Përfaqësues nga Alternativa të prirë nga sekretarja znj. Diana Qarkaxhija, kryetari i degës në Gjakovë dhe zv/ministër i MFPT z. Agon Dobruna dhe anëtarë të tjerë, kanë vizituar profesoreshën Fatime Boshnjaku e cila ditë më parë është dhunuar fizikisht nga disa të rinjë dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore. Duke e vlerësuar lartë kontributin e profesoreshës Boshnjaku i kanë dëshiruar asaj shërim të shpejtë dhe kanë kërkuar që të zbardhet rasti i dhunimit të saj. “Vlera e mësuesit dhe kupa qiellore nuk mund të maten kurrë, andaj një profesoreshë si ju zonja Fatime, jo vetëm që nuk e meritonit këtë akt aspak njerëzor, por përkundrazi shoqëria jonë duhet ta çmojë përherë kontributin tuaj ndër vite në arsimimin e brezave”, është thënë mes tjerash në këtë takim.
Kryetarja Mimoza Kusari-Lila viziton organizatën Vital Voices në Washington D.C.
Kryetarja e Alternativës dhe shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE znj. Mimoza Kusari Lila gjatë qëndrimit në Washington D.C. të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka takuar znj. Alyse Nelson presidente dhe CEO e organizatës jofitimprurëse e themeluar mbi idenë se kombet dhe komunitetet nuk mund të ecin përpara pa zërat e grave në pozita drejtuese, Vital Voices Global Partnership dhe znj. Manira Alva nga Shërbimi për Mbështetjen e Vajzave dhe Grave Udhëheqëse. “Gratë e forta nuk ngriten thjesht për vete – ato i tërheqin edhe të tjerat me vete. Ato e dinë se fuqia e vërtetë nuk qëndron në të qëndruarit vetë, por në ndërtimin e një komuniteti ku çdo grua dhe vajzë ndjehet e fuqizuar për t’u ngritur. Pikërisht këtë po ndërton Vital Voices: një forcë besimi dhe fuqie që i ndihmon gratë dhe vajzat kudo të ngrihen për veten dhe për komunitetin që përfaqësojnë. Jemi dëshmitare se si, duke mbështetur njëra-tjetrën, nxisim valë ndryshimi që thyejnë barriera, ushqejnë ëndrra dhe hapin rrugën për një të ardhme ku asnjë vajzë apo grua nuk ecën e vetme. Vizita në DC nuk do të ishte e plotë pa ndaluar në shtëpinë ku gratë e fuqishme fuqizojnë të tjerat çdo ditë. Faleminderit, Alyse Nelson & Manira Alva”, është shprehur znj. Kusari-Lila.
Kryetarja Mimoza Kusari-Lila e ftuar në Washington DC ndjek nga afër takimin vjetor të BB-së dhe FMN-së
Kryetarja e Alternativës znj. Mimoza Kusari -Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, për disa ditë ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më saktë në Washington DC, ku ka ndjekur nga afër punimet e Takimeve Vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Znj. Kusari -Lila me këtë rast ka theksuar se Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së u përqendruan në adresimin e sfidave dhe mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale, sidomos në sektorin publik. “Gjatë kësaj jave qëndrova në Washington DC për të ndjekur nga afër punimet e takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këtë vit, Takimet Vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së u përqendruan në adresimin e sfidave dhe mundësive që ofron Inteligjenca Artificiale (IA), sidomos në sektorin publik”, ka theksuar znj. Kusari-Lila. Ndërsa në sesionin “Gratë që Transformojnë Botën” është diskutuar mbi strategjitë për të eliminuar pengesa, sidomos në tregjet në zhvillim, ka thënë ajo. “Një ditë u dedikua plotësisht barazisë gjinore dhe çështjeve për heqjen e pengesave që kufizojnë hyrjen e grave në tregun e punës. Në sesionin “Gratë që Transformojnë Botën” u diskutuan strategjitë për të eliminuar këto pengesa, sidomos në tregjet në zhvillim. Banka Botërore planifikon të dyfishojë angazhimet e saj për programet sociale dhe të rrisë financimet për bizneset e drejtuara nga gratë deri në vitin 2030, me qëllim që të zgjerojë përfshirjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë globale”, ka thënë mes tjerash kryetarja Kusari-Lila . Kryetarja e Alternativës ka treguar se në këtë takim vjetor është diskutuar edhe mbi politikat klimatike, ndërkohë që ka bërë të ditur se është theksuar nevoja për përfshirjen e grave në zbatimin e zgjidhjeve ndaj ndryshimeve klimatike. “Në lidhje me politikat klimatike, u theksua nevoja për të përfshirë gratë në zbatimin e zgjidhjeve ndaj ndryshimeve klimatike. Politikat e reja vlerësojnë rolin kyç të grave në menaxhimin e burimeve dhe përshtatjen ndaj sfidave mjedisore, duke synuar fuqizimin e tyre si agjente ndryshimi në komunitetet e tyre. Përmes mbështetjes financiare për qëndrueshmëri, siç është Trusti i Qëndrueshmërisë dhe Rezistencës i FMN-së, këto nisma synojnë të adresojnë sfidat mjedisore dhe sociale në të njëjtën kohë”, ka potencuar ajo. Kusai-Lila ka njoftuar se është mbajtur Forumi Global Parlamentar, ku u theksua rëndësia e partneriteteve ndërsektoriale dhe mbështetjes legjislative për përmbushjen e qëllimeve gjinore dhe klimatike në mënyrë të qëndrueshme dhe se diskutimet dhe rekomandimet e bëra në çdo temë, treguan se politikat aktuale të Qeverisë së Kosovës janë të përafruara me këto qëllime. “Gjatë dy ditëve të para të javës, u mbajt Forumi Global Parlamentar ku u mbështetën këto objektiva dhe u theksua rëndësia e partneriteteve ndërsektoriale dhe mbështetjes legjislative për përmbushjen e qëllimeve gjinore dhe klimatike në mënyrë të qëndrueshme. Diskutimet dhe rekomandimet e bëra në çdo temë treguan se politikat aktuale të Qeverisë së Kosovës janë të përafruara me këto qëllime, duke përfshirë kuotat për gratë dhe vajzat në fushat STEM, të ngjashme me vendet e BE-së, si Irlanda. Programet sociale dhe fuqizimi ekonomik i grave, që fillojnë me hapa bazikë si hapja dhe posedimi i llogarive bankare, konsiderohen themelore për gratë në kategori të ndjeshme shoqërore”, është shprehur kryetarja e Alternativës dhe shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, znj. Mimoza Kusari- Lila. Kusari – Lila ka thënë po ashtu se bashkëpunimi midis vendeve anëtare të Bankës Botërore dhe FMN-së shihet si i domosdoshëm për të mbajtur fokusin në programet zhvillimore dhe tejkalimin e sfidave gjeopolitike. Ajo ka njoftuar po ashtu, se në përvjetorin e 80-të të Bankës Botërore, FMN-së iu bashkua anëtari më i ri, Principata e Lihtenshtajnit, si vendi i 191-të.
Zëvendësministri Dobruna mori pjesë në tryezën e UNICEF-it “Analiza e Buxhetit për Mbrojtjen Sociale për vitin 2024″
Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka organizuar tryezë në të cilën është publikuar analiza e buxhetit për mbrojtje sociale për vitin 2024. Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës, ishte i ftuar në këtë tryezë e cila është mbajtur të enjten. Dobruna e ka vlerësuar lartë këtë dokument i cili, sipas tij, është përgatitur me mjaft profesionalizëm dhe ofron një pasqyrë të plotë të financimit dhe menaxhimit të mbrojtjes sociale në vendin tonë. “Është kënaqësi dhe privilegj që sot me ftesë të UNICEF-it në Kosovë, të jemi bashkë në organizimin e tryezës për publikimin e Analizës së Buxhetit për Mbrojtjen Sociale, për vitin 2024. Ky dokument i përgatitur me mjaft profesionalizëm, ofron një pasqyrë të plotë të financimit dhe menaxhimit të mbrojtjes sociale në vendin tonë. Si dhe hedh dritë mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësime në këtë sektor”, ka theksuar zv/ministri Dobruna. Ai është shprehur falënderues ndaj ekipit të ekspertëve të UNICEF-it, siç ka thënë, për mbështetjen e tyre të palodhshme në realizimin e kësaj analize të rëndësishme. “MFPT edhe në vitin 2024 ka rritur buxhetin e mbrojtjes sociale. Rekomandimet e dhëna do të jenë udhërrëfyes i rëndësishëm për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve në përmirësimin e politikave tona dhe në forcimin e sistemit të mbrojtjes sociale”, ka thënë Dobruna gjatë fjalës së tij në këtë tryezë.
