Në Deçanin e sakrificës të dielën u dha kushtrimi për fitoren e 9 shkurtit, ngadhënjimin e 500 mijë zemrave që rrahin si një, Cep më Cep Kosovës. Kryeministri z. Albin Kurti iu drejtua deçanasve me krenari, duke përmendur figurat historike që ky vend i ka dhënë kombit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Jusuf Gërvalla, dhe shumë të tjerë që ndriçojnë historinë tonë kombëtare. Ai theksoi rritjen e ekonomisë për 1 miliard euro çdo vit dhe shtimin e punësimit që tejkalon çdo qeveri të mëparshme: “Jemi 3 herë më të shpejtë në rritje ekonomike dhe 5 herë më të shpejtë në krijimin e vendeve të reja të punës.” “Më 9 shkurt, për punët e mira që i kemi bërë në këtë gati 4-vjeçar dhe për 25 zotimet e reja që i kemi publikuar dje, do të ketë referendum. Dilni në referendum dhe i thoni ‘po’ numrit 1 1 8. Pra, u thoni ‘jo’ partive private e i thoni ‘po’ lëvizjes publike e republike të koalicionit VETËVENDOSJE!, Guxo, Alernativa”, tha Kurti. Kryetarja e Alternativës, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari Lila, z. Agon Dobruna e znj. Diana Qarkaxhija, kandidatë për deputet në bashkëbisedim me banorët e Deçanit kanë thënë se, 9 shkurti nuk është thjesht ditë zgjedhjesh, por një referendum për të ardhmen e Kosovës. Ata kanë kërkuar nga deçanasit që ti thonë po numrit 118 dhe listës fituese Lëvizjes Vetëvendosje për një të ardhme ende më të mirë dhe që projektet e nisura të përfundojnë ashtu siç e kërkon e mira e popullit.
Sibora Kadriu kandidatja më e re nga lista fituese shprehet e lumtur për përkrahjen që po ia japin qytetarët
Znj. Sibora Kadriu, kandidatja më e re për deputete nga lista fituese e Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuese e Alternativës u shpreh me krenari para banorëve të lagjes Sofalia të Prishtinës. Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme para, gjatë dhe pas mandatit, ajo theksoi përkushtimin e saj për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe për të kontribuar për vendin, si pasardhëse e familjes së Idriz Seferit. “Vetëvendosje përfaqëson idealet e kombit tonë: drejtësi, arsim cilësor, shëndetësi, infrastrukturë sportive dhe mbështetje për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim. Me Qeverinë Kurti 3, do të vazhdojmë politikat e mira, nga liberalizimi i vizave, te rritja e pagës minimale në 500 euro dhe investimet madhore në sport e infrastrukturë”, ka thënë ajo mes tjerash. Sibora është numri 78 në listën 118 dhe bashkë me Vetëvendosjen po shkon Cep më Cep drejt 500K zemrave.
Tahiri Hasani pritet ngrohtë në Çabër, Tunelin e Parë dhe Bajrë
Cep më Cep, Çabra, Tuneli i Parë dhe Bajra drejt 500K zemra, më 9 Shkurt! Në Çabër të Zubin Potokut, në fshatin qëndrestar që sfidon përditë shantazhet dhe agresionet kriminale e terroriste të Serbisë, kandidatja për deputete nga Alternativa, në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Hasime Tahiri Hasani është pritur ngrohtë dhe vendosmëri. Ky komunitet qëndron si një shembull i fuqisë dhe krenarisë kombëtare. Nga aty, u mirëprit në Tunelin e Parë të Mitrovicës, qyteti që i njeh më mirë se kushdo rezultatet e punës së kësaj qeverie në sundimin e rendit dhe ligjit. “Për më shumë se dy dekada, Mitrovica ka përballuar terrorin dhe kërcënimet e Serbisë, por sot ajo është simbol i qëndresës dhe i shpresës për një të ardhme të bashkuar e sovrane”, ka thënë Tahiri Hasani në këtë tubim. Mitrovica, Çabra dhe çdo cep i Kosovës po jehon me një zë të fuqishëm drejt fitores sonë historike më 9 shkurt.
