Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila debatoi në emisionin “KallxoPërnime” për luftën me dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Ajo ka theksuar se gratë, përfshirë edhe ato në politikë shumë shpesh objektivizohen, duke shtuar se gratë portretizohen me role të caktuara si bashkëshorte apo vajzë e dikujt dhe në momentin që ato janë më të zëshme, sulmohen në forma të ndryshme. “ Synohet me u ushqy elementi socio-kulturor mbi atë se si portretizohet gruaja, shumë shpesh e objektivizojnë si objekt e cila e ka një rol ri-prodhues për familjen, e cila duhet me qenë bashkëshortja ose vajza e dikujt, pra asnjëherë në pronësi të integritetit dhe të drejtës së vet për vendimmarrje, dhe në momentin kur një grua e ka një zë që diametralisht jo në një vijë me një burrë por është shumë unik dhe autokton, atëherë ‘duhet me e sulmu se kjo është e “përdalë”, ka deklaruar ajo. “Elementi i dytë ka të bëj me perceptimin se gratë në politikë janë më të dobëta, për arsye se jo vetëm në Kosovë po edhe në botë në vende më të zhvilluara, merret si funksion apo aktivitet e veprimtari e burrave, prandaj hajt ta shohim se ku është rruga e rezistencës më të ulët, domethënë nëse në një subjekt i sulmojmë gratë, ato thehen. Edhe unë shpesh herë në këto tri katër viteve të fundit si drejtuese e grupit parlamentar të LVV-së e kam pa që edhe në apektin personal e familjar ndodhë me u thy”, është shprehur Kusari-Lila. Kryetarja ka përmendur sulmet me të cilat kohë pas kohe është përballur. “Kur kam qenë ministre, Vetëvendosje ka qenë në opozitë, sulmet të cilat i kam marrë atëherë prej atij grupit të LVV-së që më nuk janë në LVV, të cilat prapë kanë qenë mizogjene dhe kanë pasë thyerje e ofendime. Por niveli, në kuptimin e shkallës së sulmeve, pra atëherë nëse ka qenë ofenduese dhe mizogjene dhe ka pasë synimin me të portretizu si ‘të dobët’, ‘vegël e dikujt’, asokohe ‘vegël e Bacit’ dhe ‘shërbëtore e Hashimit’, më vonë e ka pasë synimin me tregu se përvec se si familje amorale apo edhe tradhëtare, por mandej janë përdorë metoda që janë penalisht të dënueshme. Për këto të fundit kam edhe kallëzime penale. Nuk rri si spektatore mbi të gjitha sulmet dhe tentimet për vrasje të karakterit”- ka shpjeguar Kusari-Lila. “Në zgjedhjet e fundit kam dalur me 85 707 vota, që është një rritje prej 60% prej vitit 2021 kur i kam pasur 53 800 vota”, ka kujtuar ajo, duke shtuar se vetëm te rasti i grave përdoret nxitja e sentimentit në të cilin gruaja sulmohet në qështje të cilat janë qështje të punës. Në këtë debat të pranishëm ishin edhe z. Paris Guri, deputet i zgjedhur i LDK-së si dhe z. Kreshnik Gashi e z. Visar Prebreza, autorë të raportit.