Zëvendësministri Dobruna: MFPT-ja është duke punuar dhe po përmirëson ndjeshëm sigurinë dhe shëndetin në punë
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) ka organizuar të enjten tryezë diskutimi me temën: “Sëmundjet Profesionale në Epokën Digjitale: Mbrojtja e Shëndetit të Punëtorëve në Kosovë”. Në këtë tryezë si panelist foli edhe zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës. Zv/ministri Dobruna ka thënë se MFPT-ja përmes politikave dhe agjencive ekzekutive që janë në kuadër të saj, është duke punuar dhe po përmirëson ndjeshëm sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai ka theksuar se janë të përkushtuar dhe do ti marrin parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve në këtë takim. “Sot në tryezën e diskutimit të organizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), kisha kënaqësinë të diskutoj si panelist për temën: “Sëmundjet Profesionale në Epokën Digjitale: Mbrojtja e Shëndetit të Punëtorëve në Kosovë”, e cila u organizua në kuadër të Javës Evropiane për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes politikave dhe agjencive ekzekutive në kuadër të saj, është duke punuar dhe përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe shëndetin në punë. Gjithashtu të përkushtuar për sugjerimet dhe rekomandimet që u theksuan në diskutim”, ka theksuar zv/ministri Dobruna.
Tafarshiku në Ranillug: MZhR mbetet e përkushtuar të zhvillojë rekreacionin, turizmin dhe projektet që kanë ndikim në zhvillimin socio – ekonomik
Ministria e Zhvillimit Rajonal aktualisht është duke investuar edhe në ndërtimin e Parkut të Aventurave në Komunën e Ranillugut. Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal z. Ali Tafarshiku, përfaqësues i Alternativës, ka qëndruar të enjten në Ranillug dhe është pritur nga nënkryetari Arton Dubova e zyrtarë të tjerë komunal. Tafarshiku ka theksuar se pas investimeve në rregullimin e shtigjeve të çiklizmit dhe në projektin e Ballkonit Panoramik, në Ranillug po investojnë edhe në ndërtimin e Parkut të Aventurave. Qëllimi i realizimit të këtyre projekteve, sipas tij, është që të promovojnë potencialin turistik të zonës në mënyrë që të shndërrohen në atraksion për të rinjtë, sportistët dhe vizitorët tjerë. “Pas investimeve në stazat e çiklizmit dhe në projektin e Ballkonit Panoramik, në Komunën e Ranillugut po investojmë edhe në ndërtimin e Parkut të Avanturave. Këto projekte promovojnë potencialin turistik të zonës dhe tashmë bëhen vend atraksioni për të rinjët, sportistët dhe vizitorët tjerë. Ministria e Zhvillimit Rajonal, mbetet e përkushtuar që përmes investimeve kapitale të zhvillojë rekreacionin, turizmin dhe projektet që kanë ndikim në zhvillimin socio – ekonomik. Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Ranillugut, u prita nga nënkryetari Arton Dubova dhe zyrtarë tjerë komunal. Alternativa e projekteve zhvillimore”, ka potencuar zv/ministri Tafarshiku.
