Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila në 26 vjetorin e rrëmbimit nga forcat serbe ka kujtuar 11 martirët e Komunës së Gjakovës. “Data 27 mars sjell makthin dhe tmerrin e përjetuar 26 vite më parë për familjen Qerkezi në Gjakovë. Forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunën e tyre çnjerëzore, hynë me forcë në shtëpinë e Halim Qerkezit dhe rrëmbyen 11 burra, pa kursyer as më të voglin. Atë natë, me forcë u rrëmbyen dhe më pas u zhdukën i zoti i shtëpisë, Halim Qerkezi, dhe katër djemtë e tij: Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi i vogël. Bashkë me ta u mor edhe miku i shtëpisë, Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi dhe Fatosi”, ka kujtuar ajo. “Prej 26 vitesh, çdo moment e çdo ditë, pa rreshtur, nëna Ferdonije, e cila mbeti krejt e vetme, jeton për të dëshmuar tmerrin dhe barbarinë e forcave serbe. Ajo nuk kishte imagjinuar kurrë se do të jetonte pa burrin, pa djemtë, pa nipat e mbesat e shtëpisë, pa fqinjët. Por, siç thotë vetë ajo, njeriu është më i fortë se guri, dhe burimi i lotëve nuk shterret kurrë”, është shprehur, Kusari Lila. Kryetarja e Alternativës më tej ka thënë se, dhoma e tyre mbeti bosh, tryeza e ngrënies u ndryshk nga mungesa, shtëpia u shndërrua në një muze të dhimbjes, ku çdo copë mobilje ruan zërat e shuar të atyre që u morën për të mos u kthyer më. Çdo natë, era sikur sjell kujtimet e tyre, por dera nuk hapet më. Vetëm nëna Ferdonije qëndron ende, me dhimbjen që i është gdhendur në fytyrë, me shpresën e venitur, por me qëndresën e palëkundur. “Ajo ende qan me lot, dhe edhe kur thahet loti, dhembja e saj flet më shumë se çdo fjalë. Ajo është dëshmia e një gjenocidi që s’duhet harruar kurrë. Zemra e saj e plagosur është amaneti ynë: të mos harrojmë, të mos falim padrejtësinë, të mos lejojmë që historia të përsëritet”, ka theksuar ajo.
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila përkujton fillimin e bombadimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe: 26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusar Lila ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. “Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë”, ka kujtuar ajo. “Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit”, ka theksuar Kusari Lila. 26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja! Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e një epoke të re për popullin e Kosovës. Ishte nata kur drejtësia filloi të marrë formë, kur bota e civilizuar nuk mundi të qëndronte më indiferente ndaj dhimbjes sonë. Bombardimet e NATO-s nuk shënuan vetëm fundin e një regjimi gjenocidal, por edhe lindjen e shpresës sonë për liri. Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë. Sot, pas 26 vitesh, ne nuk i harrojmë ata që u sakrifikuan, ata që nuk arritën ta shohin agimin e lirisë. Nuk harrojmë lotët e nënave që ende presin një lajm për bijtë e tyre të zhdukur. Nuk harrojmë plagët e atyre që i mbijetuan tmerrit. Dhe mbi të gjitha, nuk harrojmë dorën e aleatëve tanë që u shtri për të na shpëtuar në momentin tonë më të errët. Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit. Faleminderit përjetësisht, NATO!
Zëvendësministri Dobruna merr pjesë në ceremonin e hapjes së projektit “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës” në Prizren
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka rinovuar klinikën e brendshme të qendrës shëndetësore në kuadër të Organizatës Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, duke ofruar edhe mbështetje me pajisje. Zv/ministri i Punës, Financave dhe Transfereve z. Agon Dobruna ka marrë pjesë në këtë ceremoni të hapjes së projektit transformues “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës”. Ai ka thënë se, ky projekt sjell një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve, duke krijuar kushte më të mira dhe ambiente më funksionale për përfituesit. “Në Prizren gjatë ceremonisë së hapjes të projektit “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës” i cili është implementuar nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, duke ofruar kushte më efikase dhe ambiente shume më cilësore”, ka thënë Dobruna. Në ceremoni morën pjesë edhe nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, zv/kryeministrja e Kosovës për Çështjet e Minoriteteve dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Emilija Rexhepi, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, z. Sabri Tunç Angılı, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, deputetja e KDTP-së, znj. Fidan Brina Jılta, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe shoqatave të pensionistëve.
Zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, rezultuan me dyfishim të numrit të votave për Alternativën
Të martën u mblodh kryesia e Alternativës për të diskutuar mbi procesin zgjedhor, rezultatin e kandidatëve të Alternativës si dhe hapat përpara për organizimin dhe zgjerimin e aktivitetit tonë politik. Në prezantimin e përgatitur nga sekretarja e Alternativës, Diana Qarkaxhija, u paraqitën të dhënat e votave për pesë kandidatët e Alternativës, pjesëmarrës në listën e përbashkët për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si dhe krahasimi i rezultatit zgjedhor me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Në të dy palë zgjedhje, Alternativa ishte pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në zgjedhjet e fundit mbështetja për kandidatët e Alternativës, në numër absolut të votave, është dyfishuar – nga 66,254 vota në vitin 2021 në 127,010 vota në vitin 2025. Ky rezultat ka konfirmuar suksesin e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kontributin në kuadër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Alternativa, në mandatin e legjislaturës së tetë, kishte një deputete, ndërsa në ekzekutiv u përfaqësua me dy zëvendësministra. Në këto zgjedhje, mandatin e ka rifituar kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ka shënuar një rritje prej mbi 60% të rezultatit të saj – nga 53,618 vota në vitin 2021 në 85,618 vota në zgjedhjet e vitit 2025. Nënkryetari i Alternativës dhe zëvendësministri i Punës dhe Financave, Agon Dobruna, është renditur i 51-ti në listën e kandidatëve për deputetë me 16,381 vota të fituara, pasuar nga Diana Qarkaxhija me 12,925 vota, Hasime Tahiri-Hasani me 6,067 vota dhe Sibora Kadriu me 5,900 vota. Për gjithë mbështetjen dhe përkrahjen në këtë fushatë, u jemi mirënjohës gjithë qytetarëve të Republikës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe lidershipit e aktivistëve të saj, Partisë Guxo, lidershipit dhe aktivistëve të saj, të gjithë aktivistëstëve dhe mbështetësve të Alternativës si dhe zotohemi të angazhohemi maksimalisht për bashkëpunimin tonë të radhës duke punuar në avancimin e agjendës liberale dhe progresive për vendin tonë. Mirëpresim një angazhim edhe më të madh dhe dinamik për agjendën zhvillimore, zhvillimin e qëndrueshëm bazuar në normat dhe standardet më të larta mjedisore, ekonominë qarkore, avancimin e agjendës integruese të vendit si dhe agjendën progresive legjislative. Alternativa beson se me rritjen e unitetit dhe bashkëpunimit ndërpartiak, agjenda progressive e vendit do të ketë rritjen më të shpejtë dhe më të sigurt. Në këtë takim u diskutua edhe zgjerimi dhe shtrirja e Alternativës në komunat ku nuk kemi ende degë të hapur, ndërsa së shpejti do të kemi adresë edhe në Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.
Kusari – Lila: Ngushëllime familjes Thaçi për humbjen e bashkëshortit, babait dhe gjyshit
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari – Lila ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish presidentit, Hashim Thaçi. Kusari – Lila tha se, ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, babait të ish presidentit dhe ish kryeministrit, Hashim Thaçi, sjell dhimbjen e humbjes dhe trishtimin e vdekjes, por edhe atë të ndarjes së detyruar për së gjalli nga i biri. “Lajmi për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, sjell dhimbjen e humbjes dhe trishtimin e vdekjes, por edhe atë të ndarjes së detyruar për së gjalli nga i biri. Ngushëllime familjes Thaçi për humbjen e bashkëshortit, babait dhe gjyshit. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Kusari – Lila ngushëllon familjet e viktimave në Maqedoninë e Veriut
Një tragjedi e rëndë ka goditur qytetin e Koçanit në Maqedoninë e Veriut, duke shkaktuar humbjen e dhjetëra jetëve të reja. Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duke u dëshiruar shërim të shpejtë të lënduarve. “Një tragjedi e rëndë dhe një dhimbje e madhe për humbjen e dhjetëra jetëve të reja në Koçan të Maqedonisë së Veriut. Ngjarja e tmerrshme, ku të rinj e të reja që kishin dalë për argëtim humbën jetën në një fatkeqësi na tronditi dhe na lë pa fjalë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave në këtë moment të rëndë zie, solidaritet me gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe shërim të shpejtë për të lënduarit”, është shprehur ajo.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila takon ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovën, z. Ragnar Almqvist.