Kusari- Lila për masakrën e Kralanit: Ata u zhdukën në errësirën e gjenocidit, të rrëmbyer nga një dorë e pamëshirshme që shoi jetë dhe shpresë
Masakra e Kralanit të Gjakovës është një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës pasi ka zgjatur nga data 28 mars, por që vrasjet janë bërë në datat 2,3 dhe 4 prill të vitit 1999. “Ishte 2 prilli i vitit 1999 kur në Kralan të Gjakovës, një skenë e përgjakshme e historisë sonë u shkrua me lot, me dhimbje dhe me gjak. Forcat ushtarake dhe policore serbe ndanë dhunshëm disa qindra djem dhe burra nga gratë, fëmijët dhe pleqtë, të cilët i urdhëruan të largoheshin drejt Shqipërisë. Ata që mbetën prapa, mbetën në errësirën e mizorisë”, ka kujtuar kështu kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila. Kryetarja ka theksuar po ashtu se, dy ditë më vonë, më 4 prill, pasi ishin mbajtur në një livadh, të rrethuar nga tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një pjesë e tyre u lirua. Por 86 burra, mes tyre edhe 11 të mitur, u ndaluan dhe që nga ajo ditë, asnjëri prej tyre nuk u pa më. “Ata u zhdukën në errësirën e gjenocidit, të rrëmbyer nga një dorë e pamëshirshme që shoi jetë dhe shpresë. Por emrat e tyre nuk janë shuar. Ata jetojnë në kujtesën tonë, në dhembjen tonë kolektive. Kjo tragjedi nuk duhet të harrohet, sepse Kralani nuk është thjesht një histori, është një plagë që ende kullon”, është shprehur Kusari Lila. Lavdi!
26-vjet nga masakra në familjen Vejsa, Kusari Lila: Vrasja e fëmijëve, pleqve, grave dhe civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila e shoqëruar nga kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, z. Agon Dobruna dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë përkujtuar 26- vjetorin e masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa. Bashkë me familjarë të viktimave kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe sakrificës së tyre. “Në mesnatën e 1 dhe 2 prillit 1999, në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë u dogjën të gjallë e të vdekur 21 anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç. Po atë natë, u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpi edhe katër anëtarët e familjes Cana, katër nga familja Gërçari, familja Demjaha, si dhe anëtarë nga familjet, Guci, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bordoniqi, Haxhija, Qarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqia, Dinaj, Aliu, Glloxhani, Thaçi dhe Muhaxhiri”, ka thënë Kusari Lila. Kryetarja me këtë rast ka thënë se, vrasja e fëmijëve, foshnjave, pleqve, grave dhe civilëve të pambrojtur është dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia, e cila u përpoq të shfaroste popullin e Kosovës. Plagët e atyre krimeve ende vazhdojnë të kullojnë. “Sot përkujtuam martirët e kombit dhe takuam familjarët e tyre, të cilët po qëndrojnë të fortë dhe me kurajo dëshmojnë për mizoritë e kryera nga forcat serbe. Duke mbajtur gjallë kujtimin për ta, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi deri sa të zbardhen të gjitha krimet dhe autorët të dalin përpara drejtësisë!”, është shprehur ajo. Lavdi jetës dhe sakrificës së të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
Alternativa viziton Bashkësinë Islame të Gjakovës me rastin e Fitër Bajramit
Me rastin e fetsës së Fitër Bajramit, kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila, z. Agon Dobruna kryetar i degës së Alternativës në Gjakovë dhe anëtarë të tjerë përcollën urime në Bashkësinë Islame dega në Gjakovë. Me këtë rast ata uruan besimtarët myslimanë dhe kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Dr. Valon Myrtën, duke u shprehur që respekti dhe toleranca të mbretërojnë çdo ditë mes nesh. Në mesazhet e tyre ata shprehën urimet dhe përshëndetjet më të përzemërta për besimtarët myslimanë të cilët me Fitër Bajramin mbyllin kështu muajin bekuar të Ramazanit.
