që e solli atë!
Kusari-Lila: Opozita po e pengon procesin, marrëveshja mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ende funksionale
Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të seancës, tha se opozita po pengon procesin dhe se marrëveshja e vjetër politike ende vazhdon të jetë aktive, duke bllokuar çdo mundësi për përparim. “Në emër të dy partive së bashku edhe me Levizjen VETËVENDOSJE, dua të deklaroj që në përmbyllje të gjithë kësaj sage janë të qarta dy argumente të forta e parasegjithash: e para, që partitë e opozitës nuk po duan të ketë zgjidhje, po duan ta mbajnë këtë bllokadë. Dhe e dyta, që marrëveshja mes PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ende është funksionale. Sot as që erdhi deri te votimi për kandidatin e propozuar nga ne — votimi nuk kaloi. Sot u bllokua që në start çdo mundësi për të pasur një rezultat pozitiv.”, ka thënë ajo në deklaratën e saj për media pas seancës. Ndërkohë deputetja Mimoza Kusari Lila ka folur edhe për Top Channel deri sa ka theksuar se, ne po vijmë me propozime të reja të cilat ata nuk po i pranojnë. https://www.facebook.com/mimozakusari/videos/1729288807621584
Zëvendësministri Dobruna: MFPT ka ndërmarrë hapa konkretë sidomos në sektorët me risk të lartë, siç është ai industrial
I ftuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, zëvëndësministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës, të mërkurën mori pjesë në një diskutim mbi të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës në sektorin industrial, një sektor kyç për zhvillimin ekonomik, por sfidues për sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Me këtë rast ai vlerësoi raportin “Kushtet e punës në sektorin industrial”, si një kontribut domethënës nga shoqëria civile për adresimin e sfidave reale në këtë sektor. Në emër të Qeverisë së Kosovës, përmes MFPT, theksoi hapat konkretë që janë ndërmarrë për përmirësimin e kushteve të punës, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë. “Sot me ftesë nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, isha pjesë e diskutimit të rëndësishëm mbi të drejtat e punëtorëve dhe kushtet e punës në sektorin industrial! Një sektor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe një ndër më të ndjeshmit kur flasim për sigurinë dhe dinjitetin e punëtorëve. Dua ta vlerësoj punën e organizatave të shoqërisë civile që kanë hartuar raportin “Kushtet e punës në sektorin industrial”. Ky raport përbën një kontribut të vlefshëm, në kuptimin më të thellë të sfidave me të cilat përballen punëtorët. Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta adresuar gjendjen në terren, sidomos në sektorët me risk të lartë, siç është ai industrial”, ka shkruar zv/ministri Dobruna.