Zëvendësministri Tafarshiku në Rahovec viziton Ballkonin e Panoramik, investim i MZhR-së
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal dhe përfaqësues i Alternativës z. Ali Tafarshiku ka qëndruar të enjten në Rahovec dhe është takuar me kryetarin e kësaj Komune z. Smajl Latifi, drejtorin e Urbanizmit, z. Albnor Mullaabazi dhe zyrtarë të tjerë komunal. Ministria e Zhvillimir Rajonal aktualisht po investon në këtë Komunë projektin e Ballkonit Panoramik i cili promovon potencialet natyrore, turistike dhe ekonomike të kësaj Komune. “Punët po shkojnë mbarë dhe ky projekt ka mundësi të finalizohet në fund të vitit 2024. Rezultatet e investimeve kapitale, tashmë po shihen dhe preken në të gjitha rajonet zhvillimore të Republikës, andaj mbesim të përkushtuar që me punën tonë të përditshme të angazhohemi për zhvillim të balancuar socio- ekonomik”, ka thënë zv/ministri Tafarshiku gjatë vizitës në Rahovec, të cilin e quajtur Grape City Rahovec. “Në qytetin e Rahovecit, po investojmë në projektin e Ballkonit Panoramik, projekt ky që promovon potencialet natyrore, turistike dhe ekonomike të kësaj Komune. Gjatë vizitës së sotme kisha rastin të takohem me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, drejtorin e Urbanizmit, Albnor Mullabazi dhe zyrtar komunal që po mbikqyrin projektin e financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Punët po shkojnë mbarë dhe ky projekt ka mundësi të finalizohet në fund të vitit 2024. Rezultatet e investimeve kapitale, tashmë po shihen dhe preken në të gjitha rajonet zhvillimore të Republikës, andaj mbesim të përkushtuar që me punën tonë të përditshme të angazhohemi për zhvillim të balancuar socio- ekonomik. Alternativa për investime”, ka theksuar Tafarshiku.
Tafarshiku: MZhR-ja po bashkëfinancon projekte kapitale në Klinë e Skenderaj
Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, z. Ali Tafarshiku, përfaqësues i Alternativës, ka vizituar Klinën dhe është njoftuar nga afër me dinamikën e punimeve që po zhvillohen në projektin kapital me gjatësi prej 2.5 km, në hyrje të këtij qyteti. Ministria e Zhvillimit Rajonal, po bashkëfinancon këtë projekt në të cilin po punohet për rregullimin e trotuarëve, shtigjeve të çiklizmit, hapësirave të gjelbërta, ndriçimit publik, zgjerimit të rrugës dhe infrastrukturës nëntoksore. Zv/ministri Tafarshiku me këtë rast ka thënë se çdo gjë po shkon mbarë, me cilësi dhe intensitet të shtuar. “Mirëmëngjes nga Klina, ku po investojmë në trotuare, staza të çiklizmit, hapësira të gjelbërta, ndriçim publik, zgjerim të rrugës dhe infrastrukturë nëntoksore. Ministria e Zhvillimit Rajonal, po bashkëfinancon projektin kapital në gjatësi prej 2.5 km, në hyrje të Klinës. Me këtë rast, sot u njoftova nga afër me zhvillimin e punimeve atje dhe jam i lumtur që çdo gjë po shkon mbarë me cilësi dhe intenzitet të shtuar. Alternativa për projekte zhvillimore!”, ka theksuar zv/ministri Tafarshiku. Zoti Tafarshiku ka qëndruar edhe në Skenderaj, komunë kjo në të cilën MZhR-ja po bashkëfinancon në ndërtimin e çerdhes së dytë publike me kapacitet për afër 100 fëmijë. Zëvendësministri ka vlerësuar se punimet po zhvillohen në mënyrë cilësore dhe të shpejtë, andaj sipas tij, fundi i vitit 2024, Skenderajn e gjen me çerdhe të re. Nga drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, znj. Besarta Meha dhe zyrtarë komunal ai është informuar se numri i kërkesave për vijimin e fëmijëve në çerdhe publike ka arritur në 300, andaj investimi në këtë projekt përpos që do të zvogëloj numrin e kërkesave, do të ndikoj edhe në fuqizimin ekonomik të grave. “Në Skenderaj po investojmë në ndërtimin e çerdhes publike, me kapacitet për afër 100 fëmijë. Kjo është çerdhja e dytë publike në këtë komunë dhe ky projekt bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Punimet atje po zhvillohen në mënyrë cilësore dhe të shpejtë, andaj fundi i vitit 2024, Skenderajn e gjen me çerdhe të re. Gjatë vizitës që ju bëra punimeve atje, nga drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, znj. Besarta Meha dhe zyrtarë komunal, u njoftova që numri i kërkesave për vijimin e fëmijëve në çerdhe publike ka arritur në 300, andaj investimi në këtë projekt përpos që do të zvogëloj këtë numër, do të ndikoj edhe në fuqizimin ekonomik të grave në Komunën e Skenderajt. Alternativa për Komunat”, ka theksuar z. Tafarshiku.