Kusari Lila: Me fat festën e Fitër Bajramit, festa që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari Lila ka uruar Fitër Bajrami, duke thënë se mbarësia e kësaj dite le të vulos besimin se çdoherë mund të japim më shumë sesa që marrim dhe se le të jetë kjo festë një thirrje për paqe në botë, një moment ku çdo zemër ndjen ngrohtësinë e bashkëjetesës dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. “Me fat festën e Fitër Bajramit, festa që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit! Në këtë ditë madhe, të kujtojmë me zemër sakrificën dhe përkushtimin që besimtarët kanë treguar gjatë muajit të Ramazanit, duke forcuar lidhjet me Zotin dhe me njëri-tjetrin përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira”, është shprehur ajo. Kryetarja ka shtuar se, le të jetë kjo festë një thirrje për paqe në botë, një moment ku çdo zemër ndjen ngrohtësinë e bashkëjetesës dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Uroj që të sëmurët të gjejnë shërim, ata në dhimbje të marrin lehtësim, dhe secili që është në nevojë të ketë mbështetjen e duhur. “Gëzuar Fitër Bajramin me gjithë zemër – festë të mbushur me mirënjohje, dashuri dhe frymëzim për një botë më të drejtë, më të ndjeshme dhe më të bashkuar!”, thuhet në urimin e znj. Mimoza Kusari Lila.
Dobruna nderon jetën dhe veprimtarinë e heroit Bajram Curri
Të shtunën në përvjetorin e 100-të të vrasjes së heroit kombëtar Bajram Curri, kryetari i Alternativës dega në Gjakovë, z. Agon Dobruna në respekt të jetës dhe veprimtarisë së tij e ka vlerësuar lartë figurën e kolosit të lirisë, birit të Malësisë së Gjakovës i cili luftoi pa u kursyer për popullin tonë. “Sot, me rastin e 100 vjetorit të rënies së Heroit të popullit Bajram Curri, në përkujtimore pranë lapidarit në Mbas’Kollate, në Dragobi të Bajram Currit. Së bashku me shoqatat dhe përfaqësuesit lokal e nacional, ishte edhe mbesa e heroit Mimoza Kraja dhe pjesëtarë tjerë të familjes Curri, duke e bërë këtë organizim edhe më madhështor. Sepse aty kishte shumë pasardhës të atyre që strehuan dhe luftuan së bashku me heroin”, ka theksuar ai. Ai ka shtuar se, Bajram Curri veproi në një kohë të vështirë për kombin tonë dhe kontriboj gjatë gjithë jetës me pushkë në dorë dhe me organizime të shumta të kohës, për mbrojtjen e trojeve shqipëtare, kundër copëtimit nga shtetet shoviniste.
Vizitë nënës Ferdonije me rastin e 26 vjetorit të rrëmbimit të djemve dhe bashkëshortit të saj
Në përvjetorin e 26-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, kryetari i Alternativës dega në Gjakovë z. Agon Dobruna ka vizituar shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga nëna Ferdonije. Ai ishte shoqëruar nga sekretarja e Alternativës znj. Diana Qarkaxhija dhe anëtari i kryesisë z. Ali Tafarshiku. Dobruna me këtë rast tha se, nëna Ferdonije Qerkezi, së cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe, qëndron e fortë. Të pagjeturit janë plagë që kullon ankth. Dhembjet e vuajtjet e kësaj nëne sigurisht që ne s’arrijmë t’i marrim me mend. “ Shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se sa shumë punë ende kemi për të bërë deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve”, ka thënë Dobruna.