Juniku i vendosur, më 9 shkurt voton për numrin 118
Juniku unik dhe fisnik, me trashëgimi e qëndresë, u bashkua me 500 mijë zemra që rrahin për Kosovën. Në tubimin e madh, kryeministri z. Albin Kurti theksoi investimet prej mbi 10 milionë eurove dhe projektet strategjike si rruga Junik-Gjeravicë. “Janë tre Junika. Njëri në Kosovë, njëri nëpër Kosovë edhe është një Junik i tretë në diasporë. Këta tre Junika le të bëhen bashkë për 1000 vota më datën 9 shkurt për numrin 118 dhe brenda 500 mijë zemrave në të gjithë Kosovën cep më cep ”, ka thënë Kurti. Kandidatët për deputet nga Alternativa, pjesë e listës së fitores Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari Lila, z. Agon Dobruna dhe znj. Diana Qarkaxhija takuan po ashtu banorë të Junikut të cilët i falënderuan për pjesëmarrje masive dhe që e ndezën sallën me entuziazëm. Në Junikun e 12 fiseve, të kullave dhe odave, të trashëgimisë kombëtare, qëndresës dhe sakrificës u dëshmua bindja e fitores së madhe të 9 shkurtit.
Sibora Kadriu, shpresa e re për Kosovën nga Alternativa
Kandidatja për deputete nga Alternativa, pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Sibora Kadriu, ka dëshmuar se rinia mund të jetë fuqia lëvizëse e ndryshimeve pozitive. Si më e reja në listë, ajo po ngjall shpresë dhe frymëzim tek qytetarët. Gjatë një takimi të ngrohtë dhe plot energji me banorët e fshatit Banullë të Lipjanit, znj. Kadriu ndau vizionin e saj për një qeverisje edhe më efikase dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve. Bashkëbisedimi i sinqertë dhe idetë e reja e kanë bërë atë një figurë të dashur dhe të respektuar në këtë zonë. Banorët e Banullës dhe të gjithë Lipjanit e vlerësojnë për kreativitetin dhe përkushtimin e saj të pashoq, duke e parë si një model për brezin e ri. Sibora Kadriu nuk është thjesht një kandidate, ajo është simboli i rinisë së Kosovës që aspiron për ndryshime. Super vajza që Kosova krenohet me të është gati të dëshmojë se mosha nuk është pengesë për të qenë lidere dhe për të sjellë ndryshime të mëdha. Për një të ardhme më të ndritur, zgjidh Siborën – zgjidh progresin!
Qarkaxhija në Malishevë: Me fitoren e listës sonë, fiton i tërë vendi
Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, në një tubim të hapur me qytetarët e komunës së Malishevës ka bërë thirrje për mbështetje masive në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky takim ishte një mundësi për të theksuar vizionin dhe prioritetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Alternativës dhe partisë Guxo duke u fokusuar te mirëqenia dhe përparimi i qytetarëve. Në këtë ngjarje, ndër kandidatët e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE ishte edhe znj. Diana Qarkaxhija, përfaqësuese e Alternativës, e cila u takua nga afër me banorët e kësaj komune. Gjatë bashkëbisedimeve, ajo ndau me ta detaje mbi përbërjen dhe cilësinë e kandidatëve për deputetë, duke theksuar se lista përfaqëson njerëzit më të përkushtuar dhe më të aftë të Kosovës. “Ne nuk jemi këtu vetëm për të fituar një palë zgjedhje, por për të sjellë ndryshimin që ky vend meriton. Me fitoren e listës sonë, fiton i tërë vendi. Prioriteti ynë është mirëqenia e qytetarëve, dhe kjo është ajo për të cilën punon qeveria Kurti. Prandaj, ju bëj thirrje të dalim masivisht dhe të fitojmë bindshëm,” tha Qarkaxhija, duke motivuar banorët që të angazhohen aktivisht në këtë proces. Qarkaxhija, përmes këtij takimi, nxiti një frymë shprese dhe besimi tek qytetarët, duke theksuar se zgjedhjet e 9 shkurtit janë një mundësi historike për të çuar përpara zhvillimin e vendit. Angazhimi dhe vizioni ynë për të ndërtuar një Kosovë më të drejtë dhe më të begatë mbeten shembull frymëzimi për të gjithë qytetarët. Kjo thirrje për mbështetje është një mundësi për të bashkuar energjitë dhe për të dëshmuar fuqinë e popullit në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Kusari Lila dhe Haxhiu në përkrahje të grave në biznes, Blerta Krypa shembull mes shumë të tjerave
Blerta, një nga gratë më të suksesshme në Kosovë, është një shembull frymëzues i guximit dhe vendosmërisë. Ajo ka ndërtuar biznesin e saj përmes përkushtimit dhe punës së palodhur, duke tejkaluar sfida të shumta. Përveç suksesit të saj personal, Blerta ka treguar një angazhim të jashtëzakonshëm për të mbështetur dhe fuqizuar gratë e tjera në komunitetin e saj. Këtë të shtunë, kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, e vizitoi Blertën për të parë nga afër punën e palodhshme që ajo bën çdo ditë së bashku me bashkëpunëtoret e saj. Vizita u shoqërua edhe nga ministrja Albulena Haxhiu, e cila bashkë me znj. Kusari-Lila shprehën vlerësimin dhe përgëzimet e tyre për angazhimin dhe përkushtimin e Blertës në fuqizimin ekonomik dhe social të grave. Blerta është dëshmi se kur gratë mbështesin njëra-tjetrën dhe angazhohen me pasion, mund të ndërtojnë modele të suksesshme që frymëzojnë dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë. Le të jetë historia e saj një nxitje për të gjithë ata që aspirojnë të bëjnë ndryshim!