Kryetarja e Alternativës, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, të mërkurën takoi ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovën, z. Ragnar Almqvist. Gjatë bisedës, u diskutuan zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar pjekurinë demokratike që Kosova tregoi në këtë proces dhe hapat e ardhshëm pas certifikimit të rezultateve. Po ashtu, u trajtua mbështetja e palëkundur e Irlandës në rrugëtimin evropian të Kosovës dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, duke ndërtuar mbi miqësinë e fortë që i lidh. “Mirëprita sot ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovën, z. Ragnar Almqvist. Në një bisedë të hapur dhe shumë të vlefshme, diskutuam për zhvillimet pas zgjedhjeve parlamentare, pjekurinë demokratike që Kosova tregoi gjatë këtij procesi dhe hapat e ardhshëm pas certifikimit të rezultateve. Po ashtu, folëm për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin evropian të Kosovës dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, duke ndërtuar mbi miqësinë e fortë që na lidh. Thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës – një mike dhe aleate e çmuar për Kosovën”, ka theksuar Kusari Lila.
Kryetarja Mimoza Kusari Lila ngushëllon familjen Saraqini pas ndarjes nga jeta të Përparim Saraqinit
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka ngushëlluar familjen Saraqini me rastin e humbjes së familjarit të tyre, ish ushtarit të UÇK-së, policit të Kosovës, Përparim Saraqini. Kryetarja ka thënë se, largimi i tij në amshim nuk është vetëm dhimbje e familjes, por edhe një plagë e hapur për Policinë e Kosovës dhe qytetin e Gjakovës, ku ai shërbeu me nder e devotshmëri deri në frymën e fundit. Ajo ka theksuar se ai ishte shembulli i një njeriu që besoi në vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë, duke i mbrojtur ato me të gjithë qenien e tij. E nderuar familje Saraqini, Me pikëllim të thellë dhe zemër të thyer mora lajmin për ndarjen nga jeta të djalit, bashkëshortit, vëllait dhe babait tuaj, ushtarit të lirisë, policit të Kosovës dhe njeriut të mirë të vendit tonë, Përparimit. Largimi i tij në amshim do të lërë një zbrazëti jo vetëm në familjen tuaj, por edhe në Policinë e Kosovës dhe qytetin e Gjakovës, ku ai shërbeu me zell e përkushtim deri në fund. Përparimi e jetoi jetën me përkushtim të plotë ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe rendit e ligjit. Iku shpejt, por la gjurmë që do të kujtohen gjatë mes nesh. Ngushëllime familjes, kolegëve në Policinë e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të Gjakovës e mbarë Kosovës! I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Kryetarja Kusari Lila takon ambasadoren jorezidente të Kanadasë, znj. Blitt, biseduan për sfidat, prioritetet dhe mundësitë që e presin vendin në muajt dhe vitet e ardhshme
Kryetarja e Alternativës, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari Lila ka takuar ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovën, znj. Jessica Blitt. Gjatë bisedës, u diskutua për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe fitoren e koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, një proces zgjedhor që u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike. Po ashtu, u trajtuan sfidat, prioritetet dhe mundësitë që e presin vendin në muajt dhe vitet e ardhshme. Kryetarja Kusari Lila mes tjerash ka theksuar se, Kanadaja vazhdon të jetë një partnere e çmuar dhe një mike e qëndrueshme e Kosovës, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Sot pata kënaqësinë ta takoj përsëri miken dhe ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovën, znj. Jessica Blitt. Në takim diskutuam për zgjedhjet e fundit parlamentare, fitoren e koalicionit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, procesin zgjedhor që u zhvillua në mënyrë të qetë e demokratike, si dhe për atë që na pret në muajt dhe vitet e ardhshme, sfidat, prioritetet dhe mundësitë e reja për vendin tonë. Kanadaja mbetet një partnere e çmuar dhe mike e qëndrueshme e Kosovës”, ka thënë ajo. ”Falënderuese për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që kemi ndërtuar dhe vazhdojmë ta forcojmë mes dy vendeve tona si dhe për dhuratën e çmuar nga Kanada, sirupin e panjës”, ka theksuar Kusari Lila.
Epopeja e lavdisë dhe sacrificës, nderime në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët më të lartë shtetërorë, presidentja e Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani, kryeministri z. Albin Kurti, kryetari i Kuvendit z. Glauk Konjufca, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, zv/ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Agon Dobruna, nënkryetar i Alternativës, si dhe zëvendëskryeministra, ministra dhe deputetë, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ky nderim është një dëshmi e përhershme e respektit dhe përuljes para sakrificës heroike të familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ata ndriçuan rrugën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme të guximit dhe patriotizmit. Homazhet në Prekaz nuk janë vetëm një kujtesë historike, por edhe një thirrje për brezat e ardhshëm që ti ruajnë dhe mbrojnë vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetësisë. Amaneti i dëshmorëve mbetet një dritë e pashuar që udhëheq përkushtimin tonë për një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët e saj. Lavdi e përjetshme familjes Jashari, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës!