Kryetarja Kusari Lila kujton 11 martirët e Komunës së Gjakovës të rrëmbyer me 27 Mars 1999
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari Lila në 26 vjetorin e rrëmbimit nga forcat serbe ka kujtuar 11 martirët e Komunës së Gjakovës. “Data 27 mars sjell makthin dhe tmerrin e përjetuar 26 vite më parë për familjen Qerkezi në Gjakovë. Forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunën e tyre çnjerëzore, hynë me forcë në shtëpinë e Halim Qerkezit dhe rrëmbyen 11 burra, pa kursyer as më të voglin. Atë natë, me forcë u rrëmbyen dhe më pas u zhdukën i zoti i shtëpisë, Halim Qerkezi, dhe katër djemtë e tij: Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi i vogël. Bashkë me ta u mor edhe miku i shtëpisë, Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi dhe Fatosi”, ka kujtuar ajo. “Prej 26 vitesh, çdo moment e çdo ditë, pa rreshtur, nëna Ferdonije, e cila mbeti krejt e vetme, jeton për të dëshmuar tmerrin dhe barbarinë e forcave serbe. Ajo nuk kishte imagjinuar kurrë se do të jetonte pa burrin, pa djemtë, pa nipat e mbesat e shtëpisë, pa fqinjët. Por, siç thotë vetë ajo, njeriu është më i fortë se guri, dhe burimi i lotëve nuk shterret kurrë”, është shprehur, Kusari Lila. Kryetarja e Alternativës më tej ka thënë se, dhoma e tyre mbeti bosh, tryeza e ngrënies u ndryshk nga mungesa, shtëpia u shndërrua në një muze të dhimbjes, ku çdo copë mobilje ruan zërat e shuar të atyre që u morën për të mos u kthyer më. Çdo natë, era sikur sjell kujtimet e tyre, por dera nuk hapet më. Vetëm nëna Ferdonije qëndron ende, me dhimbjen që i është gdhendur në fytyrë, me shpresën e venitur, por me qëndresën e palëkundur. “Ajo ende qan me lot, dhe edhe kur thahet loti, dhembja e saj flet më shumë se çdo fjalë. Ajo është dëshmia e një gjenocidi që s’duhet harruar kurrë. Zemra e saj e plagosur është amaneti ynë: të mos harrojmë, të mos falim padrejtësinë, të mos lejojmë që historia të përsëritet”, ka theksuar ajo.
Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari Lila përkujton fillimin e bombadimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe: 26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja
Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusar Lila ka përkujtuar fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. “Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë”, ka kujtuar ajo. “Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit”, ka theksuar Kusari Lila. 26 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës dhe popullit të saj nga shfarosja! Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e një epoke të re për popullin e Kosovës. Ishte nata kur drejtësia filloi të marrë formë, kur bota e civilizuar nuk mundi të qëndronte më indiferente ndaj dhimbjes sonë. Bombardimet e NATO-s nuk shënuan vetëm fundin e një regjimi gjenocidal, por edhe lindjen e shpresës sonë për liri. Për 78 ditë, qielli i Kosovës u bë dëshmitar i betejës më të madhe për mbrojtjen e një populli që nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të jetonte i lirë. Sot, pas 26 vitesh, ne nuk i harrojmë ata që u sakrifikuan, ata që nuk arritën ta shohin agimin e lirisë. Nuk harrojmë lotët e nënave që ende presin një lajm për bijtë e tyre të zhdukur. Nuk harrojmë plagët e atyre që i mbijetuan tmerrit. Dhe mbi të gjitha, nuk harrojmë dorën e aleatëve tanë që u shtri për të na shpëtuar në momentin tonë më të errët. Gratë dhe burrat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviçit. Faleminderit përjetësisht, NATO!
Zëvendësministri Dobruna merr pjesë në ceremonin e hapjes së projektit “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës” në Prizren
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka rinovuar klinikën e brendshme të qendrës shëndetësore në kuadër të Organizatës Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, duke ofruar edhe mbështetje me pajisje. Zv/ministri i Punës, Financave dhe Transfereve z. Agon Dobruna ka marrë pjesë në këtë ceremoni të hapjes së projektit transformues “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës”. Ai ka thënë se, ky projekt sjell një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve, duke krijuar kushte më të mira dhe ambiente më funksionale për përfituesit. “Në Prizren gjatë ceremonisë së hapjes të projektit “Rinovimi dhe mobilimi i ambienteve të Ambulancës Interne të organizatës komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës” i cili është implementuar nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, duke ofruar kushte më efikase dhe ambiente shume më cilësore”, ka thënë Dobruna. Në ceremoni morën pjesë edhe nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, zv/kryeministrja e Kosovës për Çështjet e Minoriteteve dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Emilija Rexhepi, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, z. Sabri Tunç Angılı, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, deputetja e KDTP-së, znj. Fidan Brina Jılta, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe shoqatave të pensionistëve.