Profili dhe objektivat e Alternativës në kuadër të listës fituese të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kusari Lila dhe Dobruna takojnë stafin e klinikës “European Clinic”
“European Clinic” në Gjakovë është sinonim i profesionalizmit dhe kujdesit cilësor shëndetësor në Kosovë. Me një staf të përgatitur dhe mbresëlënës, klinika ofron shërbime të jashtëzakonshme që i tejkalojnë pritshmëritë e pacientëve. E udhëhequr nga obstetër-gjinekolog, Dr. Aida Kumnova, kjo klinikë ka ndihmuar mijëra gra të ndihen të shëndetshme, të sigurta dhe të përmbushura, duke dhënë rezultate të shkëlqyera në trajtimin dhe kujdesin për çdo paciente. Kryetarja e Alternativës, znj. Mimoza Kusari-Lila, dhe nënkryetari, z. Agon Dobruna, vizituan këtë institucion shëndetësor dhe zhvilluan një takim me stafin. Ata shprehën mirënjohjen dhe përgëzimet e tyre për punën e palodhur dhe suksesin e arritur deri më tani, duke u uruar suksese të mëtejshme dhe vazhdimësi në përmirësimin e jetës së shumë njerëzve.
Hasime Tahiri Hasani e përkushtuar për të sjellë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Kosovës, duke përfaqësuar me krenari Mitrovicën
Kandidatja për deputete nga Alternativa, pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Hasime Tahiri, ka zhvilluar një takim entuziast dhe të frytshëm me të rinjtë e qytetit të Mitrovicës. Ky takim shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në përkushtimin e saj për përfaqësimin dinjitoz dhe angazhimin aktiv të të rinjve në proceset vendimmarrëse. Në këtë takim morën pjesë edhe kandidatët për deputetë, z. Armend Muja, znj. Arjeta Fejza dhe znj. Edona Llalloshi, të cilët bashkë me znj. Tahiri ecën përgjatë sheshit të qytetit dhe pjesës veriore të tij. Në këtë ecje simbolike, ata patën mundësinë të bashkëbisedojnë nga afër me qytetarët, duke dëgjuar shqetësimet dhe idetë e tyre për një të ardhme më të mirë për Mitrovicën dhe Kosovën. Gjatë ditës, znj. Tahiri vizitoi edhe Shoqatën “Down Syndrome Kosova” në Mitrovicë, ku u shoqërua nga ministrja e Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Gjatë vizitës, ato panë nga afër punën e qendrës dhe aktivitetet që zhvillohen për t’i mbështetur dhe fuqizuar personat me sindromën Down. Kjo tregon përkushtimin dhe vëmendjen e veçantë që znj. Tahiri i jep çështjeve sociale dhe gjithëpërfshirjes. Mesazhi i qartë i këtij aktiviteti është se ndryshimi vjen nga përkushtimi dhe angazhimi për çdo qytetar të Kosovës. Znj. Hasime Tahiri Hasani mbetet e përkushtuar për të sjellë një zë të fuqishëm dhe pozitiv në Kuvendin e Kosovës, duke përfaqësuar me krenari Mitrovicën dhe gjithë vendin.