Zëvendësministri i MFPT-së Agon Dobruna mori pjesë në konferencën “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë’’
Shoqata “Handikos” të hënën organizoi konferencën me temën “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë’’. I pranishëm ishte edhe zëvendësministri i ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, Agon Dobruna, përfaqësues i Alternativës. Me këtë rast ai ka theksuar veprimet që ka ndërmarrë MFPT-ja për fuqizimin dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufzuara si në fushën legjislative ashtu edhe në aspektin financiar. Në konferencën përmbyllëse janë trajtuar çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe avancimin e politikave për personat me aftësi të kufizuara. “Projekte si “Aleanca për Reforma Gjithëpërfshirëse në Rajon” janë thelbësore për të siguruar progres konkret dhe për t’i adresuar nevojat specifike të kësaj kategorie të shoqërisë. Biseduam së bashku dhe dëgjuam të gjitha kërkesat dhe pyetjet që kishin të pranishmit. Gjithashtu theksova hapat dhe veprimet që ka ndërmarrë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, për fuqizimin dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufzuara, si në fushën legjislative ashtu edhe në aspektin financiar”, është shprehur zv/ministri Dobruna. Ai para të pranishmëve edhe një herë ka kujtuar se së bashku, do të ndërtojnë një shoqëri, ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të përfshirë dhe të fuqizuar pa asnjë dallim.
Zëvendësministri i MZhR-së Ali Tafarshiku vizitoi dy komuna, pa nga afër ecurinë e projekteve
Zëvendësministri i ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku përfaqësues i Alternativës, në vazhdën e vizitave nëpër zona të ndryshme të Kosovës të hënën ka parë nga afër punimet të cilat janë duke u zhvilluar në ndërtesën e Stacionit të Autobusëve në Gjakovë, investime këto të cilat po realizohen në kuadër të projekteve të financuara nga MZhR-ja. “Java nis mbarë me imazhe të punëve që po realizohen në projektet e financuara nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Ndërtesa e Stacioni Autobusëve Gjakovë tashmë po rinovohet, kurse shërbimet për qytetarë po digjitalizohen”, ka thënë ai. Tafarshiku ka qëndruar edhe në Sllatinë të Komunës së Fushë Kosovës ku është interesuar të mësojë mbi ecurinë e punimeve në “Parkun e Pishave” ku MZhR-ja aktualisht po investon në terrene sportive, kënde lodrash për fëmijë dhe në krijimin e hapësirave rekrative. “Në “Parkun e Pishave” në Sllatinë, ku po investojmë në terene sportive dhe kënde lodrash për fëmijë. Parku i Pishave është shndërruar në atraksion për të gjitha grupmoshat që vinë nga çdo cep i vendit. Ministria e Zhvillimit Rajonal, përmes investimeve të tilla, ka për qëllim promovimin jo vetëm të resurseve natyrore, por edhe të jetës së shëndetshme, përmes investimeve në fusha sportive dhe në krijimin e hapësirave rekreative”, ka thënë mes tjerash zv/ministri Tafarshiku.











